Ballina Aktuale Ragmi Mustafi pjesë e garës për deputet në Parlamentin e Kosovë

Ragmi Mustafi pjesë e garës për deputet në Parlamentin e Kosovë

SHPËRNDAJE

Ragmi Mustafi ka njoftuar se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një postimi publik, ai ka bërë të ditur se kandidimi i tij vjen si vazhdim i angazhimit të tij politik dhe qytetar në shërbim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.

Mustafi është një emër i njohur në skenën politike shqiptare në jug të Serbisë. Ai ka qenë kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në mandatin 2018–2022, ndërsa aktualisht është kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc dhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Bujanocit.

Përveç aktivitetit politik institucional, ai ka qenë i angazhuar edhe në fushën e të drejtave të njeriut, organizatave rinore dhe nismave qytetare që lidhen me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas burimeve politike, përfshirja e tij në listën e Lëvizjes Vetëvendosje është bërë me mbështetjen dhe bekimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këshilltar i të cilit për çështjet e Luginës së Preshevës është vetë Mustafi.

Në njoftimin e tij, Mustafi e cilësoi këtë kandidim si një nder të madh dhe krenari jetësore, duke falënderuar të gjithë për besimin dhe mbështetjen në rrugëtimin e tij politik.

Në listën e kandidatëve për deputetë, Mustafi është i radhitur me numrin 46.