
Në Tiranë u vu sot themeli i një bashkëpunimi historik ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe komunave të Bujanocit e Preshevës, që synon avancimin e futbollit dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë shqiptarë nga Lugina.
Në takime me presidentin e FSHF-së, z. Armand Duka, kryetari i Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi që e bëjnë Federatën Shqiptare të Futbollit pjesë aktive të jetës sportive në Luginë.

Ky partneritet do të fokusohet në mbështetjen e futbollistëve të rinj, ngritjen e infrastrukturës sportive dhe realizimin e programeve zhvillimore konkrete.

Hapi i parë praktik do të jetë programi “Uniforma ime”, përmes të cilit FSHF do të pajisë futbollistët e rinj në Luginë me veshje sportive dhe topa futbolli.
Në plan afatgjatë, bashkëpunimi parasheh edhe trajnime, përfshirje në garat e organizuara nga FSHF, si dhe përmirësim të kushteve për klubet dhe akademitë lokale.

Z. Pajaziti theksoi se ky bashkëpunim vendos sportin në funksion të bashkëpunimit e mirëkuptimit mes komuniteteve dhe shërben si urë lidhëse midis njerëzve, ndërsa znj. Sinani e cilësoi nënshkrimin e dokumentit si realizim të një ëndrre të kahmotshme të të rinjve të Luginës për t’u bërë pjesë e futbollit shqiptar dhe për të përfaqësuar ngjyrat e kombëtares.
Të dy drejtuesit lokalë shprehën mirënjohje të thellë për presidentin Duka dhe ekipin e FSHF-së për përkushtimin dhe vullnetin për ta zhvilluar futbollin në Luginë, duke e konsideruar këtë marrëveshje si fillimin e një epoke të re për sportin shqiptar në këtë trevë.







