Milot Rashica është i gatshëm të japë maksimumin e tij për Kosovën në cilëndo pozitë në fushë që ia kërkon trajneri.
Anësori i Werder Bremenit foli të martën në një konferencë për media para ndeshjes miqësore të Kosovës kundër Danimarkës, e përcaktuar të luhet të enjten në “Fadil Vokrri”, duke e vlerësuar atë si ndeshje shumë të rëndësishme për “Dardanët” për ta parë se ku qëndrojnë ata në raport me Kombëtaret e mëdha.
Rashica u pyet rreth pozitës së tij në Kombëtare dhe asaj në klubin e tij Werder Bremen, në një konferencë në Prishtinë pas stërvitjes me verdhekaltrit.
Ai këmbënguli se nuk ka rëndësi pozita në fushë për të, pasi është i gatshëm të luajë kudo që e cakton Bernard Challandes.
Pozita e parapëlqyer e 22-vjeçarit është anësor i majtë, edhe pse kohëve të fundit ka luajtur si qendër sulmues te klubi gjerman, në ekipin kombëtar zakonisht është aktivizuar si anësor i djathtë.
“Nuk kam folur deri tani më Challandes [për pozitën në fushë]. Jam i gatshëm dhe do ta jap maksimumin pavarësisht pozitës. Dallojnë pozitat me atje [Bremen], jam duke luajtur si qendër sulmues, por taktikat ndryshojnë por unë jam i gatshëm te luaj edhe në tjerat pozita”, tha vushtrriasi.