Ndonëse ka kohë që nuk është përmendur në publik, korrigjimi i kufijve nuk po konsiderohet si ide e vdekur nga njohësit e rrethanave politike. Ata konsiderojnë se në rast të rifillimit të dialogut Kosovë – Serbi tema e ndryshimit të kufijve do të kthehet në tavolinën e bisedimeve, shkruan Gazeta “Zëri”.
Njohësi i çështjeve politike Behlul Beqaj duke folur për “Zërin” është shprehur se ideja për korrigjimin e kufijve përveçqë nuk ka vdekur, ajo do të aktivizohet sërish nga presidenti Thaçi ose nga persona që janë sponsorizuar nga mjetet e qytetarëve.
“Heshtja e Hashim Thaçit për korrigjimin e kufijve nuk do të thotë se kjo ide ka vdekur. Për korrigjimin e kufijve është investuar shumë para dhe janë angazhuar shumë ndërmjetësues, edhe të nivelit botëror. Prandaj ideja e korrigjimit do të aktivizohet sërish në momentin e duhur nga presidenti Thaçi ose nga personalitetet me ndikim ndërkombëtar, që janë sponsorizuar me mjetet e qytetarëve të Kosovës në emër të interesit publik”, ka thënë Beqaj për ‘Zërin‘.
Profesori universitar thekson se pala kosovare nuk ka qenë asnjëherë e aftë për të bërë kompromise me Serbinë, për shkak të mungesës së njohurive për ta kuptuar interesin e Serbisë në procesin e dialogut.
“Ne kurrë nuk kemi bërë kompromise, sepse nuk dimë. As në Rambuje, as në Vjenë, as në Bruksel. Të gjitha i kemi konsideruar si kompromise dhe do t’i trajtojmë si kompromise, vetëm se ne jemi vëzhgues dhe dëshmitarë që në fund i japim nënshkrimet. Këtu është problemi. Për të bërë kompromis duhet njohuri, shkathtësi, dije dhe gatishmëri për ta kuptuar interesin e palës tjetër nga këndi i interesit vetjak. Këto elemente kanë munguar vazhdimisht deri më sot”, ka deklaruar ai.