Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij në Samitin e dytë të Diasporës që po mbahet në Tiranë, tha se organizimi i ndonjë konference me Rusinë, shkëmbimi i territoreve, ndarja e vendit dhe ideja e Unionit Ballkanik kurrë nuk do të ndodhin.
Pasi falënderoi diasporën për mbështetje në proceset në të cilat ka kaluar vendi, Thaçi tha se Kosova nuk ka vetëm miq e partnerë, por ka edhe kundërshtarë të pavarësisë që e ngadalësojnë progresin e konsolidimit të vendit, transmeton ksp.
Thaçi u shpreh Kosova është në një rrugë të sigurt të perspektives euro-atlatnike pas themelimit të Ushtrisë së Kosovës, e cila përsëriti se do të jetë ushtri multietnike dhe e paqes.
“Nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë organizimin e ndonjë konference ndërkombëtare ku participon edhe Rusia. Kosova do të angazhohet vetëm në një proces ku udhëhiqet nga BE dhe ka mbështetjen e SHBA. Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do lejojmë as të qarkullojë idetë për Union Ballkanik, pasi është cenim i kombit tonë, i vlerës euroatlantike dhe është rikthim për kombin tonë. Unioni ynë është ai i Bashkimit Evropën, NATO dhe miqësia me SHBA-të”, deklaroi Thaçi.
Ai tha se edhe shkëmbimi i territorit apo ndarja e Kosovës nuk do të ndodhin asnjëherë.
“Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë. Shkëmbimi është pazar dhe nuk do të lejojmë të bëj pazare me territore. Ndarja e Kosovës pa shkelur mbi trupin tim nuk do të mund të cenojë as një milimetër të territorit të Kosovës. Askush nuk do të mund të cenojë Trepçën, Ujmanin, as edhe një pjesë të territorit të Kosovës”, vijoi Thaçi.
Presidenti i Kosovës pranoi se është pro korrigjimit të kufijve, pasi kërkon të realizojë aspiratat legjitime Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për bashkëngjitje me Kosovën pa u cenuar territori i vendit tonë.
Thaçi më pas foli edhe për raportet mes Kosovës e miqve ndërkombëtare.
“Nuk do të lejojmë për asnjë çmim që asnjë broçkull të politikës elektorale ditore të cenojë raportin e posaçëm dhe të përjetshëm me hisedarët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Thaçi.