Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe lideri i VV-së, njëherësh partisë fituese në zgjedhjet e Kosovës, Albin Kurti, do të takohen sot, për herë të parë prej kur Kurti doli si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit.
Takimin e ka konfirmuar vetë Edi Rama, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares Jehona Bajrami Gashi, në Opinion, se pse Rama e Kurti nuk ishin takuar, kur ky i fundit ishte në Tiranë ditë më parë.
Edi Rama duke iu përgjigjur Gashit ka thënë se nuk ishte marrë vesh paraprakisht për një takim me Kurtin por se ata do të takohen sot. Rama ka thënë, gjithashtu, se pret me shumë pozitivizëm emërimin në postin e kryeministrit të Albin Kurtit dhe të fillojnë punën dhe bashkëpunimet.
Gashi e ka pyetur Ramën edhe nëse vlerësonte se takimet mes dy qeverive Kosovë – Shqipëri kishin dështuar pasi vetë Rama ka kërkuar një ministri bashkëpunimin mes dy shteteve, por se Rama nuk pranoi një gjë të tillë.
Ai tha se mbledhjet e dy qeverive nuk ishin shumë të suksesshme, por as të dështuara jo.