Ballina Aktuale Zyrtari amerikan : S’ka vija të kuqe, palët mund të flasin për...

Zyrtari amerikan : S’ka vija të kuqe, palët mund të flasin për kufijtë

SHPËRNDAJE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur edhe një herë kërkesën e tyre që Qeveria e Kosovës ta suspendojë ose ta heqë përkohësisht tarifën e vendosur ndaj mallrave serbe dhe boshnjake në mënyrë që të rinisë procesi i bisedimeve me Serbinë. Express të hënën ka biseduar me një zyrtar të qeverisë amerikane i cili ka sqaruar edhe çështje tjera aktuale si atë se a kërcënuan amerikanët me largim të ushtarëve nga kampi Bondsteel për shkak se Qeveria po refuzon ta heqë taksën, për investimin e administratës së Trumpit në bisedime, për atë se cilat janë vijat e kuqe të Amerikës në negociata, brenda çfarë afati duhet të arrihet marrëveshja, për kërkesën që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe mundësinë që e gjithë kjo situatë ta çojë vendin në zgjedhje.

Amerikanët janë duke zhvilluar një aktivitet të dendur diplomatik në përpjekje për ta bindur Kosovën që të hapë rrugë për të rifilluar bisedimet me palën serbe. Të hënën, nga Shkupi një diplomat amerikan, Philip Reeker, i cili së shpejti do të marrë postin e ndihmësekrearit të shtetit për Europë dhe Eurazi ka bërë thirrje që Kosova ta heq menjëherë tarifën dhe të ulet të bisedoj pa kushte. Këtë qëndrim e kishin bërë të qartë edhe dy zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë të cilët takuan autoritetet kosovare javën që shkoi.

Nga Amerika së shpejti pritet të vijë edhe një vizitor i nivelit të lartë, Nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale i cili do t’i përforcojë këto mesazhe.

Të hënën Gazeta ka biseduar me një zyrtar të qeverisë amerikane i cili duke komentuar refuzimin e Kryeministrit Haradinaj ka kërkuar që tarifa të hiqet përkohësisht në mënyrë që të fillojnë bisedimet. Ai po ashtu ka kërkuar edhe nga Serbia hapa konstruktivë për këtë proces. I pyetur nëse ka ndonjë afat të prerë se kur duhet të merret ky vendim nga Qeveria e Kosovës, zyrtari amerikan ka thënë se nuk ka një të tillë.

“S’ka afat, sa më parë që suspendohet tarifa dhe të fillojë dialogu aq më mirë” ka thënë ai.