Ballina Aktuale Shkak Ligji për fetë, protestuesit në Mal të Zi përleshen me policinë

Shkak Ligji për fetë, protestuesit në Mal të Zi përleshen me policinë

SHPËRNDAJE

Policia e Malit të Zi përdori gazin lotsjellës vonë të dielën për të shpërndarë dhjetëra mbështetës të Kishës Ortodokse Serbe që ishin duke protestuar ndaj një ligji të ri për bashkësitë fetare.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, protestuesit në Zeta, jashtë kryeqytetit, Podgorica, sulmuan policinë me gurë, duke plagosur katër, dhe përdorën drunj për të bllokuar shkurtimisht rrugën që të çon në aeroportin kryesor të Malit të Zi.

Në qendër të qytetit, policia përdori gjithashtu gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë të mbledhur pranë katedrales ortodokse. Protestat përfunduan pa incidente në tre qytete të tjera.

Tubimet erdhën pasi Këshilli i Kishës Ortodokse Serbe, lëshoi një deklaratë duke u kërkuar besimtarëve “të mblidhen në tempuj për t’u lutur … dhe të tregojnë se ne nuk do të tundemi para regjimit malazez”.

Ndërkohë, në një deklaratë, policia malazeze akuzoi kishën për nxitje të dhunës.

“Deklaratat po çojnë në pengesa të rendit publik dhe plagosjen e oficerëve të policisë”, thuhet në deklaratë.

Sipas Ligjit, të miratuar të premten, bashkësitë fetare duhet të provojnë se kishin pronat para vitit 1918, kur Mbretëria e Malit të Zi u bashkua me Mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, paraardhësin e Jugosllavisë.

Nëse ata nuk mund ta vërtetojnë pronësinë, shteti do të marrë përsipër pronësinë mbi pronën e tyre.

Kisha Ortodokse Serbe thotë se shteti malazez dëshiron të kapë pasuritë e tij, diçka që qeveria mohon.