Ballina Aktuale Isufi pas fitores ndaj kroatit Mishiq, synon luftë për ndonjë titull të...

Isufi pas fitores ndaj kroatit Mishiq, synon luftë për ndonjë titull të madh

SHPËRNDAJE

Boksieri shqiptar Shefat Isufi të shtunën mbrëma është ngjitur në ring pas një pushimi të gjatë. Ai në Wiesbaden të Gjermanisë mposhti kroatin nga Bosnja, Boshko Mishiq, me nokaut teknik në raundin e tretë.

Lufta ishte e vlefshme për titullin e përkohshëm Internacional të Gjermanisë në peshën gjysmë të rëndë. Isufi e rrëzoi Mishiqin disa herë, para se trajneri i kroatit ta dorëzonte meçin.

Për Shefat Isufin 30-vjeçar ishte meçi i parë që nga dhjetori i vitit të kaluar. Ai ishte paraparë të boksonte në Zvicër në prill, por mbrëmja ishte anuluar për shkak të pandemisë COVID-19.

Mbrëmja në Wiesbaden ishte ndër të rrallat në Evropë që është zhvilluar me shikues. Të pranishëm ishin rreth 250 shikues.

“Meçi ka shkuar shumë mirë, pa lëndime. Ka shkuar ashtu siç kemi planifikuar me trajnerin tim. Ndonëse kam pushuar gjatë, unë kam qenë vazhdimisht në stërvitje. Natyrisht se më ka munguar ringu dhe kjo është edhe arsyeja pse jam ngjitur në ring më me emocione se në përballjet tjera”, ka thënë Isufi për “KOHËN”. “Kishte rreth 250 shikues, normalisht duke iu përmbajtur rregullave, duke mbajtur distancën fizike. Por, nuk ka munguar atmosfera. Pas kësaj fitore shpresoj që së shpejti të boksoj për një titull me peshë dhe të ngrihem në renditje botërore. Ende nuk e di se kur do të jetë meçi i radhës, por shpresoj sa më shpejt. Qëllim kam të luftoj edhe një herë për titull bote”.

Isufi në boksin profesionist ka bilanc prej 30 fitore (22 KO), katër humbje e dy barazime. Për Mishiqin ishte humbja e 13-të karshi 20 fitoreve.

Ai në maj të vitit të kaluar boksoi për titull bote, në peshën super të mesme, në versionin WBO. Pësoi me vendim unanim pas 12 raundeve në Britani nga ylli britanik Billy Joe Saunders.

Meçin kryesor në mbrëmjen në Wiesbaden e pati shqiptari tjetër, Arben Shemallari. Shemallari triumfoi me vendim unanim pas tetë raundeve ndaj hungarezit Istvan Zeller, në duelin për titullin e Evropës në versionin UBF.