Ballina Aktuale Kryetari Rexhepi me kërkesë drejtuar Kryeministrit Kurti

Kryetari Rexhepi me kërkesë drejtuar Kryeministrit Kurti

SHPËRNDAJE

Për: Shkëlqesisë së Tij, Kryeministrit të Republikës së Kosovës
z. Albin Kurti

Lënda: Kërkesë për lehtësimin e qarkullimit në pikat Breznicë dhe Dobrosin

I nderuar z. Kryeministër,

Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Bujanocit, dhe duke reflektuar shqetësimet e vazhdueshme të banorëve të zonës kufitare, ju drejtohem lidhur me vështirësitë e theksuara në qarkullimin e qytetarëve.

Konkretisht, pritjet e gjata dhe ngarkesa e shtuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë kanë sjellë pengesa serioze në zhvillimin normal të jetës dhe aktiviteteve të përditshme të banorëve të kësaj ane.

Në këtë kontekst, do të ishte me rëndësi të veçantë shqyrtimi i mundësisë për hapjen apo funksionalizimin e pikave kufitare në Breznicë dhe Dobrosin, si një zgjidhje praktike për lehtësimin e qarkullimit dhe zvogëlimin e ngarkesës në pikat ekzistuese.

Duke shprehur mbështetjen tonë për përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e shtetësisë dhe funksionimit institucional, njëkohësisht ju lutemi të merrni në konsideratë ndikimin e këtyre masave mbi qytetarët shqiptarë të Komunës së Bujanocit, të cilët përballen drejtpërdrejt me pasojat e tyre.

Duke shpresuar në mirëkuptimin dhe vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje, mbetemi në pritje të një zgjidhjeje të favorshme dhe në frymë mirëkuptimi të ndërsjellë.

Me respekt,

Driton Rexhepi
Kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit