Është publikuar me videoklip kënga ‘Ktheju tokës’ nga Jonida Maliqi.
Mbrëmjen e djeshme Jonida Maliqi ka publikuar videoklipin e këngës “Ktheju Tokës”, që do të jetë projekti përfaqësues i Shqipërisë në Eurovizion-in e këtij viti.
Ashtu siç vetë këngëtarja kishte lajmëruar, videoklipi është në një linjë me muzikën e këngës dhe tekstin, pra e diçkaje tërësisht etnike dhe që i bën thirrje jo vetëm shqiptarëve që të kthehen në vendin e tyre, por edhe është si një klithmë për mbarë fenomenin e emigracionit me të cilin po përballet Europa.
Kështu shkruan dhe Jonida në përshkrimin e videoklipit në Instagram: “ Ktheju Tokes, eshte nje thirrje e kenduar fuqishem nga Jonida Maliqi qe sebashku me videoklipin e realizuar nga Triangle Media Group u drejtohet tashme jo vetem shqiptareve, por vjen njeheresh si nje klithem per mbare fenomenin e emigracionit me te cilin po perballet aktualisht mbare Europa. Gjithesesi, ky videoklip eshte vetem paranteza e performances se Shqiperise ne Eurovision, te cilen e ruajme ende si surprizen e radhes.”
Në videoklipin e ”Ktheju Tokës” mund të vëmë re disa detaje. Si për shembull përdorimin e 4 elementëve: toka, uji, zjarri dhe sigurisht ajri. Mund të shohim fëmijët që vrapojnë larg “folesë”, pra shtëpisë së tyre që digjet, gjë që me siguri simbolizon emigrimin.
E gjithashtu mund të shohim një fole shqiponje të mbushur me njerëz që presin të ushqehen e të rriten dhe në fund Jonida që zëvendësohet pikërisht me një shqiponjë.
Gjithashtu në fund të video-s por edhe në përshkrimin e Jonidës, bëhet me dije se e gjithë kjo nuk është veçse një parantezë e performancës së Shqipërisë në Eurovizion, që ende po ruhet si surprizë.