Nga sot është hapur pika kufitare Stanqiq-Bellanoc, e cila do po konsiderohet si lehtësi në qarkullim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë Veriore.
Zëvendëskryeministri në detyrë Enver Hoxhaj hapjen e kësaj pike kufitare në mes Kosovës dhe Maqedonisë Veriore e konsideroi si një gur themel të ri në miqësinë në mes dy vendeve.
Sipas tij kjo pikë kufitare do përafroj njerëzit, por që do ketë impakt edhe në aspektin ekonomik.
“Kjo pikë kufitare do të përafrojë dhe si të shpejtojë lëvizjen e lirë të njerëzve. Nëse dikush nga Gjilani është dashur të udhëtojë 50-70 kilometra nga sot do ta ketë më shkurt rrugën… Mendoj se do ketë përfitime edhe ekonomike meqë një pikë kufitare do mundësojë që të lëvizin edhe mallrat edhe kapitali dhe kjo pjesë e Kosovës do ketë impakt edhe në zhvillimin e saj ekonomik. Dhe së fundmi është edhe një mundësi e mirë për të treguar se marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë Veriore janë të shkëlqyera”, tha Hoxhaj.
Kurse, zëvendëskryeministri i Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani pikën kufitare Stanqiq -Bellanoc e vlerësoi si një kapitull të ri që është hapur në mes Kosovë dhe Maqedonisë Veriore. Vonesat për inaugurimin e kësaj pike kufitare Osmani i ka arsyetuar me ndryshimet që është dashur të bëhen në aspektin ligjor.
“Ky nuk është vetëm një kalim tjetër kufitar është ekskluziv në shumë aspekte. Është i vetëm objekt në rajon iu garantoj i cili gjendet në dy anët e kufirit dhe e keni një dhomë në Kosovë dhe një në Maqedoninë e Veriut dhe kjo e ka krijuar kompleksitetin më të madh për shkak se ligjet shohin tërësi funksionale të objektit dhe nuk pranojnë ligjet gjysmë objekte dhe kjo ka kërkuar ndryshime ligjesh, ndryshime rregulloresh, koordinime të shumta prandaj kjo është ditë e madhe për shkak të kompleksitetit. Është ‘One Stop Shop’ i parë në mes të Maqedonisë dhe Kosovës dhe po hapim një kapitull të ri në këtë drejtim”, tha Osmani.
Të lumtur që tani përmes pikës kufitare Stanqiq- Bellanoc do të qarkullojnë më lehtë janë shprehur edhe qytetarët të cilët ishin të shumtë në këtë përurim.
Për herë të parë këtë rrugë po e përshkon, Xhevat Zymberi i cili po udhëtonte nga Sllupqani, fshat ky i Kumanovës, për në Kosovë. Sipas tij sa më shumë pika të tilla kufitare aq më lehtë do jetë për qytetarët.
“Shumë na e lehtëson me 15 kilometra tani e kalojmë kufirin… Sa më shumë të ketë aq më mirë na bënë neve”, tha Zymberi.
Në këtë pikë do të mund të kalojnë vetëm njerëzit dhe automjetet e vogla, dhe vetëm pas gjashtë muajve edhe automjetet e rënda e mallrat.
Pika kufitare që lidh Kosovën më Maqedoninë Veriore është financuar nga BE-ja, ndërsa ndërtimi i saj kishte filluar në vitin 2018.