Ballina Aktuale Miodrag Andjelković – Mjeshtër i trashëgimisë nëprmjet veshjeve tradicionale

Miodrag Andjelković – Mjeshtër i trashëgimisë nëprmjet veshjeve tradicionale

SHPËRNDAJE

Në një atelie të mbushur me ngjyra, copa të lashta dhe simbole që flasin gjuhën e brezave, Miodrag Andjelković nga Vranja ruan me përkushtim një pasuri të gjallë: veshjet tradicionale të popujve që ndajnë të njëjtin rajon – shqiptarë, serbë,rome dhe maqedonas. Prej më shumë se 30 vitesh, ai nuk është thjesht një rrobaqepës. Ai është një artizan, studiues dhe ruajtës i kujtesës kulturore përmes pëlhurës, fijeve dhe qëndisjeve.

Prej më shumë se 30 vitesh, ai është një ndër mjeshtrit më të respektuar në Ballkan për këtë trashëgimi të gjallë.

Pas diplomimit në Fakultetin e Tekstilit dhe specializimit në fushen e modës në Belgjikë, ai vendosi që aftësitë e tij t’i kthejë në shërbim të traditës dhe kulturës. Ndryshe nga krijuesit e zakonshëm të modës, Miodragu punon me kujdesin e një studiuesi dhe ndjeshmërinë e një artisti. Ai i njeh në thellësi dallimet delikate mes veshjeve të popujve dhe rajoneve të ndryshme, dhe i respekton me përpikëri.

“Veshjet mund të duken të ngjashme, por janë detajet ato që i bëjnë unike nga qyteti në qytet,” thotë ai. Dhe ai e di saktësisht se çfarë e bën një veshje të Bujanocit të dallojë nga ajo e Vlladiçin Hanit. “Për shembull, veshjet e Bujanocit kanë fundin e fustanit të punuar ndryshe, më të shkurtër dhe më të zbukuruar në pjesën e poshtme, ndërsa në Vlladiçin Han jeleku është më i gjatë dhe qëndron mbi brez, një detaj karakteristik që nuk mund të shpërfillet.”

Kjo vëmendje ndaj origjinalitetit dhe nuancave kulturore është arsyeja pse puna e tij kërkohet nga ansamble profesioniste, teatro dhe festivale ndërkombëtare. Në çdo veshje që del nga duart e tij, Miodragu nuk sjell vetëm mjeshtëri, por shpirtin e një rajoni të tërë – një mozaik kulturor ku bukuria qëndron në dallimet.

Për Miodrag Andjelković-in, veshja tradicionale nuk është thjesht kostum. Është histori, identitet dhe krenari. Ai vazhdon ta ruajë këtë trashëgimi me përkushtim të rrallë, duke dëshmuar se arti, kur ushqehet me dashuri për kulturën, bëhet i përjetshëm.
Miodrag në punëtorin e tij ka te angazhuar më shumë se 10 ndihmës sepse nuk mundet i vetëm të arrij kërkesat e klientëve.