Ballina Aktuale Zanatet e vjetra në jugun e Serbisë bashkojnë komunitete – një mbrëmje...

Zanatet e vjetra në jugun e Serbisë bashkojnë komunitete – një mbrëmje kulturore e larmishme në shenjë bashkëpunimi dhe trashëgimie

SHPËRNDAJE

Mbrëmja e djeshme në jugun e Serbisë u shënua nga një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore dhe sociale: prezantimi i projektit “Zanatet e vjetra në jugun e Serbisë”, një iniciativë që jo vetëm që promovon trashëgiminë kulturore, por edhe afron komunitete të ndryshme etnike në frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

Nën organizimin e Qendrës B, me përkrahjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe dialogut shoqërir, projekti solli së bashku qytetarë nga tri nacionalitete të ndryshme – serbë, romë dhe shqiptarë – të cilët ndanë një hapësirë të përbashkët për të prezantuar dhe festuar zanatet tradicionale që për dekada kanë qenë pjesë e identitetit të kësaj treve.

Ngjarja përfshiu një ekspozitë të pasur me prezantime nga mjeshtër të vjetër të zanateve, si dhe biseda të hapura rreth rëndësisë së ruajtjes së këtyre vlerave në një kohë kur ato po rrezikojnë të zhduken. Përmes imazheve, dokumentarëve të shkurtër dhe tregimeve personale, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me trashëgiminë kulturore të fqinjëve të tyre dhe të kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkomunitar.

Qendra B, si një organizatë e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve dhe ruajtjen e identitetit kulturor, theksoi se qëllimi i këtij projekti është të rikthejë vëmendjen te vlerat që na bashkojnë – puna, kreativiteti dhe trashëgimia.

Ky aktivitet u mirëprit gjerësisht nga qytetarët dhe përfaqësuesit lokalë, duke dëshmuar se përmes kulturës dhe trashëgimisë, mund të ndërtohen ura mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë në mesin e dallimeve etnike.