Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Moska deklaroi se nuk ka arsye që të mos njihet Kosova si shtet i pavarur.
Në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, ai tha se dyshja kane diskutuar edhe për çështjen e Kosovës.
“Po kemi diskutuar rreth kësaj çështje dhe siç po e shihni po diskutojmë për këtë edhe me ju publikisht. Jemi shumë larg, sepse pozicionet tona janë shumë të qarta. Mendoj se është mire që të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë, që ta njohin Kosovën ashtu siç është. Natyrisht kjo nuk përjashton të kundërtën, ne do ta mbështesim gjatë gjithë rrugës dialogun, procesin e pajtimit, gjetjen e një pike të përbashkët që ta bëjmë të mundur këtë njohje”.
Kryeministri shqiptar thekson se mosnjohja është parim i gabuar dhe se është nismë qe nuk premton progres.
Ai gjithashtu komentoi qëndrimin e Lavrov, i cili ka pohuar se shumë marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk janë realizuar.
“Është e vërtet ajo çka tha ministri që ka shumë aspekte të dialogut, shumë marrëveshje nuk kanë parë dritën e realitetit në aspektin e implementimit. Ia shpjegova ministrit ku duhet ta ristartojmë procesin, sepse kur vjen puna tek marrëveshjet mendoj se palët hedhin fajin tek njëra-tjetra. Por, nuk dua të hy aty duke thënë që pala serbe nuk ka përmbushur marrëveshjet, sepse nuk ndihmon”.
“Vullneti i popullit nuk mund të jetë standard i dyfishtë kur vjen puna tek njohja, apo ajo që vullneti i njerëzve sjell për popullsinë, për një popullatë si ajo e shqiptarëve në Kosovë, që besonin se nuk deshën të qëndronin nën sundimin e një shteti, në thelb diktatorial. Kështu që nuk shoh se pse të tjerët kanë të drejtë ta kenë shtetin e tyre dhe Kosova jo”.
Rama po qëndron në Moskë në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së me ç’rast zhvilloi takim me Lavrov, ku u diskutua me theks të veçantë për konfliktin në Ukrainë.