Në seancën e djeshme të Këshillit komunal është aprovuar kërkesa e K.F.”Tërnocit” për ndihmë financiare.
Duke u nisur nga fakti se këtë vit komuna e Bujanocit nuk ka ndarë mjete financiare për klubet sportive, por ka paguar obligime të vitit 2019, dhe se rezultatet e K.F.”Tërnocit” janë për t’u admiruar, e që si rrjedhojë janë shpallur kampion vjeshtor në Ligën e Pçinjës, kryetari i komunës së Bujanocit përmes Këshillit komunal ka aprovuar kërkesën për ndihmë financiare të K.F.”Tërnocit”, dhe kështu ka ndihmuar klubin me 300.000 dinarë.
K.F.”Tërnoci” është klubi më masovik në nivel komune dhe në mënyrë direkte në aktivitete janë të kyçur rreth 120 të rinj.
Nga garat e zhvilluara me ekipin e seniorëve, pionierëve, fatosave, klubi ka bartur një barrë të rëndë financiare, në rradhë të parë në shpenzimet e udhëtimeve, por edhe në shpenzimet tjera që përkojnë me mbarëvajtjen e garave. ( ushqim, pije freskuese, honoraret delegatëve, referëve, etj).
Poashtu, gjatë sezonit vjeshtor, edhe fusha ka pësuar dëmtime si rrjedhojë e zhvillimit të dhjetëra ndeshjeve, kështu që ndihma e komunës së Bujanocit ka qenë nevojë e patjetërsueshme.