pas publikimit të rezultateve të projekteve mediale në komunën e Bujanocit ka reaguar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi i cili kërkon anulimij e konkursit i cili diskriminon mediat në gjuhën shqipe.
postimi i plotë i Rexhepit:

𝐊𝐄̈𝐑𝐊𝐄𝐒𝐄̈ 𝐏𝐄̈𝐑 𝐀𝐍𝐔𝐋𝐈𝐌𝐈𝐍 𝐄 𝐊𝐎𝐍𝐊𝐔𝐑𝐒𝐈𝐓 𝐐𝐄̈ 𝐃𝐈𝐒𝐊𝐑𝐈𝐌𝐈𝐍𝐎𝐍 𝐌𝐄𝐃𝐈𝐀𝐓 𝐍𝐄̈ 𝐆𝐣𝐔𝐇𝐄̈𝐍 𝐒𝐡𝐐𝐈𝐏𝐄
Gjatë ditës së sotme, kam dorëzuar kërkesë zyrtare për anulimin e konkursit për bashkëfinancimin e projekteve mediatike për vitin 2025, të shpallur nga Komuna e Bujanocit. Kjo kërkesë bazohet në shkeljen e dispozitave të nenit 21 dhe 25 të Ligjit për Këshillat Kombëtare, pasi në këtë proces nuk është kërkuar mendimi i KKSH-së, pavarësisht se projektet e propozuara për financim përfshijnë edhe prodhime në gjuhën shqipe.
Për më tepër, përmes propozimit të bërë nga komisioni vlerësues, është evidentuar mungesa e qasjes së barabartë ndaj mediave që informojnë në shqip. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve është propozuar të ndahet për media që nuk ushtrojnë veprimtari reale në territorin e Komunës së Bujanocit, përfshirë edhe media nga qyteti i Vranjës, ndërkohë që mediat lokale në gjuhën shqipe janë lënë anash. Kjo është e papranueshme në një komunë me shumicë shqiptare (rikujtim: mbi 62% të banorëve të Bujanocit janë shqiptarë) dhe përbën një shkelje të parimeve të barazisë, përfaqësimit dhe të drejtës për informim në gjuhën amtare.
Andaj, kërkojmë anulimin e këtij konkursi dhe vendosjen e një praktike të rregullt konsultimi institucional, ku KKSH përfshihet në çdo proces që lidhet me fushat ku ka kompetenca ligjore. Nëse kjo kërkesë dhe detyrimet ligjore nuk respektohen, KKSH do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e komunitetit shqiptar në Bujanoc.





