Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, gjatë ditës ka pritur në takim, shefin e zyrës së Këshillit të Evropës në Beograd, Tobias Flessenkemer.
“Me Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës, z. Tobias Flessenkemper, i cili po qëndron për vizitën e tij të parë në Bujanoc, biseduam për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe (mos)realizimin e plotë të të drejtave të pakicave. Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione publike, mosrealizimi i të drejtave të garantuara me ligj dhe konventa ndërkombëtare dhe ngecja në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës po vazhdojnë të jenë preokupime të përditshme dhe betejë politike e institucionale e përfaqësuesve shqiptarë” – ka shkruar kryetari Kamberi pas takimit në facebook.
Kryetari Shaip Kamberi, ndër të tjera ka shkruar edhe se: “Përkrahja ndërkombëtare dhe monitorimi i pozitës së pakicave, gjatë rrugëtimit të integrimit të vendit në BE, i domosdoshëm dhe i patjetërsueshëm. Prezenca dhe përkrahja ndërkombëtare garancë e avancimit dhe realizimit të plotë të të drejtave tona kolektive”.
Kujtojmë se, Komuna e Bujanocit, nga Këshilli i Evropës, zyrja në Beograd, ka përfituar një grant mbi dygjuhësinë në Bujanoc, nga i cili do të vendosen tabllot nëpër institucione lokale e republikane në dy gjuhë, shqip-serbisht.