Ballina Blog Faqe 33

Kurti: Familja Jashari u sakrifikuan sepse e deshtën lirinë dhe tokën më shumë se jetën

Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seanca solemne me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fjalimin e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot është datë e shënuar për historinë e vendit tonë.

“Sot është datë e shënuar për historinë e vendit tonë, 22 vite më parë me 5 mars forca të shumta të policisë e ushtrisë serbe me tanke e artileri kishin rrethuar shtëpinë e familjes Jashari në Prekaz. Asnjë sulm nuk i dobësonte e nuk i zbrazte por vetëm që i forconte. Për tri ditë rresht do të luftonin tre breza bashkë, tre breza të një familje të madhe u flijuan për të ardhmen dhe për neve. Nga Shabani e Zahidja që ishin 74-vjeçar e deri tek Igballja 11-vjeç , Blerina 7-vjeç e Kushtrimi 13-vjeç. Hamza, Ademi bashkë me Zarifën, Hidajetën, Adilen, Feridën e Selvetën luftuan e u sakrifikuan sepse deshtën lirinë dhe tokën më shumë se jetën.  Baca Shaban me djemtë, Ademin dhe Hamzën me gratë e tyre por edhe me nipa e mbesa, vajza e djem, në ato tre ditë e tri natë të qëndresës epike në Prekaz, 59 dëshmorë ranë për lirinë e atdheut, prej tyre 18 gra e 10 fëmijë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti, ka thënë se komandanti Adem Jashari, ishte i destinuar që të bënte histori.

“I lindur në 28 nëntor në Ditën e Flamurit kombëtar shqiptar, e i rënë më 7 mars në ditën e mësuesit, Adem Jashari thua se ishte i destinuar të bënte histori. Me Jasharajt çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre. Lirinë që e gëzojmë sot e kemi nga dëshmorët dhe martirët. Faktor tjetër është NATO ndërsa më pas janë kontributet e secilit prej ne. Ata asnjëherë nuk u dorëzuan dhe asnjëherë nuk e lëshuan Kosovën. Bërthama e ushtrisë ishte te familja Jashari, ndërsa pa rezistencën, qëndresën dhe luftën e tyre nuk do të kishte UÇK”, ka pohuar Kurti.

Lidhja e grupit të gjakut me sëmundje të caktuara

Për vite me radhë shkencëtarët kanë qenë skeptikë ndaj idesë se grupi i gjakut ka ndonjë lidhje me predispozitën e sëmundjeve të caktuara.

Megjithatë, shumë studime të kohëve të fundit kanë treguar se grupi i gjakut na bën më të predispozuar ndaj një sëmundjeje të caktuar. Për më tepër, është pikërisht grupi i gjakut që mund të luajë rol mbrojtës ndaj tyre.

Studiuesit nga Universiteti i Pensilvanisë arritën në këtë përfundim pasi analizuan të dhënat e mbi 20.000 pacientëve.

Studimi, i cili do të publikohet së shpejti në revistën “Lancet”, ka nxjerrë në pah fakte shumë interesante. Kështu, sipas këtij studimi, njerëzit që në organizmin e tyre kanë një gjen specifik, janë më të rrezikuar nga një sulm në zemër.

Nga ana tjetër, njerëzit me grupin 0 të gjakut nuk përballen aspak me këtë rrezik.

Gjithashtu është vërejtur se njerëzit me grupin A të gjakut janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të sistemit tretës, ata me grupin 0 të gjakut janë më të prirë të preken nga ulçerat, ndërsa gratë me grup B të gjakut përballen më shpesh me probleme me vezore.

Studimet e lartpërmendura kanë zbuluar se njerëzit më grup të gjakut AB, janë 82% më të prirë të vuajnë nga problemet me kujtesën dhe të menduarit. Një gjë e tillë mund ta nxisë shfaqjen e sklerozës.

Sipas agroweb, grupi i gjakut nuk është kyç në shfaqjen e sëmundjeve, sepse duhet të kujtojmë  se ekzistojnë edhe faktorë të tjerë gjenetikë dhe mjedisorë që ndikojnë në shfaqjen e tyre.

Partia Demokratike nominoi Nagip Arifin për kryetar të Komunës së Bujanocit

Pas propozimeve të kandidatëve për Kuvend Komunal nga ana e nëndegëve të Partisë Demokratike, sot është mbajtur mbledhja e kryesisë ku u aprovua njëzëri lista e këshilltarëve të mundshëm komunal prej 41 kandidatëve dhe u aprovua unanimisht propozimi i kryesisë që kandidat për kryetar të komunës së Bujanocit të jetë Nagip Arifi.

PVD nominon Driton Rexhepin për kryetar komune dhe Enver Ramadanin për kryetar kuvendi të Komunës së Bujanocit

Në mbledhjen e sontme të Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc, Driton Rexhepi, u nominua për kandidat për kryetar Komune të Bujanocit, derisa Enver Ramadani u nominua për kryetar të Asamblesë komunale të Bujanocit, të vlefshëm për zgjedhjet lokale të 26 prillit. Njoftimin mbi vendimin për dy kandidatët Driton Rexhepi për kryetar komune dhe Enver Ramadani për kryetar kuvendi, e ka bërë të ditur faqja zyrtare e PVD-së: Kuvendi i Degës së PVD-së në Bujanoc, në mbledhjen e mbajtur sot, ka emëruar Driton Rexhepin kandidat për kryetar të Komunës së Bujanocit dhe Enver Ramadanin kandidat për kryetar Kuvendi. Në prezencën e mbi 110 Kuvendarëve, në një atmosferë të jashtëzakonshme, Kuvendarët e Degës së PVD-së u zotuan për një angazhim të mirëfilltë dhe përkushtim të sinqertë në arritjen e objektivave të përgjithshme deri në fitoren e ardhshme të 26 Prillit. Të kalitur e formësuar mbi peshën e respektimit, mirëkuptimit, bashkërendimit e disiplinës.

Pra në frymën e PVD-ës nuk mund të jet ndryshe nga ajo që pritet. Mënyra më e mirë për të u rritur e për tu ngritur mes nesh e brenda nesh, po me ato synime dhe ideale, është vullneti për unitet. Mundësia për ta bërë këtë është në duart tona. Kjo është shpresa në zemrat tona. Kjo është e ardhmja në të cilën besojmë. Një vend që me të vërtetë fuqizon çdo shqiptar të përparojë. Kujtojmë se Driton Rexhepi dhe Enver Ramadani ishin dy kandidatët e mundshëm për kryetar komune, derisa në mbledhjen e sontme njëzëri u nominuan që të dy, respektivisht Driton Rexhepi për kryetar komune dhe Enver Ramadani për kryetar kuvendi të Bujanocit.

Vuçiq për takimin në Uashington: Nuk kemi arritur asnjë marrëveshje

Presidenti i Serbisë, Aleksanar Vuçiq, duke folur për vizitën në Uashington, tha se lajmet që po qarkullojnë se marrëveshja Beograd-Prishtinë ishte arritur, janë të rreme.

“Nuk ekziston asnjë plan i madh apo marrëveshje zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha sot në një konferencë shtypi, presidenti Aleksandar Vuçiq, duke përsëritur se kushti i tij për diskutime thelbësore për këtë çështje paraprakisht është heqja e taksës.

Siç raportojnë mediat serbe, pas kthimit të tij nga Uashingtoni, Vuçiq tha se ka pasur shumë të pavërteta këto ditë dhe se dëshiron t’u tregojë qytetarëve të vërtetën e plotë të asaj që po diskutohet, cilat janë temat në tryezë dhe çfarë po bën Serbia në lidhje me të.

“Ka pasur shumë lajme të pavërteta se janë arritur disa marrëveshje të mëdha, dhe se ka një plan. Po flitet për këtë, por asgjë prej tyre nuk ekziston” tha Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Presidenti Vuçiq theksoi se nuk do të ketë asnjë bisedë thelbësore derisa të hiqet taksa ndaj mallrave serbe.

Ai gjithashtu shprehu kënaqësi për bisedimet në Uashington dhe theksoi se “ në SHBA më nuk janë të mbyllura dyert për politikën tonë”.

Vuçiq tha se do të shkojë për vizitë në Berlin brenda 10 ditëve të ardhshme, ku do të ketë një takim me kancelaren Angela Merkel dhe Kosova do të jetë një nga temat.

Rruga Kryesore në fshatin Tërrnoc ndriçohet me drita LED

Në kuadër të kompletimit të projektit për zëvendësimin dhe modernizimin e ndriçimit publik, është zëvendësuar me llampa LED edhe ndriçimi i rrugës kryesore në Tërnoc.

Komuna e Bujanocit për këtë vit ka paraparë edhe projektime të reja me anë të së cilave do të bëhet avancimi i ndriçimit publik edhe në vendbanimet tjera të komunës tonë. Shkruan në Facebook Faqja zyrtare e Komunës Bujanocit.

Përveç modernizimit, sistemi i ri i ndriçimit mundëson edhe uljen e shpenzimeve dhe kontrollimin e menaxhimin në formë elektronike të të gjithë sistemit të ri të instaluar.

Përkujtohet dëshmori Fatmir Ibishi

Sot, me homazhe në vendin e rënies në Konçul, e më pas me Akademinë Përkujtimore në Gjilan, përkujtuam 20 vjetorin e veprës së dëshmorit të parë të UÇPMB-së, Fatmir Ibishi.

Pesha e veprave të dëshmorëve si Fatmiri, është historia e përcaktuar me kohë e marrëdhënies së Kosovës me Luginën, e brumosur në vizionin e së ardhmes. Ngelet vetëm të ndjekim rrugën.

Heroi nga Uglari i Gjilanit flijoi më sublimen për bashkëkombësit e Luginës së Preshevës.

Kryeminstri Rama në Rusi kërkon njohjen e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Moska deklaroi se nuk ka arsye që të mos njihet Kosova si shtet i pavarur.

Në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, ai tha se dyshja kane diskutuar edhe për çështjen e Kosovës.

“Po kemi diskutuar rreth kësaj çështje dhe siç po e shihni po diskutojmë për këtë edhe me ju publikisht. Jemi shumë larg, sepse pozicionet tona janë shumë të qarta. Mendoj se është mire që të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë, që ta njohin Kosovën ashtu siç është. Natyrisht kjo nuk përjashton të kundërtën, ne do ta mbështesim gjatë gjithë rrugës dialogun, procesin e pajtimit, gjetjen e një pike të përbashkët që ta bëjmë të mundur këtë njohje”.

Kryeministri shqiptar thekson se mosnjohja është parim i gabuar dhe se është nismë qe nuk premton progres.

Ai gjithashtu komentoi qëndrimin e Lavrov, i cili ka pohuar se shumë marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk janë realizuar.

“Është e vërtet ajo çka tha ministri që ka shumë aspekte të dialogut, shumë marrëveshje nuk kanë parë dritën e realitetit në aspektin e implementimit. Ia shpjegova ministrit ku duhet ta ristartojmë procesin, sepse kur vjen puna tek marrëveshjet mendoj se palët hedhin fajin tek njëra-tjetra. Por, nuk dua të hy aty duke thënë që pala serbe nuk ka përmbushur marrëveshjet, sepse nuk ndihmon”.

“Vullneti i popullit nuk mund të jetë standard i dyfishtë kur vjen puna tek njohja, apo ajo që vullneti i njerëzve sjell për popullsinë, për një popullatë si ajo e shqiptarëve në Kosovë, që besonin se nuk deshën të qëndronin nën sundimin e një shteti, në thelb diktatorial. Kështu që nuk shoh se pse të tjerët kanë të drejtë ta kenë shtetin e tyre dhe Kosova jo”.

Rama po qëndron në Moskë në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së me ç’rast zhvilloi takim me Lavrov, ku u diskutua me theks të veçantë për konfliktin në Ukrainë.


Njoftim nga administrata komunale e Preshevës

Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës! Ju njoftojmë që vendosja e shenjave të komunikacionit që ka filluar të realizohet në vendbanimet e komunës sonë, do të bëhet konform standardeve dhe sipas ligjit, duke e respektuar njëkohësisht edhe dygjuhësinë. Nga ana e kompanisë kontraktuese janë vendosur shenjat e trafikur ku simbolizojnë zonën e shkollës, të cilat kanë qenë të shënuara vetëm në gjuhën serbe me shkronja qirilike, për të cilën stafi i Administratës komunale ka intervenuar dhe të njëjtat janë hequr. Ju njoftojmë që të njëjtat do të zëvendësohen me shenja në dygjuhësi dhe nuk ka hapësirë për shqetësim, pasi projekti sapo ka filluar të implementohet. Shpresojmë që me vendosjen e shenjave, do të ngritet niveli i sigurisë së trafikut në territorin e komunës sonë. Ju faleminderit! shkroi Komuna e Preshevës në një postim të saj në Facebook.

Konjufca dhe Cakaj mbështesin projektin e Luginës së Bashkuar

Ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë, Glauk Konjufca dhe Gent Cakaj, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të koalicionit të partive shqiptare në Luginë të Preshevës.

“Në cilësinë e drejtuesve të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë nënvizojmë edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së koalicionit të partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës”.

“Ky koalicion është thelbësor për ngritjen e frymës kombëtare dhe ruajtjen e të drejtave politike të shqiptarëve në Luginë. Ndaj, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta mbështetur projektin e Luginës së Bashkuar deri në fund!”, thuhet në postimin e Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Evropë i Shqipërisë, Gent Cakaj.