Gjatë ditës së sotme në xhirollogarinë e komunës së Bujanocit ka arritur transferi financiar prej 200.000 eurove nga Republika e Kosovës. Kjo shumë parash do të shfrytëzohet për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit që kapluan teritorin e komunës së Bujanocit.
Ju kujtojmë, që pas vërshimeve në muajin Janar, shumë rrugë, ura, shtretër lumenjsh edhe ekonomi familjare pësuan dëme materiale, me ç’rast kryetari i komunës së Bujanocit më datë 29.01.2021 iu ka drejtuar kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës me një kërkesë për t’i dalë në ndihmë komunës së Bujanocit.
Në anën tjetër, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur më 03.02.2021 ka aprovuar Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 200.000 eurove për sanimin e dëmeve nga vërshimet në komunën e Bujanocit.
Kurse, sot, në njoftimin nga Ministria e Financave të Republikës së Serbisë drejtuar komunës së Bujanocit është bërë e ditur për tranaferin me sukses të 200.000 eurove në xhirollogarinë e komunës së Bujanocit.
Me këtë rast, kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka falemnderuar të gjithë akterët e realizimit të kësaj ndihme, duke filluar nga kryeministri në detyrë z.Hoti, deputeti Faton Bislimi dhe drejtori i Thesarit të Kosovës Ahmet Ismajli.