Ballina Blog Faqe 21

Ministrja Shahini shprehet e lumtur me shpërndarjen e librave shqip në Luginë

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, është shprehur e lumtur me nisjen e aktivitetit të shpërndarjes së librave shqip për nxënësit në Luginë të Preshevës.

“Jam e lumtur teksa Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi ka nisur shpërndarjen e librave shqip falas nga Shqipëria për rreth 4 mijë nxënësit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, një kontribut ky i rëndësishëm i qeverisë shqiptare nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, ka thënë Shahini, transmeton Klan Kosova.

“Kjo ditë e shumëpritur për të gjithë, le të jetë një ogur i mirë i punëve të dobishme që çojnë në rritjen e arsimit cilësor në gjuhën shqipe”.

N.P Komunalia zgjidh problemin shumëvjeçar me punëtorët e vet

Udhëheqësia e re e NP Komunalisë në bashkëpunim me kryetarin e komunës së Bujanocit Nagip Arifi kanë dhënë rezultatet e para në dobi të punëtorëve. Pas shumë viteve probleme mes udhëheqësisë së NP Komunalisë dhe sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrje, më në fund është gjetur zgjidhja.

73 punëtorë të Komunalisë kishin paditur ndërmarrjen në fjalë përshkak të mospagesës së regresit dhe shujtave, të cilat nga 1 janari 2020 me ligj i takojnë punëtorëve. Pas neglizhencës së udhëheqësisë së kaluar të Komunalisë, udhëheqësia e re e NP Komunalisë në bashkëpunim me kryetarin e komunës së Bujanocit Nagip Arifi kanë arritur që të bien dakord me sindikatën e punëtorëve të Komunalisë që t’i tërheqin paditë, dhe t’ju paguhen shujtat dhe regresi për punëtorët që nga 1 janari 2020 e këndej.

Kjo njëherit përbën një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të kësaj ndërmarrje, dhe ndihmon në shmangien e kolapsit financiar të shkaktuar gjatë katër viteve të kaluar.

Me këtë rast, të gjithë punëtorëve të NP Komunalisë tash e tutje do t’ju paguhen shujtat dhe regresi të garantuara me ligj, kurse gjithashtu do t’ju kompenzohen me këste edhe muajt të cilët nuk i pranuan.

Ambasadori amerikan në Beograd paralajmëron “ditë të mrekullueshme” për Kosovën e Serbinë

Anthony Godfrey, ambasadori amerikan në Serbi, ka paralajmëruar se e premtja do të jetë një “ditë e mrekullueshme për Kosovën dhe Serbinë”.

Në një postim në Twitter, teksa ka shpërndarë agjendën e presidentit amerikan Donald Trump që sot do të takohet me krerët e Kosovës dhe Serbisë, për të nënshkruar marrëveshjen për të cilën janë dakorduar të enjten.

“Ditë e mrekullueshme për Serbinë dhe Kosovën. Normalizimi ekonomik do të thotë punë për të rinjtë, investime të reja, e ekonomi më të qëndrueshme dhe të fortë. Njerëzit në Kosovë dhe Serbi e meritojnë një standard më të mirë jetese. Mirëpresim përpjekjet e liderëve të Serbisë dhe Kosovës në kërkim të paqes, pajtimit e normalizimit ekonomik”, ka shkruar Godfrey.

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë pritet të nënshkruhet rreth orës 17:00 sipas kohës sonë lokale. Ajo do të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pas nisjes së diskutimeve me ndërmjetësues SHBA-në.

Pas takimit të së enjtes, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e cilësoi marrëveshjen hap të madh përpara drejt marrëveshjes finale, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se në takim i ishte ofruar një pikë për ta njohur Kosovën, por kjo ka thënë se është refuzuar.

Konfirmohet: Trump merr pjesë në takimin e Hotit dhe Vuçiqit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, do të marrë pjesë në takimin e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njofton Klan Kosova.

Këtë e bënë të ditur nga Shtëpia e Bardhë me anë të një njoftimi, sipas të cilit, Trump do të jetë pjesë e takimit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, në orën 11:00 me orë lokale, që në Kosovë i bie të zhvillohet takimi në ora 17:00.

Pas kësaj thuhet se Trump do të mbajë një takim privat i cili është trilateral me Hoti dhe Vuçiqin. Në këtë njoftim nuk është përmendur se çfarë lloji marrëveshje pritet të nënshkruhet.

Po ashtu gjatë ditës së djeshme ka pasë takime në mes dy delegacioneve atij të Kosovës dhe të Serbisë me delegacionin e Shtëpisë së Bardhë, ku pjesë ishte edhe Richard Grenell, emisari për dialog i SHBA-së, Këshilltari për Siguri Kombëtare në SHBA, Robert O’Brien dhe në pjesën e dytë të takimit ishte edhe vajza e Trump, Ivanka.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit të djeshëm, ka thënë se kanë bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk presin që të jenë pjesë e qeverisë serbe

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nuk janë optimistë se do të mund të bëhen pjesë e qeverisë së re të Serbisë.

Ata thonë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të gatshëm të punojnë për të drejtat e tyre në këtë pjesë të Serbisë.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili vjen nga Partia Demokratike, tha për Radion Evropa e Lirë, se shqiptarët e luginës kanë shprehur vullnet që të jenë pjesë e qeverisë së re me kusht që të avancohen të drejtat politike dhe individuale të shqiptarëve në Luginë e Preshevës.

“Sipas asaj që përmenden shqiptarët në opinion në aspektin negativ nga ana qeveritare e Republikës së Serbisë, nuk kemi ndonjë shpresë se shqiptarët do të jenë pjesë përbërëse e qeverisë së ardhshme”, tha Arifi.

Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar përfaqësuesit politikë të shqiptarëve. Në ketë takim është thënë se shqiptarët kanë parashtruar kërkesat e tyre për mundësinë e të qenit pjesë e qeverisë. Vuçiq nuk u ka dhënë ndonjë përgjigje në takim, derisa pala shqiptare është në pritje të një ftese tjetër para formimit të qeverisë se re.

Shqiptarët kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në qeveri dhe kanë kërkuar Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, postin e ndihmësministrit të Ekonomisë, atë të Sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Arsimit dhe pozicionin e presidentit të Trupit Koordinues.

Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë, se është shumë e vështirë që shqiptarët të jenë pjesë e qeverisë së re të Serbisë.

“Në këtë drejtim shoh mundësi të vogla minimale. Megjithatë, konsideroj se shqiptarët do të duhej të kenë një qasje pragmatike në drejtim të zgjidhjes së problemeve jetike. Për ne është e rëndësishme kjo që përfaqësuesit tanë të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Mustafa.

Mustafa theksoi se nëse Partia Përparimtare e udhëhequr nga presidenti aktual në Serbi, Aleksandar Vuçiq, do të ndryshojë diskursin e deritanishëm me shqiptarët në Serbi, duhet që ata të përfshihen në qeveri.

Edhe Kujtim Sadriu, drejtor i Qendrës për Kërkime dhe Monitorim në Preshevë, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk pritet që shqiptarët të jenë pjesë e Qeverisë së Serbisë, e as të marrin poste ministrore.

Megjithatë, ai thotë se njeri nga deputetët e zgjedhur shqiptar për parlamentin e Serbisë [Shaip Kamberi], mund të bëhet pjesë e qeverisë.

“Serbia nuk është në atë gjendje t’i ofrojë shqiptarëve ndonjë pozitë çfarëdo qoftë në qeverinë e ardhshme. Mund të ketë ndonjë pozitë ose që ndonjë nga shqiptarët të jenë pjesë e Këshillit të Arsimimit siç kanë qenë çdo herë, deri aty, a më lartë ndonjë pozicion nuk e besoj që Qeveria e Serbisë të jap. Partia për veprim Demokratike i pranon këto pozita të vogla që janë për arsye partiake dhe farefisnore e jo për interesa të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Sadriu.

Deklarime se Partia për Veprim Demokratike, mund të marrë ndonjë pozitë edhe nëse partitë e tjera nuk hynë në koalicionin qeverisës në Serbi, janë hedhur poshtë nga vet kryetari i kësaj partia Shaip Kamberi.

“Kërkesa jonë primare ka të bëjë me planin shtatë pikësh. Nëse nuk kemi përgjigje konkrete, jo partia jonë, nuk e besoj që as deputetët e partive të tjera do të pranojnë të jenë pjesë e asaj qeveria”, tha Kamberi.

Plani shtatëpikësh ka të bëjë me marrjen e masave urgjente për të përmirësuar kushtet dhe pozicionin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, realizimin e të drejtave kolektive dhe integrimin e mëtutjeshëm në institucionet e sistemit – policia, gjyqësori dhe arsimi.

Pesë parti politike shqiptare në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – që njihet edhe si Lugina e Preshevës – në zgjedhjet e 21 qershorit kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë duke garuar me një listë të unifikuar zgjedhore. Si rezultat i këtij uniteti, shqiptarët kanë siguruar tri ulëse në Kuvendin e Serbisë.

Nga e hëna fillon punën tregu i gjelbërt dhe i kafshëve

Është mbajt sot mbledhja e 4 e shtabit për situat të jashtëzakonshme ku fillimisht drejtoresha e pasqyroi situatën në të cilën ndodhemi sa i përket pandemis Covid-19 ndërsa më pas u liruan edhe disa masa sikurse hapja e tregut të gjelbërt dhe të kafshëve.

Keryetari Arifi porosit qytetarët që të jen të kujdësëshëm në respektimin e masave.

Vlen te ceket se ne 3 ditet e fundit jane regjistruar edhe 2 raste te reja ku numri i pergjithshem i te infektuarve ne komunen e bujanocit ka shkujar ne 184.

Kush përfitoi nga seanca e djeshme e Kuvendit Komunal të Preshevës

Pas dorëheqjes së njëanshme të Grupit qytetar LR PDSH nga pozita e kryetarit të Kuvendit të komunës së Preshevës dhe prishjes së koalicionit me APN në këtë periudhë pandemie, dy subjektet politike opozitare PDSH dhe PVD, me qëllim të rikthimit të tyre në pushtet edhe për 15 muajt e mbetur deri në zgjedhjet e rregullta lokale në Preshevë, këtyre ditëve nënshkruan një marrëveshje koalicionare për të qeverisur me pushtetin lokal në Preshevë.

Për këtë gjë ishte thirrur seanca e jashtëzakonshme për mocion ndaj kryetarit të komunës Shqiprim Arifi, për të zëvendësuar me pretendentin nga subjekti më i vogël Sami Salihu, i ka ka vetëm tre këshilltarë në Kuvend. Pakënaqësitë dhe fërkimet u vërejtën qysh me paralajmërimin e mbajtjes së seancës, pasi që në fillim u konsiderua si koalicion joparimor dhe pa perspektivë të qartë për qytetarët e kësaj komune, ku një këshilltar haptas është prononcuar në rrjetet sociale që nuk e jep votën e tij për Ragmi Mustafën e Sami Salihun.

Kjo pakënaqësi u vërejt dhe vazhdoi të reflektohej edhe me rastin e mbajtjes së seancës, ku pati përsëritje të votimeve me rastin e zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendës kryetarit të Kuvendit, si dhe pati abstenim me rastin e shkarkimit të kryetarit aktual të komunës Shqiprim Arifi.

Me këtë rast, pretenduesi për postin e kryetarit të komunës nuk arriti të shkarkojë paraardhësin e tij, duke u shfaqur një pakënaqësi e mosbesim ndaj subjekteve PDSH e PVD, me të cilat ditë më parë nënshkruan marrëveshjen e koalicionit.

Si rezultat e seancës së djeshme, PDSH doli fituese pasi përfitoi dy pozitat kryesore të Kuvendit dhe iu hakmor Sami Salihut për ndarjen e këtij subjekti më 2017-tën duke i marrë me vete 8 këshilltarë dhe formuar Grupin qytetar LR PDSH. Siç duket, humbësi më i madh ishte kryetari i LR PDSH Sami Salihu, i cili e filloi gjithë këtë sfidë, edhe pse në kohë pandemie, duke humbur pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe duke mbetur as pa pozitën e këshilltarit.

Se a iu kanë dashur Preshevës gjithë këto manovra politike në këtë kohë pandemie, u mbetet preshevarëve të vlerësojnë veprimet e klasës së tyre politike dhe të zgjedhin se cili subjekt po punon më tepër në të mirë të tyre.

VENDOS SHTABI REPUBLIKAN I KRIZAVE: Nuk ka PCR test as karantinë për qytetarët tanë që kthehen nga pushimet

Shtabi i Krizave për luftën kundër koronavirusit ka vendosur të mos vendosë karantinë ose një test të detyrueshëm negativ PCR për qytetarët tanë që kthehen nga pushimet në Kroaci dhe Mal të Zi, por ka miratuar një rekomandim që nxënësit të ndjekin mësimet për 10 ditë online pasi të kthehen nga jashtë në Serbi.

Pra, pjesa që ka të bëjë me fëmijët që kthehen nga jashtë është në nivelin e një rekomandimi, jo një detyrimi.

Kjo praktikisht do të thotë që prindërit duhet të jenë përgjegjës, dhe përndryshe të matin temperaturën e fëmijëve dhe mos i dërgoni ata në shkollë nëse kanë ethe ose ndonjë nga simptomat e sëmundjes.

Zyrtare: Thiago Silva transferohet në Chelsea

Chelsea ka vazhduar me transferime të bujshme gjatë afatit kalimtar veror.

Skuadra londineze ka nënshkruar tani me qendërmbrojtësin brazilian Thiago Silva.

Pas shumë diskutimeve palët më në fund kanë arritur një marrëveshje një vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Ka qenë vet klubi londinez që ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me Silvën, që i bashkohet Chelseat si transferim i lirë pasi i ka përfunduar kontrata me PSG-në.

“Chelsea ka transferuar njërin nga emrat më të mëdhenj në futbollin botëror, Thiago Silva”.

“Braziliani ka nënshkruar një kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj të tjerë”, thuhet në njoftimin e klubit londinez.

Reprezentuesi brazilian është deklaruar shumë i lumtur dhe i entuziazmuar me nënshkrimin e kontratës me Chelsean.

“Jam shumë i lumtur që po bashkohem me Chelsean. Jam i entuziazmuar të jem pjesë e skuadrës së Frank Lampardit për sezonin tjetër dhe jam këtu të luftoj për trofe”, ka deklaruar Silva.

Chelsea deri më tani ka nënshkruar me Hakim Ziyech, Malang Sarr, Ben Chilwell e Timo Werner.

Ministri serb i Mbrojtjes paralajmëron bisedime të vështira në Uashington

Bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Uashington, do të jenë shumë të vështira, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vullin në programin e mëngjesit të Televizionit “Pink”.

Takimi ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është paraparë të mbahet në Uashington më 4 shtator.

“Çdo takim është jashtëzakonisht i vështirë, nuk ka asnjëherë diçka të këndshme, ju bisedoni me njerëzit për të cilët e dini se sinqerisht e urrejnë popullin tuaj dhe vendin tuaj dhe që kanë vetëm një interes, dhe kjo është që t’ju dëmtojnë disi. Por, ju duhet të flisni”, tha Vullin.

Siç theksoi ai, fuqitë e mëdha gjithmonë kanë agjendën e tyre dhe nuk i kushtojnë shumë vëmendje “asaj që ne të vegjlit mendojmë, se a na lëndon diçka apo na bën të lumtur”.

Burimet diplomatike në Bashkimin Evropian paralajmëruan se në fillim të shtatorit do të mund të zhvillohet edhe një raund i bisedimeve të nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më 4 shtator, ndërkaq, Hoti dhe Vuçiq pritet të takohen në Uashington, me ftesë të këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brein.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë për synim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja rifilloi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. \ REL