Ballina Aktuale Delegacioni i grave nga Bujanoci pjesëmarrës në forumin për Gratë, Paqen...

Delegacioni i grave nga Bujanoci pjesëmarrës në forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

SHPËRNDAJE

Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, një delegacion i grave nga Komuna e Bujanocit, i kryesuar nga shefja e kabinetit të kryetarit të komunës, Albulena Osmani, po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

Ky forum, i cili është organizuar nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, ka filluar me pritjen zyrtare të të ftuarve dhe pritet të sjellë mbi 30 panele diskutimi me më shumë se 150 folës nga mbi 45 shtete të botës, përfshirë presidentë, ministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe aktivistë të shquar.

Pjesëmarrja e përfaqësueseve nga Bujanoci në këtë ngjarje të rëndësishme është një dëshmi e përkushtimit të komunës për avancimin e rolit të grave në shoqëri, si dhe një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të zërit të grave në procese vendimmarrëse dhe në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në nivel lokal e rajonal.

Përmes këtij forumi, Kosova rikonfirmon angazhimin e saj për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, duke u shndërruar në një shembull të mirë për gjithë rajonin në nismat që promovojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen aktive të grave në jetën publike dhe politike.