Në Komunën e Preshevës pritëm në një vizitë vëllazërore zv. Kryeministrin e Parë të RMV-së, z. Izet Mexhiti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij: znj. Miqereme Rusi – këshilltare për arsim, z. Astrit Iseni – zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe znj. Feride Haxhiu – deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Bashkëbisedimi ynë u fokusua në rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimin ekonomik të zonës, me theks të veçantë në përfshirjen e investitorëve nga Maqedonia e Veriut në Zonën Industriale të Preshevës, si dhe në mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta përmes fondeve ndërkombëtare.
Diskutuam gjithashtu për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc–Llojan, si një hap strategjik që do të lehtësonte qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe do të sillte përfitime konkrete për qytetarët tanë.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe arsimimi universitar i të rinjve nga Lugina e Preshevës, ku u diskutuan mundësitë për mbështetje me bursa dhe akomodim për studentët që ndjekin studimet në Maqedoninë e Veriut.
Kjo vizitë vëllazërore rikonfirmon vullnetin e përbashkët për bashkëpunim afatgjatë dhe përkushtimin për zhvillimin e ndërsjellë të zonave tona.






