Ballina Aktuale Dokumentari ”Skenari i nënës” ka rrëmbyer vendin e parë në Festivalin e...

Dokumentari ”Skenari i nënës” ka rrëmbyer vendin e parë në Festivalin e Filmit në Londër

SHPËRNDAJE

Në Festivalin e Filmit “Lift-Off Global Network” në Londër, festival ky për film dokumentar dhe dramë, filmi dokumentar i Kastriot Saqipit “Skenari i nënës”, në një konkurrencë prej 42 filmash nga e gjithë bota, mori vendin e parë.

Në letrën zyrtare që ky festival ia ka dërguar regjisorit shkruan: “Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se filmi fitues është: “The Mother’s Screenplay” , regjia: Kastriot Saqipi (i cili është i ftuar në ngjarjen Fitueseve te Sesioneve te Filmave në Pinewood Studios, ku fituesit e çdo muaji do të shfaqin në ekran trailer-at e tyre, qasje ne punëtori të industrisë, këshilla praktike, si dhe anëtarësim profesional falas për “Lift-Off”).

Në njoftimin e tij në Facebook, regjisori Saqipi, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mundësuar realizimin e filmit.

“Në rend të parë e falënderojmë Avni Hetemin, që na shpalosi jetën e tij dhe neve na bëri të ndihemi të lumtur me këtë dokumentar”

Po ashtu, Saqipi ka fjalët më të mira për producentin Gani Veseli, i cili ishte në ballë të kësaj sfide jo të lehtë. “Gani Veseli është producent si dhe një udhëheqës i mrekullueshëm i këtij dokumentari”

Filmi dokumentar “Skenari i nënës”, kishte premierën në Preshevë, e ku I pranishëm ishte edhe protagonisti Avni Hetemi.

Menjëherë pas premierës, kanë ardhur edhe ftesat e para, e bashkë me to edhe çmimet.

Kastriot Saqipi tash e ka një hall tjetër, e këtë hall e ka bërë publik  producenti Gani Veseli.

Por, edhe kur fiton, njeriu bie në hall: si të shkojë të marrë çmimin?! Atij i duhen para dhe vizë, që të na përfaqësojë më denjësisht. Është mirë që Ministria e Kulturës, t’ia bëjë një zgjidhje, në mënyrë që Kaqa ta ndiejë nga afër këtë trofe.