Ballina Aktuale Skepticizëm për një marrëveshje Kosovë-Serbi brenda vitit 2019

Skepticizëm për një marrëveshje Kosovë-Serbi brenda vitit 2019

SHPËRNDAJE

Autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, vazhdojnë të deklarojnë vullnetin e tyre për dialog ndërmjet dy vendeve, si një proces që do të mundësonte arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por qëndrimet e skajshme të palëve dhe zhvillimet në skenat politike të të dyja vendeve, forcojnë dilemat nëse një marrëveshje eventuale mund të arrihet brenda vitit 2019, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, në Kosovë dhe në Serbi.

Aktualisht, sipas tyre, shumë zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e vlerësojnë këtë vit si moment të përshtatshëm dhe si shans për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë – Serbi, por ata kanë këndvështrime të ndryshme lidhur me gjasat që kjo të ndodhë.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se parakusht për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialogu, i cili aktualisht ka stagnuar, për shkak të vendosjes nga Qeveria e Kosovës të taksës prej 100 për qind për produktet e Serbisë. Ai shprehet mjaft skeptik për mundësinë që kjo masë të pezullohet tash për tash nga Qeveria e Kosovës. Por, sipas tij, në rast se një gjë e tillë ndodhë, hapet rruga për dialogun dhe mundësia për një marrëveshje ndërmjet palëve.

Por, ndryshe mendon Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se aktualisht ekzistojnë tre narracione lidhur me mundësitë e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet e Serbisë kanë refuzuar t’i kthehen dialogu me Kosovën pa u hequr taksa ndaj mallrave të saj.

Qeveria e Kosovës këmbëngulë në vendimin saj, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që taksa të pezullohet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda vitit 2019, e cila do të përfundojë me njohje reciproke.