Takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian🇪🇺 në Serbi, SH.T. Emanuele Giaufret
Sonte pata kënaqësinë të marr pjesë në një darkë pune me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Serbi, Shkëlqesinë e Tij Emanuele Giaufret.
Gjatë bashkëbisedimit tonë, diskutuam gjerësisht për sfidat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballen përpjekjet tona për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Theksova se Bashkimi Evropian dhe vlerat perëndimore mbeten opsioni i vetëm dhe aspirata strategjike e shqiptarëve të Luginës dhe se procesi i integrimit të Serbisë në BE duhet të kalojë përmes respektimit dhe avancimit të të drejtave të pakicave kombëtare.
Informova Ambasadorin për ngecjen e vazhdueshme në zbatimin e Planit 7- pikësh, si dhe për mbylljen e dyerve të institucioneve shtetërore për integrimin e shqiptarëve.
Vura në dukje neglizhencën sistematike të shtetit ndaj përfshirjes së shqiptarëve në institucionet publike, veçanërisht në polici, dhe ngrita shqetësimin për vazhdimin e praktikës së pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
Këto janë fenomene që cenojnë të drejtat elementare të qytetarëve tonë, prandaj asistenca ndërkombëtare për evitimin e këtyre problemeve dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve është e domosdoshme.
Në fund faleminderova ambasadorin për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe i dëshirova mirëseardhje në vizitën e tij të radhës në Luginë të Preshevës!
