Ballina Aktuale Kur sporti ndërton ura: Të rinjtë e Bujanocit dhe migrantët në një...

Kur sporti ndërton ura: Të rinjtë e Bujanocit dhe migrantët në një fushë të përbashkët

SHPËRNDAJE

Në stadiumin e qytetit në Bujanoc u mbajt Turneu i Miqësisë, i organizuar me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, i cili mblodhi së bashku të rinj nga Qendra Pritëse në Bujanoc dhe lojtarë të klubit lokal BSK.

Më shumë sesa një aktivitet sportiv, kjo ishte një ndeshje miqësore që përcolli një mesazh të qartë: pavarësisht rezultatit, në fund të gjithë jemi të barabartë.

Ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë ngjarje sportive ishte prania e Miguel La Plante, zëvendësambasador i Konfederatës Zvicerane në Beograd, i shoqëruar nga përfaqësues të UNHCR-së.

Me këtë rast, patëm mundësinë të zhvillojmë një intervistë të shkurtër me të, të cilën e sjellim në vijim.

Çfarë aktivitetesh po mbështet Zvicra në Bujanoc dhe pse janë të rëndësishme?

Zvicra po mbështet dy projekte të rëndësishme në Bujanoc që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për njerëzit në komunitetin lokal.

I pari fokusohet në qendrën lokale të pritjes, ku migrantët qëndrojnë përkohësisht. Së bashku me autoritetet serbe, OKB-në dhe organizatat lokale, programi ofron punëtori mbi rreziqet e migrimit të parregullt – përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandimin e migrantëve. Paralelisht, organizohen aktivitete sociale për t’i ndihmuar njerëzit të krijojnë një ndjenjë normaliteti gjatë një periudhe shumë të vështirë, duke krijuar mundësi reale që migrantët dhe banorët lokalë të takohen dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.

Projekti i dytë ofron banim social për familjet e zhvendosura nga Kosova. Këta janë njerëz në një situatë shumë të ndjeshme, dhe të pasurit e një shtëpie të qëndrueshme bën një ndryshim të madh – u jep stabilitet dhe mundësi për të rindërtuar jetën e tyre.

Të dy projektet zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me organizatat lokale dhe kontribuojnë në ndërtimin e besimit dhe stabilitetit në komunitetin më të gjerë në Bujanoc.

Sa të rëndësishme janë aktivitetet si sporti?

Sporti ka një fuqi të veçantë për të bashkuar njerëzit.

Në Bujanoc, të rinj migrantë nga Lindja e Mesme marrin pjesë në stërvitje futbolli dhe luajnë së bashku me të rinj nga komunitetet serbe, shqiptare dhe rome.

Këto aktivitete krijojnë një hapësirë ku njerëzit me prejardhje të ndryshme mund të takohen dhe të lidhen me njëri-tjetrin, gjë që ndihmon në ndërtimin e miqësive dhe mirëkuptimit të ndërsjellë – diçka shumë e rëndësishme në një komunitet multietnik si Bujanoci.

Pse është e rëndësishme bashkëpunimi me UNHCR-in, institucionet lokale dhe shoqërinë civile?

Menaxhimi i migracionit është një detyrë komplekse dhe kërkon bashkëpunimin e shumë aktorëve.

Në Bujanoc, kjo shihet përmes bashkëpunimit të mirë ndërmjet autoriteteve kombëtare dhe lokale, OKB-së dhe shoqërisë civile.

Autoritetet lokale janë veçanërisht të rëndësishme sepse ato janë pika e parë e kontaktit për migrantët. Ato janë përgjegjëse për shërbime si strehimi, kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

UNHCR kontribuon duke sjellë përvojën e saj ndërkombëtare dhe duke siguruar që të drejtat e refugjatëve të respektohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, organizatat lokale të shoqërisë civile luajnë një rol kyç në terren duke ndihmuar migrantët të përshtaten me mjedisin e ri dhe duke ofruar këshilla praktike dhe mbështetje.