Ballina Blog Faqe 2

Ragmi Mustafi pjesë e garës për deputet në Parlamentin e Kosovë

Ragmi Mustafi ka njoftuar se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një postimi publik, ai ka bërë të ditur se kandidimi i tij vjen si vazhdim i angazhimit të tij politik dhe qytetar në shërbim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.

Mustafi është një emër i njohur në skenën politike shqiptare në jug të Serbisë. Ai ka qenë kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në mandatin 2018–2022, ndërsa aktualisht është kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc dhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Bujanocit.

Përveç aktivitetit politik institucional, ai ka qenë i angazhuar edhe në fushën e të drejtave të njeriut, organizatave rinore dhe nismave qytetare që lidhen me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas burimeve politike, përfshirja e tij në listën e Lëvizjes Vetëvendosje është bërë me mbështetjen dhe bekimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këshilltar i të cilit për çështjet e Luginës së Preshevës është vetë Mustafi.

Në njoftimin e tij, Mustafi e cilësoi këtë kandidim si një nder të madh dhe krenari jetësore, duke falënderuar të gjithë për besimin dhe mbështetjen në rrugëtimin e tij politik.

Në listën e kandidatëve për deputetë, Mustafi është i radhitur me numrin 46.

Kryetari Pajaziti ka pritur në takim përfaqësuesit e UNHCR-së Serbi

Sot pata kënaqësinë të takohem sërish me përfaqësuesin e UNHCR-së në Serbi, z. Soufiane Adjali.

Vazhduam diskutimet për projektet konkrete dhe mundësitë e bashkëpunimit që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Mbështetja dhe partneriteti me organizatat ndërkombëtare mbetet shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Bujanocit dhe Luginës.

Intervenim i përkohshëm në Stacionin Hekurudhor në Preshevë

Është bërë asfaltimi emergjent i vendkalimit mbi hekurudhë tek Stacioni Hekurudhor në Preshevë, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe rritjes së sigurisë për qytetarët.

Ky është një intervenim i përkohshëm, deri në realizimin e vendosjes së gomave mbrojtëse në vendkalim, për të cilën Komuna e Preshevës tashmë ka paraqitur kërkesë pranë institucioneve kompetente.

Përmbyllet projekti inovativ për të rinjtë e Bujanocit, ndahen certifikata për trajnimet në programim

Sot përmbyllëm me sukses një projekt inovativ për të rinjtë e Bujanocit, i cili nisi më 15 dhjetor 2025 dhe sot dha rezultatet e tij konkrete.

Të rinjtë që ndoqën trajnimet në fushën e programimit sot u pajisën me certifikata, si dëshmi e përkushtimit dhe punës së tyre gjatë këtij rrugëtimi.

Ky projekt, i realizuar me mbështetjen e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon dhe nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Serbi, është një shembull i qartë se si investimi në rini sjell zhvillim të qëndrueshëm.

Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja ndërtohet duke fuqizuar të rinjtë me dije dhe aftësi praktike.

Urime të gjithë pjesëmarrësve dhe suksese në hapat e ardhshëm!

Komuna e Bujanocit do të vazhdojë të krijojë mundësi të reja për të rinjtë e saj, thuhet ne postimin e kryetarit të komunës së Bujanocit, Arber Pajaziti.

Kryetari Rexhepi me kërkesë drejtuar Kryeministrit Kurti

Për: Shkëlqesisë së Tij, Kryeministrit të Republikës së Kosovës
z. Albin Kurti

Lënda: Kërkesë për lehtësimin e qarkullimit në pikat Breznicë dhe Dobrosin

I nderuar z. Kryeministër,

Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Bujanocit, dhe duke reflektuar shqetësimet e vazhdueshme të banorëve të zonës kufitare, ju drejtohem lidhur me vështirësitë e theksuara në qarkullimin e qytetarëve.

Konkretisht, pritjet e gjata dhe ngarkesa e shtuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë kanë sjellë pengesa serioze në zhvillimin normal të jetës dhe aktiviteteve të përditshme të banorëve të kësaj ane.

Në këtë kontekst, do të ishte me rëndësi të veçantë shqyrtimi i mundësisë për hapjen apo funksionalizimin e pikave kufitare në Breznicë dhe Dobrosin, si një zgjidhje praktike për lehtësimin e qarkullimit dhe zvogëlimin e ngarkesës në pikat ekzistuese.

Duke shprehur mbështetjen tonë për përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e shtetësisë dhe funksionimit institucional, njëkohësisht ju lutemi të merrni në konsideratë ndikimin e këtyre masave mbi qytetarët shqiptarë të Komunës së Bujanocit, të cilët përballen drejtpërdrejt me pasojat e tyre.

Duke shpresuar në mirëkuptimin dhe vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje, mbetemi në pritje të një zgjidhjeje të favorshme dhe në frymë mirëkuptimi të ndërsjellë.

Me respekt,

Driton Rexhepi
Kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit

Një marrëveshje që hap dyer të reja për studentët nga Bujanoci

Sot në Shkup nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me International Balkan University

Gjatë vizitës patëm rastin të shohim nga afër kushtet e jashtëzakonshme që ofron ky universitet. Infrastrukturë moderne, ambiente funksionale dhe një qasje serioze ndaj arsimit, që krijojnë standarde shumë të larta për studentët. International Balkan University është shembull se si duhet të duket një institucion i arsimit të lartë.

Në takim isha së bashku me bashkëpunëtorët e mi, Kastriotin dhe Selaminë. Bisedat ishin të hapura dhe konkrete, me fokus në bashkëpunim real dhe projekte që do të sjellin përfitime direkte për studentët nga Komuna e Bujanocit.

Kjo marrëveshje nuk është vetëm formale. Ajo hap rrugë për bashkëpunim në arsim, projekte të përbashkëta, shkëmbime akademike dhe mbështetje për të rinjtë tanë që duan të investojnë në dije dhe të ardhme më të mirë. -Thuhet ne postimin e keyetarit Arbër Pajaziti.

Nderohet veprimtaria e Jonuz Musliut

Kryetari i Kuvendit Komunal, Driton Rexhepi, ka pritur sot familjen Musliu, me ç’rast ka ndarë një Certifikatë Mirënjohjeje (post mortem) për veprimtarin e shquar Jonuz Musliu.

Me këtë akt simbolik, Rexhepi ka shprehur mirënjohjen e thellë dhe respektin e veçantë për kontributin e çmuar dhe të pashlyeshëm të Jonuz Musliut në jetën institucionale dhe publike, si dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në përforcimin e funksionimit demokratik të institucioneve.

U theksua se veprimtaria, përkushtimi dhe integriteti i lartë qytetar i Jonuz Musliut kanë lënë gjurmë të qëndrueshme në trashëgiminë institucionale, morale dhe historike, duke e bërë atë një figurë të respektuar dhe të paharruar në jetën shoqërore dhe politike të komunës

FSHF dhe Komunat e Luginës nisin bashkëpunimin historik për zhvillimin e futbollit

Në Tiranë u vu sot themeli i një bashkëpunimi historik ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe komunave të Bujanocit e Preshevës, që synon avancimin e futbollit dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë shqiptarë nga Lugina.

Në takime me presidentin e FSHF-së, z. Armand Duka, kryetari i Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi që e bëjnë Federatën Shqiptare të Futbollit pjesë aktive të jetës sportive në Luginë.

Ky partneritet do të fokusohet në mbështetjen e futbollistëve të rinj, ngritjen e infrastrukturës sportive dhe realizimin e programeve zhvillimore konkrete.

Hapi i parë praktik do të jetë programi “Uniforma ime”, përmes të cilit FSHF do të pajisë futbollistët e rinj në Luginë me veshje sportive dhe topa futbolli.

Në plan afatgjatë, bashkëpunimi parasheh edhe trajnime, përfshirje në garat e organizuara nga FSHF, si dhe përmirësim të kushteve për klubet dhe akademitë lokale.

Z. Pajaziti theksoi se ky bashkëpunim vendos sportin në funksion të bashkëpunimit e mirëkuptimit mes komuniteteve dhe shërben si urë lidhëse midis njerëzve, ndërsa znj. Sinani e cilësoi nënshkrimin e dokumentit si realizim të një ëndrre të kahmotshme të të rinjve të Luginës për t’u bërë pjesë e futbollit shqiptar dhe për të përfaqësuar ngjyrat e kombëtares.

Të dy drejtuesit lokalë shprehën mirënjohje të thellë për presidentin Duka dhe ekipin e FSHF-së për përkushtimin dhe vullnetin për ta zhvilluar futbollin në Luginë, duke e konsideruar këtë marrëveshje si fillimin e një epoke të re për sportin shqiptar në këtë trevë.

Nermine Aliji-Ademi përzgjidhet si Student Ambassador në Brunel University of London

Londër, tetor 2025 – Jurisjta, Nermine Aliji-Ademi është përzgjedhur si Student Ambassador në Brunel University of London.

Ky rol prestigjioz i jep mundësinë asaj të përfaqësojë komunitetin universitar, të mbështesë studentët e tjerë dhe të ndajë përvojën e saj si studente ndërkombëtare në një prej universiteteve më të njohura në Mbretërinë e Bashkuar.

“Jam shumë e lumtur që jam përzgjedhur si Student Ambassador në Brunel University of London. Kjo është një mundësi e veçantë për të përfaqësuar komunitetin e universitetit, për të ndarë përvojën time dhe për të dhënë kontributin tim në jetën universitare,” – u shpreh Nermine Aliji-Ademi

Ajo theksoi se mezi pret të njohë njerëz të rinj, të mësojë nga përvoja të ndryshme dhe të zhvillojë më tej aftësitë e saj profesionale e ndërkulturore.

Përzgjedhja e saj si Student Ambassador përbën një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj akademike dhe profesionale, duke reflektuar angazhimin dhe përkushtimin e saj ndaj edukimit dhe komunitetit.

Simbolet kombëtare mes krenarisë dhe sfidave në Luginë

Shkruan: Nermine Aliji Ademi

Për ata që nuk më njohin, jam Nermine Aliji Ademi, nga Bujanoci, Lugina e Preshevës — në disa raste e quajtur Kosovë Lindore, e në disa raste Serbi Jugore, varësisht nga vendi dhe konteksti.

Kam fituar bursën Chevening nga Ambasada Britanike në Beograd dhe po studioj për International Human Rights Law në Brunel University of London. Dua t’jua shpjegoj përjetimet e mia, dhimbjen shpirtërore dhe ndjenjën e mos-përkatësisë midis tre shteteve, ku nga asnjëri nuk ndjehem e përfaqësuar plotësisht.

Të shtunën që shkoi mora pjesë në Orientation Event për Cheveners 2025/26 në Londër. Ishte një event madhështor me rreth 1400 bursistë nga 140 shtete të botës.

Në këtë event, bursistët inkurajohen të veshin kostume tradicionale dhe të mbajnë flamujt që përfaqësojnë identitetin e tyre. Por unë u ndjeva në një udhëkryq të papërshkruar.

Jam shqiptare nga Bujanoci, Lugina e Preshevës. Nuk kemi një flamur të veçantë si pakicë, dhe përdorimi i flamurit shqiptar shpesh konsiderohet provokim. Në një event ndërkombëtar si ai ku unë isha, ku çdo shtet kishte përfaqësuesit e vet zyrtarë, nuk ishte e mundur të përdorja flamurin e Shqipërisë apo të Kosovës. Ndjeva se nuk i përkas asnjërit shtet.

Kjo ndjenjë e mos-përkatësisë nuk është thjesht një moment: është reflektim i realitetit politik dhe social ku shqiptarët e Luginës shpesh nuk trajtohen si qytetarë me të drejta të barabarta.

Flamuri nuk është thjesht një copë letre; është një mënyrë për t’u parë dhe pranuar. Kur nuk mund ta mbash atë që të përfaqëson ty, ndjenja e përkatësisë dobësohet.

Serbia shpesh na diskriminon, Shqipëria ka pak mundësi praktike për ndihmë, dhe Kosova përballet me sfida të mëdha brenda vendit të saj, duke e bërë të vështirë mbështetjen e shqiptarëve të Luginës. Kjo e bën boshllëkun identitar edhe më të thellë.

Megjithatë, nga kjo përvojë mora diçka pozitive: krijova miqësi me bursistë nga Serbia, Shqipëria dhe Kosova. Miqësitë ndërkombëtare janë mënyra për të ndjerë përkatësinë në një nivel personal, edhe kur ai nivel institucional nuk ekziston.

Në thelb, ajo që përjetova është një “identitet i ndërmjetëm”, një gjendje që shpesh quhet edhe liminality — të jesh mes vendeve, mes identiteteve, pa të ndjerë se përfaqësohesh plotësisht.

Është një ndjesi e dhimbshme, por gjithashtu është një realitet që shpesh lidhet me shqiptarët e Luginës dhe minoritete të tjera që jetojnë në territore të debatueshme.

Do doja shumë që një ditë të kem një simbol personal që të më përfaqësojë mua si shqiptare e Luginës, diçka që të shprehet sigurt dhe me krenari për identitetin tim, pa e humbur lidhjen me flamurin kombëtar shqiptar. Ky simbol do të ishte mënyra ime për të shprehur identitetin tim unik, duke ruajtur krenarinë për historinë dhe kulturën e shqiptarëve të Luginës.