Ballina Aktuale ARTI NDËRTON URA: TË RINJTË E BUJANOCIT PROMOVOJNË DIALOGUN DHE MIRËKUPTIMIN NDËRKULTUROR

ARTI NDËRTON URA: TË RINJTË E BUJANOCIT PROMOVOJNË DIALOGUN DHE MIRËKUPTIMIN NDËRKULTUROR

SHPËRNDAJE


Sot, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq” në Bujanoc, Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva” organizoi një punëtori ndërkulturore me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme “Sezai Surroi” dhe “Sveti Sava”. Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Urat e Kulturës – Dialogu Ndërkulturor përmes Artit dhe Traditës”, i mbështetur nga Shërbimi i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në këtë ngjarje kulturore, përveç nxënësve dhe profesorëve të dy shkollave, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale, ndër ta përfaqësuesi i Shërbimit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Bjetulla Mustafi, drejtoresha e Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq”, Albena Mustafa, drejtoresha e Bibliotekës “14 Nëntori”, Jelena Simiq, si dhe mysafirë të tjerë.
Drejtuesi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, Sevdail Hyseni, tha se qëllimi kryesor i projektit është forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve shqiptarë, serbë dhe romë në komunën e Bujanocit, duke krijuar hapësira ku ata njihen, bashkëpunojnë dhe mësojnë nga njëri-tjetri.
“Përmes punëtorive kreative, aktiviteteve artistike dhe prezantimit të traditave kulturore, projekti synon të promovojë respektin e ndërsjellë, tolerancën, mirëkuptimin dhe pranimin e diversitetit kulturor si një vlerë të përbashkët të shoqërisë sonë”, u shpreh Hyseni.
Më pas, ligjëruesi Hysen Saqipi, profesor në qendrën e mesme shkollore “Sezai Surroi”, theksoi rëndësinë e dialogut ndërkulturor në një mjedis shumëetnik siç është komuna e Bujanocit.
“Dialogu ndërkulturor nuk është vetëm një nevojë, por edhe një përgjegjësi e përbashkët. Pikërisht të rinjtë janë bartësit e ndryshimeve pozitive dhe ndërtuesit e një të ardhmeje ku dallimet kulturore nuk shihen si pengesë, por si pasuri që na afron dhe na pasuron. Ky projekt u mundëson pjesëmarrësve të krijojnë miqësi të reja, të shkëmbejnë përvoja, të njohin më mirë kulturat e njëri-tjetrit dhe të ndërtojnë ura besimi përmes gjuhës universale të artit dhe kulturës”, theksoi Saqipi.
Në pjesën e dytë të aktivitetit u zhvillua punëtoria me temën “Urat e Kulturës – Dialogu Ndërkulturor përmes Artit dhe Traditës”, ku nxënësit u angazhuan në diskutime dhe aktivitete kreative. Ata ndanë mendimet dhe përvojat e tyre përmes temave dhe pyetjeve si: “Sa të ngjashëm jemi?”, “Kultura ime”, “Bujanoci që duam”, “Urat që na bashkojnë”, “Muzika na bashkon” dhe “Mesazhi për paqe”, duke dëshmuar gatishmërinë për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë.
Në përfundim të aktivitetit, organizatori shtroi një koktej rasti për të gjithë pjesëmarrësit, duke krijuar një atmosferë miqësore dhe duke ofruar një mundësi shtesë për njohje dhe komunikim ndërmjet të rinjve dhe përfaqësuesve të institucioneve./Perspektiva/