
Bujanoc, 2 korrik – Partia Demokratike ka shënuar sot 15-vjetorin e themelimit, duke e cilësuar këtë datë si një moment të rëndësishëm në historinë e saj politike dhe në përfaqësimin e shqiptarëve në komunën e Bujanocit.
Në mesazhin e publikuar me rastin e këtij përvjetori, kryetari i Partisë Demokratike rikujton se subjekti u themelua më 2 korrik 2011, pas një procesi konsultimesh me qytetarë, intelektualë, të rinj dhe aktivistë, me synimin për të krijuar një alternativë politike që do të mbronte interesat e qytetarëve dhe do të promovonte zhvillimin, barazinë dhe përfaqësimin institucional të shqiptarëve.
Sipas tij, rruga e Partisë Demokratike nuk ka qenë e lehtë, pasi që nga themelimi është përballur me sfida të shumta politike dhe organizative. Megjithatë, falë angazhimit të anëtarëve dhe mbështetësve, partia ka arritur të ndërtojë një organizim të qëndrueshëm dhe një vizion të qartë politik.
Në deklaratë thuhet se gjatë 15 viteve të veprimtarisë së saj, Partia Demokratike ka dhënë kontribut të rëndësishëm në jetën politike dhe institucionale të komunës së Bujanocit, duke u angazhuar në përmirësimin e arsimit, bujqësisë, zhvillimit ekonomik, infrastrukturës, transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve.
Duke rikujtuar periudhat e qeverisjes, kryetari veçoi disa nga projektet e realizuara gjatë mandatit 2012–2016, si ndërtimin e rrugës Tërnoc–Breznicë, ndërtimin e objektit të Fakultetit Ekonomik, rregullimin e shtratit të lumit në Tërnoc dhe renovimin e sheshit të qytetit.
Po ashtu, ai theksoi se edhe gjatë mandatit 2020–2024, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia, janë realizuar investime të rëndësishme në infrastrukturë, ndërsa janë mbështetur bujqit, afaristët dhe studentët. Si projekte kryesore u përmendën asfaltimi i rrugës Muhoc–Zarbincë, asfaltimi i rrugës qarkore Bilaç–Raincë, si dhe rregullimi i trotuarit përgjatë rrugës qarkore Tërnoc–Gjilan.
Në mesazhin e tij, kryetari thekson se, pavarësisht rezultateve të arritura, sfida si papunësia, diskriminimi institucional, emigrimi i të rinjve dhe mungesa e investimeve vazhdojnë të mbeten prioritete që kërkojnë angazhim të përbashkët.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për bashkëthemeluesit, aktivistët, anëtarët, të rinjtë dhe qytetarët që kanë kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e Partisë Demokratike gjatë këtyre 15 viteve, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment reflektimi dhe mobilizimi për sfidat dhe objektivat e së ardhmes.






