Lidhur me mbishkrimet në sheshin e qytetit në Bujanoc, kanë reaguar disa nga përfaqësuesit politikë shqiptarë, si deputeti Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi dhe kryetari i Partisë Demokratike Nagip Arifi.
Postimi i deputeti Shaip Kamberi:
Glorifikimi i kriminelëve të luftës nga Qeveria në Beograd po i shndërron kriminelët e dënuar për krime lufte në emra që po vizatohen e shkruhen gjithandej në Serbi.
Për fat të keq, mbrëmjen e kaluar, edhe sheshi i Bujanocit nuk i shpëtoi këtij fenomeni, ku emri i Ratko Mladiçit u shkrua nga persona të paidentifikuar.
Kjo nuk është vetëm një fyerje për viktimat e luftës, por edhe një përpjekje e rrezikshme për të imponuar krimin si vlerë dhe për ta normalizuar të keqen.
Çdo glorifikim i krimit është një akt kundër paqes, kundër drejtësisë dhe kundër së ardhmes së shoqërisë.

Reagimi i kryetarit të komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti:
Dënojmë mbishkrimet në qendër të qytetit me emrin e të dënuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ratko Mlladiq.
Kërkojmë nga organet kompetente të zbardhin rastin dhe të evitojnë çdo përsëritje të këtyre dukurive që nuk janë në interes të qytetarëve tanë.
Është e papranueshme që organet kompetente deri më tash nuk kanë zbardhur asnjë rast i cili mund të çoj në tensione ndëretnike.
Bujanoci gjithmonë ka qenë model i bashkekzistencës midis popujve dhe si i tillë duhet të mbetet.

Reagimi i Kryetarit të KKSh Enkel Rexhepi:
𝐊𝐫𝐢𝐦𝐢 𝐧𝐮𝐤 𝐝𝐨 𝐭𝐞̈ 𝐛𝐞̈𝐡𝐞𝐭 𝐤𝐮𝐫𝐫𝐞̈ 𝐥𝐚𝐯𝐝𝐢!❌
Të shkruash emrin e një krimineli lufte në zemër të Bujanocit është provokim i ulët dhe fyerje për të gjithë shqiptarët.
Këto mbishkrime nuk janë vetëm ngjyrë në mure, por janë plagë të hapura për familjet e viktimave, për popujt që kanë vuajtur nga gjenocidi i këtyre kriminelëve.
Ky mbishkrim ka pas vetes një strukturë të organizuar kriminale…

Reagimi i ish-kryetarit të komunës, njëherit kryetar i Partisë Demokratike, Nagip Arifi
Grafitet me emrin e kriminelit Ratko Mladiq në sheshin e qytetit në Bujanoc janë kërcënim i hapur për bashkëjetesën në komunë, si dhe fyerje e rëndë për viktimat e gjenocidit. Heshtja institucionale ndaj mesazheve të shpeshta të urrejtjes në komunën e Bujanocit është bashkëfajësi.
Kërkoj nga organet shtetërore që të identifikohen dhe ndëshkohen sa më parë autorët dhe të ndërmerren masa paranduluese, kurse nga organet komunale, të fshihen menjëherë këto grafite.
Bujanoci nuk është vendi për glorifikim të kriminelëve të luftës.







