Ballina BOTA Izraeli vret edhe një adoleshent palestinez, 20 mijë njerëz protestojnë në Gaza

Izraeli vret edhe një adoleshent palestinez, 20 mijë njerëz protestojnë në Gaza

SHPËRNDAJE

Mijëra palestinezë kanë marshuar përgjatë kufirit mes Gazas dhe Izraelit të shtunën për ta shënuar përvjetorin e parë të protestave masive. Ata janë përleshur me forcat izraelite të sigurisë.

Ushtarët izraelitë kanë hedhur gaz lotsjellës matanë kufirit, ndërsa zyrtarët e këtij shteti kanë thënë se rreth 20 mijë protestues kanë hedhur gurë, granata dhe goma të djegura drejt forcave të sigurisë.

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës ka thënë se forcat izraelite e kanë vrarë në protestë adoleshentin 17-vjeçar, Adham Amara. Përndryshe, një adoleshent tjetër, Mohammed Sa’ad, u vra në orët e para të së shtunës para se të fillonte protesta.

Përleshjet mes trupave izraelite dhe civilëve palestinezë janë shtuar gjatë kësaj jave. Në një sulm me raketë nga Gaza u plagosën shtatë ushtarë izraelitë. Si kundërpërgjigje ndaj këtij sulmi, Izraeli kreu disa sulme me raketa dhe e vendosi ushtrinë në kufi.

Protestat në këtë zonë kanë qenë të përgjakshme viteve të fundit, ndonëse ndërmjetësuesit egjiptianë po bëjnë përpjekje që një gjë e tillë të parandalohet dhe të lehtësohen kufizimet e Izraelit në Gaza.

Protestuesit po kërkojnë që Izraeli ta largojë një rrethojë të sigurisë dhe që palestinezët ta kenë të drejtën për t’u kthyer në tokën nga e cila janë zhvendosur në vitin 1948. Izraeli po e kundërshton këtë kërkesë me arsyetimin se kjo do ta eliminonte shumicën hebreje, shkruan “Reuters”,