Ballina Aktuale Kush përfitoi nga seanca e djeshme e Kuvendit Komunal të Preshevës

Kush përfitoi nga seanca e djeshme e Kuvendit Komunal të Preshevës

SHPËRNDAJE

Pas dorëheqjes së njëanshme të Grupit qytetar LR PDSH nga pozita e kryetarit të Kuvendit të komunës së Preshevës dhe prishjes së koalicionit me APN në këtë periudhë pandemie, dy subjektet politike opozitare PDSH dhe PVD, me qëllim të rikthimit të tyre në pushtet edhe për 15 muajt e mbetur deri në zgjedhjet e rregullta lokale në Preshevë, këtyre ditëve nënshkruan një marrëveshje koalicionare për të qeverisur me pushtetin lokal në Preshevë.

Për këtë gjë ishte thirrur seanca e jashtëzakonshme për mocion ndaj kryetarit të komunës Shqiprim Arifi, për të zëvendësuar me pretendentin nga subjekti më i vogël Sami Salihu, i ka ka vetëm tre këshilltarë në Kuvend. Pakënaqësitë dhe fërkimet u vërejtën qysh me paralajmërimin e mbajtjes së seancës, pasi që në fillim u konsiderua si koalicion joparimor dhe pa perspektivë të qartë për qytetarët e kësaj komune, ku një këshilltar haptas është prononcuar në rrjetet sociale që nuk e jep votën e tij për Ragmi Mustafën e Sami Salihun.

Kjo pakënaqësi u vërejt dhe vazhdoi të reflektohej edhe me rastin e mbajtjes së seancës, ku pati përsëritje të votimeve me rastin e zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendës kryetarit të Kuvendit, si dhe pati abstenim me rastin e shkarkimit të kryetarit aktual të komunës Shqiprim Arifi.

Me këtë rast, pretenduesi për postin e kryetarit të komunës nuk arriti të shkarkojë paraardhësin e tij, duke u shfaqur një pakënaqësi e mosbesim ndaj subjekteve PDSH e PVD, me të cilat ditë më parë nënshkruan marrëveshjen e koalicionit.

Si rezultat e seancës së djeshme, PDSH doli fituese pasi përfitoi dy pozitat kryesore të Kuvendit dhe iu hakmor Sami Salihut për ndarjen e këtij subjekti më 2017-tën duke i marrë me vete 8 këshilltarë dhe formuar Grupin qytetar LR PDSH. Siç duket, humbësi më i madh ishte kryetari i LR PDSH Sami Salihu, i cili e filloi gjithë këtë sfidë, edhe pse në kohë pandemie, duke humbur pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe duke mbetur as pa pozitën e këshilltarit.

Se a iu kanë dashur Preshevës gjithë këto manovra politike në këtë kohë pandemie, u mbetet preshevarëve të vlerësojnë veprimet e klasës së tyre politike dhe të zgjedhin se cili subjekt po punon më tepër në të mirë të tyre.