Ballina Aktuale Kryeministri Kurti u drejtohet qytetarëve: Pavarësisht kënd e keni votuar unë do...

Kryeministri Kurti u drejtohet qytetarëve: Pavarësisht kënd e keni votuar unë do të dëgjoj zërin tuaj

SHPËRNDAJE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas betimit ka mbajtur edhe një fjalë rasti para deputetëve të cilët kanë votuar për krijimin e institucioneve të reja.

Fjalimin e Kurtit në sallë se kanë dëgjuar deputetët e opozitës të cilët kanë lëshuar sallën para se të hidhej në votim qeveria Kurti.

Kurti ka thënë se me themelimin e kësaj qeverie kanë fituar qytetarët dhe populli.

Kryetari i Qeverisë së Kosovës ka thënë se do të bëjë maksimumin dhe se do të dëgjojë zërin e të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh se kënd e kanë votuar.

Një pjesë nga fjalimi i Kurtit:

Sot kanë fituar qytetarët. Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli. Ne jemi kalimtar e shërbëtor që punojmë në emër të popullit e për popullin. Populli mbetet i përhershëm e ne jemi të zëvendësueshëm.

Unë zotohem këtu para jush që do të jap maksimumin për të mirën e të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.

Pavarësisht kënd e keni votuar unë do të dëgjoj zërin tuaj, sidomos kur nuk pajtohemi. Sot fillon rruga jonë e punës së palodhshme për të sjellë ndryshimin.

Sot mbaron mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe fillon një etapë e re e të bërit qeveri.

Nga sot ka një lidership të ri, që i konsideron aleatë ata që tregojnë zero tolerancë ndaj korrupsionit.

Le t’i mbajmë pushtetet e ndara në një shtet të përbashkët.

Populli na ka zgjedhur të punojmë për interesat e tyre dhe jo për interesa personale a grupore.

Ata që na njohin, u themi që do të fuqizojmë partneritetin. Ata që hezitojnë të na njohin u themi që do të punojmë ta marrim njohjen tuaj.

Ata që synojnë ta na ndajnë e mohojnë, u them që Kosova ka një kryeministër të ri dhe që ajo kohë ka mbaruar. Ne synojmë bashkërisht anëtarësimin në BE dhe NATO, e kultivim të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga sot do të flasim më pak e do të punojmë shumë më shumë.