Bashkëkryesuesi i ekipit negociator për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti ka konfirmuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka kërkuar ekipit që në platformën për dialog të futet edhe rezoluta për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.
Ahmeti tha se kjo rezolutë nuk është pranuar të jetë pjesë e dokumentit për dialogun, pasi platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës.
Presidenti Thaçi dje ka deklaruar se Kuvendit të Kosovës do t’ia propozojë një draft-rezolutë për bashkimin e Luginës me Kosovën.
Bashkëkryesuesi i ekipit të dialogut tha se nuk e di arsyen pse në këtë periudhë vjen një kërkesë që në Kuvend të Kosovës të votohet një rezolutë e tillë, por siç shprehet ai, u mbetet subjekteve politike të vendosin në këtë drejtim.
I pyetur rreth deklarimeve të presidentit Thaçi se idenë për korrigjim të kufijve e ka marrë nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova, kreu i PSD-së tha se asnjëherë zyrtarisht nuk është përmendur kjo ide nga ndërmjetësuesit e BE-së, por beson se kjo është kërkesë e Serbisë.
Ahmeti tha se nuk e di se kur do të mbahet seanca për ta votuar platformën e dialogut, por ata si ekip janë të gatshëm qysh javën e ardhshme ta kalojnë në Kuvend.
I pyetur se a është mbajtur takimi i ftuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ku do të diskutohet rreth taksës, Ahmeti tha nuk do të jenë më pjesë e takimeve që diskutohet për taksë, derisa ai është vendim i Qeverisë së Kosovës, pjesë e të cilit nuk është partia që ai udhëheq.
Gjatë ditës së djeshme, presidenti Thaçi, i cili që nga vera e vitit të kaluar vazhdimisht kërkon korrigjimin e kufirit me Serbinë, ka thënë se idenë e korrigjimit e ka marrë fillimisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova, të përcjellë pastaj nga akademik Nexhat Daci dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. Thaçi ka thënë që Serbia pretendon ndarjen, por që ideja e tij është vetëm bashkëngjitja e Luginës me Kosovën. /KP/