Ballina Blog Faqe 34

Dua Lipa me mesazh urimi për Pavarësinë e Kosovës

Edhe këngëtarja tjetër kosovaro-britanike, Dua Lipa, nuk ka hezituar t’i urojë shqiptarët me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ajo i ka postuar dy fotografi në Instagramin e saj, njëra në mënyrë artistike e përfshinë flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë në një vend, dhe tjetra është një dizajn i krijuar nga kompania e babait të saj Dukagjin Lipa, “Republika Agency”, ku ngërthehen ngjyrat e flamurit tonë me shqiponjën dykrenare.

“12-vjet Pavarësi #njikombnjiflamur,” shkruan në mesazhin e postuar nga këngëtarja.

Nënshkruhet marrëveshja për binjakzimin e komunave nga Shaip Kamberi në Pejë

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi me bashkëpunëtorë po merrë pjesë në shënimin e 12-të vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në qytetin e Pejës

Përveç shënimit të pavarësisë së Kosovës, vizita e kryetarit të Bujanocit në Pejë po i kontribuon edhe thellimit të bashkëpunimit në mes të Komunës së Bujanocit, dhe asaj të Pejës, krahas bashkëpunimit të shkëlqyeshëm 18 vjeçar të qyteteve shqiptare nga trevat e ndryshme, si Bujanoci, Peja, Ulqini, Durrësi dhe Tetova.

“Me kryetarin e Pejës, nënkryetaren e Ulqinit dhe kryetarin e Kuvendit të Tetovës, u nënshkrua nisma për binjakëzimin e komunave tona. Pjesë e kësaj nisme do të bëhet edhe Durrësi dhe Zara (Kroaci) në mënyrë që përfundimisht të institucionalizohet bashkëpunimi tradicional” – ka njoftuar kryetari Kamberi nëpërmjet një postimi në Facebook.

Nga Italia te Luksemburgu/ Shumat që dhanë shtetet për Shqipërinë

Ka nisur seanca e dytë e Konferencës së Donatorëve në Bruksel për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë sa i takon procesit të rindërtimit, si pasojë e tërmetit shkatërrimtar të vitit të shkuar, më 26 nëntor.

Më poshtë do të gjeni listën e shteteve ndihmuese shoqëruar me shumën monetare përkatëse.

Holanda– 3 milionë euro grante

Danimarka– 2.7 milionë euro

Polonia– 2.7 milionë euro

Greqia– 2.5 milionë euro dhe ndërtim i 200 banesave

Gjermania– 11 milionë euro

Suedia– 5.6 milionë euro

Bosnja dhe Hercegovina– 100 mijë marka

Britania e Madhe– 1 milion paund

Kroacia– 1 milion euro

Kosova– 200 mijë euro në formën e granteve

Italia– 65 milionë euro

Lihtenshtajni- 50 mijë euro të tjera për procesin e rindërtimit

Algjeria- 50 mijë euro për procesin e rindërtimit

UNICEF- 500 mijë euro për shkollat

Sllovakia– 250 mijë euro

Austria– 1 milion euro

Franca– 60 milionë euro hua

Sllovenia– 300 mijë euro

Çekia– 9.5 milionë korona çeke

Maqedonia e Veriut– 97 mijë euro

Finlanda– 300 mijë euro

Luksemburgu– 150 mijë euro

Spanja– 25 mijë euro

Bullgaria– 100 mijë euro

Hungaria– 250 mijë euro

Irlanda– 300 mijë euro

Mali i Zi– 500 mijë euro

Serbia– 2 milionë euro grante

Zvicra– 9 milionë euro grante

Katari– 5 milionë dollarë

SH.B.A- 5 milionë dollarë (ndër to 3.9 për familjet që kanë më shumë nevojë, 600 mijë dollarë për Kryqin e Kuq dhe 800 mijë dollarë për monumentet kulturore)

Japonia- 2.5 milionë euro

Azerbajxhani– 500 mijë euro

ndërkohë që BE– 100 milionë euro dhe KE– 15 milionë euro.

Vjosa Osmani: Pavarësia e Kosovës e pakthyeshme

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pavarësia e Kosovës më 17 shkurt është e pakthyeshme, derisa ka bërë thirrje për ruajtje të sovranitetit territorial.

Në seancën solemne të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për arritje të aspiratave të kombit shqiptar.

Osmani kujtoi edhe sakrificën e gjithë atyre që kanë rënç për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, teksa pati edhe një lutje karshi shteteve perëndimore.

“I lusim ata që të qëndrojnë krah nesh në jetësimin e qytetarëve tanë për integrime evropiane dhe euroatlantike”, tha ajo, derisa vlerësoi edhe rolin e gjitha komuniteteve sportive dhe artistike për avancimin e Kosovës.

“Kosova jonë sot është një vend që frymon e lirë. Sukseset e të gjithëve na japin dëshmi se ky vend mund të shkëlqejë. Këta përfaqësues janë sot imazhi jonë”, tha Osmani.

Fjalimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

I nderuar kryeministër Kurti!

Të nderuar Ish presidentë, ish-kryeministra dhe Ish-kryetarë të Kuvendit që sot jeni me ne!

Të nderuar ministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Të nderuara familje Rugova, Jashari, familje të të pagjeturve, familjarë të heronjve, të policëve të rënë në detyrë, veteranë të luftës…

Të nderuar përfaqësues të vendeve mike, të akredituar në vendin tonë!

Të nderuar komandantë të FSK-së e të Policisë së Kosovës,

Përfaqësues të bashkësive fetare në Kosovë, myftiu Ternava, imzot Dodë Gjergji

Të dashur artistë, sportistë, përfaqësues të bizneseve, të shpirtit kreativ të Kosovës;

Të nderuar përfaqësues të medieve;

Të dashur fëmijë të Republikës;

Fort të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

Ndjehem tepër e lumtur që sot, në këtë ditë solemne, gjendem para jush dhe që më është dhënë mundësia e jashtëzakonshme që, nga foltorja e tempullit të demokracisë, Kuvendit të Republikës, t’jua përcjell urimet më të mira me rastin e ditëlindjes së12-tëtë shtetit tonë të dashur, Republikës së Kosovës.

Sot flamuj të vegjël e zemra të mëdha të njerëzve valëviten gjithandej nëpër fshatrat e qytetet e Kosovës. Qytetarë të mirë të këtij vendi ia urojnë njëri-tjetrit përvjetorin dhe luten për Republikën e tyre. Ky është përkushtimi i qindra mijëra të rinjve të cilët janë të vendosur që ta realizojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, ta rrisin e ta zbukurojnë atë, me besim të pathyer në të ardhmen.

Të dashur qytetarë të Republikës!

Sot, Republika jonë është 12-vjeçe. Ajo e ka afërsisht moshën e këtyre 12 fëmijëve, fëmijëve të pavarësisë, të cilët i shihni këtu dhe të cilët ju ftoj t’i nderojmë. Ata kanë lindur me shtetin dhe janë rritur krahas shtetit, të cilin po e ndërtojmë përditë e ngapak, duke u siguruar që Kosova të jetë strehë e sigurt dhe vend ku këta fëmijë do ta jetojnë të tashmen dhe ta ndërtojmë të ardhmen e tyre. Këta fëmijë, sot ndoshta nuk mund ta kuptojnë plotësisht peshën e vendimeve dhe të veprimeve tona politike, por nesër do të mund t`i gjykojnë ato. Brezat e ardhshëm, fëmijët tanë, nuk do të pyesin se cilës parti i kemi takuar, por do të duan ta dinë se cili ishte ko ntributi ynë në bërjen për shtetin. Është përgjegjësi e jona, prandaj, të punojmë me vullnet e përkushtim që atyre t’ua lëmë një Kosovë më të mirë!

Sot Kosova jonë jo vetëm frymon e lirë, por është vend që po e krijon imazhin e ri, duke i ofruar botës vlera të shquara në arte, në kulturë, në sport e në fusha të tjera. Xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, bashkë me trajnerin e tyre, Toni Kukën, e kanë skalitur emrin e Kosovës në qindra piedestale, deri në olimpiadën e Brazilit, duke e lartësuar flamurin e Kosovës aty ku nuk ishte e mundur më herët. Ata na kanë bërë të qajmë nga gëzimi e të buzëqeshim nga lumturia. Ju lus që me duartrokitje t’ua kthejmë nderin që ato ia kanë bërë shtetit të tyre.

Krahas tyre, djelmoshat e kombëtares së Kosovës i kanë ngrohur zemrat tona, por e kanë forcuar edhe identitetin tonë në botë. U duartrokasim fort nga ky tempull dhe i ftojmë të qëndrojnë fort pas nderit që ua jep flamuri i shtetit të tyre.

Artistët janë vlera shpirtërore që ne po na bën të njohur në botë. Nga këngëtaret DuaLipa e Rita Orate tenori Ramë Lahaj e artistja Arta Dobroshi, secili më shumë se tjetri kanë ndikuar që shteti i Kosovës të njihet e të duhet edhe nga popujt e tjerë gjithandej botës. Sot ne e nderojmë veprën e tyre, duke i pasur këtu dy nga ta: Ramën dhe Artën.

Shpirti ndërmarrës e inovativ i këtij populli është shtrirë gjithandej botës. Ai dëshmon cdo ditë se vlerat e rinisë sonë janë të qëndrueshme dhe se vështirësitë nëpër të cilën ka kaluar vendi nuk e kanë shuar etjen për dije. Sot, ne kemi këtu edhe një përfaqësues këtij shpirti ndërmarrës: Mërgim Cahani

Ky shpirt inovativ është shpirti i qytetarit të Republikës, është karakteri i fortë nga i cili priren të rinjtë tanë, vajza e djem punëtorë. Sot këtu e kemi përfaqësuesen e këtij shpirti, Jeta Zagraxha, e cila përfaqëson kreativitetin e mijëra vajzave dhe grave të Kosovës, të cilat po shpërthejnë në botën e teknologjive të reja dhe inovacionit.

Sukseset e studentëve tanë në botë, të cilët në gara ndërkombëtarë lanë pas qindra universitete prestigjioze në botë, na kanë dhënë shpresën se ky vend njëmend mund të bëhet e të shkëlqejë, ashtu siç shkëlqeu ekipi i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, përfaqësuesin e të cilëve, Levik Rashiti, e kemi sot mes nesh. Ai na e shpërfaq imazhin e mijëra studentëve, të cilët janë të etur për dije dhe duan që vendin ta ndërtojnë me dije e urti.

Zonja e zotërinj!

Këta përfaqësues janë imazhi i sotëm i Kosovës sonë. Ai na bën ta ndjehemi krenarë për të sotmen dhe shpresëplotë për të ardhmen. Veçse, ky imazh është i skalitur mbi sakrificën e dhimbjen: këtë e kanë ndjerë mbi shpatullat e tyre fëmijët e policëve dhe ushtarëve të rënë në detyrë. I jemi përjetë mirënjohës veprës së policëve Enver Zymberi, Izet Demaj, Sami Thaci, fëmijët e të cilëve sot i kemi të pranishëm. Sot e nderojmë veprën e tyre dhe të shumë policëve të tjerë të rënë në detyrë.

Oficerët tanë të Ministrisë së Mbrojtjes, me flamurin e Kosovës në krah, sot trajnojnë oficerët ndërkombëtarë të disa prej akademive më prestigjioze në botë, përfshirë atë në Sandhurst e Newest Point, duke lartësuar kështu secilin luftëtar të lirisë që luftoi për këtë vend.

Më lejoni, prandaj, që në këtë ditë të veçante për qytetarët dhe institucionet tona, t’ju ftoj që së bashku t’i kujtojmë bijat e bijtë e këtij vendi, të cilët, të bindur fort se liria është e arritshme, nuk reshtën së punuari për dhejtëvjetësha të tërë për ta jetësuar Republikën tonë; t’i kujtojmë me mallë e respekt gjithë brezat që punuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë e tij; ta kujtojmë para së gjithash ideatorin e projektuesin e pavarësisë së vendit, arkitektin e shtetit të Kosovës, atin themelues, dr. Ibrahim Rugovën, ikonën e përbashkët të lirisë, njeriun e dijeve, liderin shpirtëror të shqiptarëve, i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human; t’i kujtojmë po kështu heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor, komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, familjen Jashari, e cila u sakrifikua për lirinë e vendit, të gjithë dëshmorët e heronjtë, të pagjeturit, martirët e shumtë, përfshirë gra, fëmijë e pleq, si dhe gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre; ta nderojmë gjeneratën e deputetëve të këtij kuvendi, të cilët më 1990 e shpallën Deklaratën e Pavarësisë, aktin themeltar të shtetit të Kosovës dhe, më pas, Kushtetutën e Republikës së Parë, atë të Kaçanikut; si dhe gratë dhe burrat e këtij kuvendi, të cilët në këtë ditë të vitit 2008 e deklaruan botërisht vullnetin tonë për të jetuar të pavarur, duke e shpallur shtetin më të ri europian, dhe neve europianët e vjetër, na rikthyen në shtetarët e rinj.

Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë, të cilëve do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit. Ne sot i lusim ata të qëndrojnë krah nesh në synimet tona të përbashkëta për jetësim të vullnetit të qytetarëve tanë, për integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike, për zhvillim të ekonomisë dhe për prosperim të përgjithshëm të vendit.

U jemi mirënjohës vendeve dhe popujve europianë, me të cilët ne i ndajmë të njëjtat hapësira gjeografike, por edhe të njëjtat vlera. Në veçanti u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit të lirë amerikan, me të cilët ne ruajmë miqësi të hershme dhe të përhershme.

Të dashur qytetarë!

Historia e hershme dhe e re e Kosovës është histori e përpjekjeve për të dëshmuar se qytetarët e këtij vendi e kanë përqafuar në vazhdimësi idenë e lirisë. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ajo ishte hapi vendimtar në konsolidimin e raporteve mes popujve në Ballkan, të cilët duan të jetojnë të lirë, të mosvarmë dhe në paqe me njëri-tjetrin.

Si kryetare e institucionit më të lartë përfaqësues, si e para grua në këtë detyrë, unë shpreh mirënjohjen time ndaj politikanëve të vendit, të cilët po e ndërtojnë ngadalë kulturën politike të bashkëpunimit e të tolerancës, të mirëkuptimit me njëri-tjetrin dhe të përkushtimit ndaj shtetit të tyre.

Kuvendi është institucion përfaqësues i vullnetit të qytetarëve të Republikës dhe, rrjedhimisht, edhe i vullnetit të tyre për zhvillim e mirëqenie. Shumëkush mund të mos besojë në përkushtimin tonë për ta shndërruar vendin në partner të fuqishëm ndërkombëtar dhe në vend me të cilin bijtë e bijat tona do të ndjehen krenarë, por unë jam thellësisht e bindur në këtë synim. Përfaqësuesit tuaj në këtë dhomë e kanë këtë besim. Ata janë të përzgjedhurit tuaj të cilët do të kujdesen që vullneti juaj të realizohet, që Kosova të jetë vend i qytetarëve të saj, që dallimet mes nesh në pikëpamje politike, kulturore a religjioze të jenë shtysë për kohezion nacional, që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta, që qëndrimet e ndryshme, edhe në këtë kuvend, ta nxisin kultivimin e mëtejmë të frymës së demokracisë. Ne jemi shtet europian, qytetarë të botës, pjesë e diversitetit kulturor perëndimor, ne jemi europianët e rinj, përplot vullnet e dëshirë për zhvillim.

Është thelbësore që institucionet tona dhe politikbërësit të studiojnë dhe vlerësojnë mesazhin që u dërgohet nga qytetarët dhe të jenë të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të njerëzve tanë. Ne çdo ditë takojmë qytetarët tanë dhe e shohim që ata janë të ndryshëm, por i kanë të njëjtat ëndrra. Para vitit 1999 ëndërronin një Kosovë të lirë. Sot, ëndrrat e tyre janë të lidhura për zhvillim të përshpejtuar ekonomik, social e kulturor; për qeverisje efektive dhe transparente. Së bashku me institucionet e vendit, këto dëshira të tyre t’i përmbushim, duke siguruar arsimim cilësor për të rinjtë tanë e krijim të mundësive për zhvillim.

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë të vendit tim!

Sot Kosova është e vendosur që të integrohet në bashkësinë e popujve të qytetëruar evropianë, dhe të shndërrohet në epiqendër të stabilitetit në rajon. Ne kemi dëshmuar tradicionalisht kulturë të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë. Këto janë vlerat kulturore tonat, të cilat do të vazhdojmë t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë edhe më tutje. Por, në të njëjtën kohë ne do ta thellojmë përpjekjen për shtetndërtim e demokratizim. Prandaj, sot na duhet një patriotizëm konstitucional, duke u përpjekur maksimalisht që referencë e jona e çdoditshme të jetë Kushtetuta, ligjet dhe respekti ndaj tyre. Ndaj , është i domosdoshëm bashkëpunimi i të gjithëve për një shtet stabil, të zhvilluar ekonomikisht, të lidhur me botën dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në të.

Kosova është mbi të gjitha!

Sot në 12-vjetorin e pavarësisë duhet zotohemi se çdo ditë do të përpiqemi që ta forcojmë shtetin, sundimin e ligjit, mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetë me dinjitet për të gjithë. Duhet të zotohemi sërish se do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës sonë, të sigurojmë pacenueshmërinë e integritetit territorial e sovranitetit të vendit dhe që jo vetëm fjalët tona por edhe veprat tona të dëshmojnë se 17 shkurti 2008 është i pakthyeshëm dhe se Republika e Kosovës është e përhershme.

Kosova nuk ka alternativë, atë duhet ta bëjmë gjithnjë e më e fortë, sepse është mëmëdheu ynë i vetëm!

Urime 12-vjetorin, shteti ynë!

Zoti i bekoftë familjet tuaja!

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!​ 

Kryetari Arifi nuk mbeti pa takuar edhe bashkëatdhetarët e tij në Amerikë

Kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi në vazhdën e vizitës së tijë në Amerikë lshte i ftuar në Queens të New Yorkut, për të takuar bashkatdhetarët nga gjitha viset shqiptare që jetojnë në New York, ku pati rastin me një fjalim rasti t’i informoj të pranishmit me situatën aktuale në Luginën e Preshevës. Gjithashtu takoi biznismenin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Harry Bajraktari si dhe asambleistin e Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj. Një takim dhe një bashkëbisedim shumë i frytshëm me të gjithë Shqiptarët, ku të gjithë u dakorduan që komuniteti Shqiptar në New York të jetë një zë i fuqishëm dhe që do të lobojnë pë Shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Drita gjunjëzon Gjilanin, Haxhimusa heroi i derbit të Anamoravës

Drita ka arritur të shënojë fitore të madhe, duke mposhtur Gjilanin me rezultatin 2:0.

Përveç atmosferës në tribuna, në këtë derbi kemi parë spektakël edhe në fushën e blertë, me dy skuadrat që krijonin shanse të shumta shënimi.

Ishte Drita që u tregua më konkrete, duke gjetur dy herë rrugën e golit. Në të dyja rastet, ishte Betim Haxhimusa ai që shënoi golat.

Fillimisht, ishte minuta e 65’ kur Haxhimusa tundi rrjetën e Gjilanit, për rezultatin 1:0. 10 minuta më vonë, heroi i Dritës dyfishoi epërsinë e skuadrës së tij.

Me këtë fitore, Drita tejkalon Gjilanin dhe Prishtinën, në klasifikimin e Superligës, duke marrë tashmë vendin e dytë me 34 pikë, aq sa ka edhe Prishtina. Gjilani mbetet në pozitën e katërt, me dy pikë më pak se Prishtina e Drita.

Kurti:Po tregohem me rezerva sepse nuk isha pjesë e negociatave për këto marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, tha për Radion Evropa e Lirë se ka rezerva sa i përket nënshkrimit të dy letrave të shprehjes së interesit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për autostrada dhe hekurudha.

Marrëveshja për autostrada dhe hekurudha u nënshkrua në Mynih më 14 shkurt dhe u ndërmjetësua nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Kurti thotë se për këto marrëveshje ka rezerva, pasi që nuk ka qenë pjesëmarrës në negociata.

“Unë vetëm po tregoj rezerva, për shkak se nuk kam qenë pjesëmarrës në negociata për këto letra të interesit. Natyrisht se ne na duhet lidhje, infrastrukturë më e mirë, autostrada dhe hekurudha. Por, sërish, punëtorët civilë që nënshkruan këto marrëveshje nisën negociatat gjatë qeverisë së kaluar dhe faktikisht i përmbyllën ato pa pjesëmarrjen tonë dhe ne jemi në qeveri për më pas se dy javë”, tha Kurti në një prononcim për REL.

Për palën kosovare, marrëveshjet për autostradën dhe hekurudhat i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, përveç ambasadorit Grenell, ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes letrave të shprehjes së interesit për autostrada dhe hekurudha, të dy vendet shprehën gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

I pyetur se nëse kritikat e shprehura nga ai lidhur me marrëveshjet për autostrada dhe hekurudha kanë bërë që ambasadori Grenell të mos e takojë atë në Mynih, kryeministri Kurti thotë se komunikimi me amerikanët është i mirë dhe se gjatë qëndrimit në Mynih nuk ka qenë në plan që të takohet me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë.

“Më herët jam takuar me ambasadorin (Richard) Grenell dy herë, por jo kësaj here. Këtë herë kam qenë duke marrë pjesë në panel, në tryezë të rrumbullakët dhe ne nuk kemi pasur plane që të takohemi”.

“Po, për vete mund të konfirmoj për komunikimin tonë dhe gjithçka duket në rregull”, shtoi kryeministri Kurti.

Në Preshevë u mbajt punëtoria me temë: Hartimi i Planit të shëndetit publik

Në kuadër të aktivitetit të përfaqësuesve të Konferencës së përhershme të qyteteve dhe komunave (SKGO) lidhur me përgatitjen e anëtarëve të grupeve punuese të komunave të Rrethit të Pçinjës, komuna e Preshevës ka qenë nikoqire e punëtorisë së parë. Në këtë punëtori kanë marrë pjesë përfaqësuesit e grupeve të punës për përpilimin e Planit të shëndetit publik të komunave Rrethit të Pçinjës, si dhe përfaqësuesit e Entit të shëndetit publik me seli në Vranjë. Në kuadër të këtij aktiviteti parashihet që komunat pjesëmarrëse të këtij programi, deri në korrik të këtij viti, të hartojnë Planet e shëndetit publik për periudhën vijuese, me qëllim të listimit të aktiviteteve dhe planifikimit të mjeteve buxhetore për realizimin e këtyre planeve. Hartimi i Planit të shëndetit publik është obligim ligjor për komunat, në bazë të Ligjit të shëndetit publik.

Mbahet trajnim dy ditorë në Preshevë nga Enti për Punësim i Vranjës

Enti për Punësim me përfaqësues të Filijales së Vranjës kanë mbajtur trajnim dy ditorë për “Zhvillim të ndërmarrësisë” Me ndjekjen e këtij trajnimi pjesëmarrësit do të çertifikohen, njëkohësisht do të përfitojnë të drejtën për të përfituar nga programi i subvencioneve për vetpunësim (hapjen e bizneseve të reja) për vitin 2020. Ky program do të financohet nga Enti për Punësim si dhe Komuna e Preshevës. Andaj inkurajojmë të gjithë pjesmarrësit në trajnim të rrinë në gatishmëri për të aplikuar me projekte konkrete në kohën kur thirjet do të happen, si dhe për çdo informatë shtesë të lajmërohen tek Enti, zyra në Preshevë.

Telefonat e rinjë të Samsung janë shumë të shtrenjtë, po përcaktojnë një trend shqetësues

Këtë vit, shumica e telefonave Android premium do të kenë lidhje 5G sepse çipi i fundit premium nga Qualcomm mbështet 5G si parazgjedhje.

Kjo është mjaft e nevojshme, pasi 5G thuhet se paralajmëron në një epokë të re të shpejtësive të larta, të përgjegjshme të internetit në telefonat tanë, duke bërë çdo shpejtësi të ngadaltë nga rrjetet e sotme 4G LTE një gjë të së kaluarës.

Por 5G po duket të jetë një risi e shtrenjtë,  shkruan Business Insider.

Telefonat e fundit të Galaxy S20 të Samsung janë ndër të parët që ekzekutojnë në çipin 5G Snapdragon 865, dhe janë tepër të shtrenjtë, transmeton Telegrafi.

Telefonat inteligjentë në përgjithësi kanë qenë në trend të shtrenjtimit, por të paktën zakonisht ekziston një alternativë më pak e kushtueshme.

Mirëpo, jo këtë herë me formacionin Samsung S Galaxy, dhe kjo po vendos një precedent shqetësues që sugjeron që 5G është vetëm për ata që mund ta përballojnë atë.

Pa dyshim, telefonat inteligjentë janë duke u bërë më të shtrenjtë, por prodhuesit e smartphone-ve si Apple dhe Samsung gjithashtu kanë ofruar alternativa më të lira për t’iu kundërvënë rritjes së çmimeve – ka pasur një iPhone Xr 750 $ për iPhone XS 1.000 dollarë në vitin 2018, iPhone 11 prej $ 750 për iPhone 11 Pro në vitin 2019, dhe Galaxy S10e 750 dollarë për $ 900 Galaxy S10 në 2019.