Po shkruaj në emër të një qytetareje të thjeshtë nga Komuna e Bujanocit, pra vetëm si Nermine Aliu, e jo si sekretare e Kuvendit Komunal, sepse pozita e sekretares është pozitë administrativo-teknike dhe nuk më lejohet të kyçem në debatet që bëjnë këshilltarët e kuvendit komunal gjatë seancave. Për nga natyra flas shumë dhe asnjëherë nuk heshti kur mendoj që diçka nuk është e drejtë ose ajo që po flitet publikisht është e pabazuar në fakte. Sot, si asnjëherë më parë e kam pasur shumë të vështirë të heshti derisa dëgjoja replikat e këshilltarëve të Kuvendit Komunal, të cilët janë njëherit përfaqësuesit tanë në kuvend, dmth përfaqësues të çdo qytetari të kësaj komune, pas fjalimit që mbajti këshilltarja nga rradhët e APN-së. Nuk ka shqiptar ose gjak shqiptari që nuk rrënqethet kur përmendet emri i atdhetarit tonë, atij që dha jetën dhe flijoi gjithë familjen për lirinë e Kosovës, emrin e patriotit Adem Jasharit. Nuk ka femër që nuk i dridhet trupi e i rrah zemra fort kur përmendet emri i Vasfije Krasniqit, asaj që përjetoi dhunimin gjatë luftës në Kosovë, ajo që në Kosovë bëri bujë për kurajon e pashoq për të folur publikisht për atë që ka përjetuar, për t’i dhënë fuqi zërit të heshtur të shumë grave tjera që janë përdhunuar, por që në heshtje kanë vuajtur, që të mos etiketohen nga shoqëria. Andaj përmendja e tyre në seancën e sotme, për mendimin tim ishte plotësisht e gabuar, e pa vend dhe është turp të tërhiqen paralele të tilla, kur po flitej për një çështje tejet të ndjeshme sociale. Ju këshilltarë të nderuar, përfaqësues të mi dhe të të gjithë qytetarëve të komunës së Bujanocit, duhet të masni mirë fjalët kur flisni në foltore, sepse fjalët tuaja kanë peshë duke qenë se përfaqësoni gjithë ata që ju votuan, fjalët e tuaja i ndëgjojnë gjithë qytetarët e kësaj komune e bile edhe ata që sot i etiketuat publikisht “si vrasës potencialë”. Fjalimi i mbajtur nga APN pikërisht sot më 17 shkurt, kur Kosova po feston Ditën e Shtetësisë, i bënte thirrje këshilltarëve të Kuvendit Komunal që në nderë të Vasfije Krasniqit e në nderë të Adem Jasharit, e familjes Haradinaj, të mos votohej rendi i ditës në të cilën ishte edhe Vendimi për përcaktimin e lokacionit për ndërtimin e banesave familjare për familjet me gjendje të rrezikuar sociale, që jetojnë në qendrën kolektive “Salvatore ose ish Shkolla Teknike” në Bujanoc, pra romët e ardhur nga Kosova në Bujanoc në vitin 2002 dhe për familjet lokale me gjendje të vështirë ekonomike poashtu, për të cilat çështje do të kujdesej Qendra për Punë Sociale në Bujanoc, pasi që bie në fushëveprimin e saj. Këta banorë të qendrës kolektive “Salvatore” janë familje rome që janë shpërngulur nga Kosova gjatë kohës së luftës dhe e kanë gjetur vetën në Bujanoc, edhe pse u janë ofruar mundësi të shpërngulen nga Bujanoci kudo në Serbi, ata kanë refuzuar duke thënë se ne jemi myslimanë dhe këtu ka varreza myslimane, andaj nuk duam të shkojmë diku tjetër. Ju, sot, pa kurrnifarë fakti akuzuat që ata janë serbë dhe që janë “vrasës potencialë” të 13.000 viktimave në Kosovë përfshirë edhe fëmijë, ju akuzuat ata se janë “dhunues potencialë” të 20.000 grave të dhunuara në Kosovë, e thatë këtë pa kurrnifarë brejtje të ndërgjegjes, nxitët shumë ndjenja tek ne që ishim prezentë në seancë po besoj edhe te të gjithë ata që ju ndoqën, por ato që thatë nuk ishin të vërtetë pos hipoteza tuaja të pabaza. U rrënqetha kur jehoi zëri juaj gjatë fjalimit të mbajtur dhe të them të drejtën ishte fjalim mirë i përgatitur dhe shumë mirë i interpretuar por jo për seancën e sotme, por për ndonjë tubim elektoral ose manifestim kulturor me motive patriotike. Andaj ju lutem shumë mos manipuloni me ndjenjat e qytetarëve duke luajtur atdhetarin e flaktë, sepse reagimi i juaj ishte vetëm përgjigje në inatin tuaj për shkak të mosrealizimit të marrëveshjes së koalicionit qeverisës në Bujanoc, mos manipuloni me dhimbjen tonë dhe plagën tonë të pashëruar – Kosovën. Qytetarët duhet t’i kurseni nga mossukseset e pazarllëqeve tuaja të brendshme politike. Qytetarë të Bujanocit janë edhe romët, edhe serbët edhe ne shqiptarët, pra jemi komunitet multietnik. Nëse ne gjithnjë jemi ndjerë të diskriminuar nga Serbia, diskrim ky i vazhdueshëm që po ndodh ndaj shqiptarëve edhe me pasivizimin e adresave, atëherë mos bëni të njejtën gjë edhe ju, mos diskriminoni komunitetin rom, i cili është vendosur para 20 viteve këtu, e që jetojnë në kushte jo njerëzore për gjithë këto vite. Se kjo që bëtë sot më le të mendoj se edhe ne jemi duke vepruar njejtë me ta sikurse serbët me ne – po i diskriminojmë. Të drejtat e njeriut, nënkuptojnë edhe të drejtat e romëve për një jetë në kushte më humane, e jo vetëm të drejtat e shqiptarëve! P.S. Nëse mendoni që e kam keqkuptuar fjalimin e sotëm, atëherë shikojeni seancën e transmetuar live edhe ne fb tek Rtv Aldi Ndëgjojeni edhe vetë!
Ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.