Partitë shqiptare në Malin e Zi po bëjnë përpjekje për të dalë me një
listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 30
gusht.
Kreu i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu ka bërë me dije lajmin përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook, se subjektet shqiptare në shtetin fqinj kanë vendosur të bashkojnë forcat, shkruan Euronews Albania.
“Alternativa Shqiptare e kryesuar nga Nik Gjeloshaj, Forca e re
demokratike e kryesuar nga Nazif Cungu, Lidhja Demokratike Shqiptare e
kryesuar nga Nikollë Camaj, Unioni i Tuzit i kryesuar nga Fadil Kajoshaj
dhe Levizja qytetare Perspektiva, e kryesuar nga Amir Hollaj, duke
kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, kërkesën e
qytetarëve, pritjen dhe ftesën e diasporës për bashkim, kanë rënë dakord
që, në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, të dalin në një listë të
përbashkët.”
Bashkimi i partive shqiptare, sipas udhëheqësve politikë, do të
garantonte më shumë vende në parlament dhe do t’i bënte ata faktorë të
rëndësishëm në Malin e Zi.
“Të bindur se një list është zgjedhja më e mirë, dhe me kërkesë të
vëllezërve tonë nga diaspora, dhe insistimin e asamblistit të Nju
Jorkut, z. Mark Gjonaj, që t’i japim mundësinë formimit të një liste të
përbashkët, për të gjitha subjektet shqiptare, nënshkrimin e
marrëveshjes, të paraparë për nesër në mesditë, kemi vendosur ta shtyjmë
deri në momentin kur shpresat për një veprim të tillë të jenë shuar”.
“Ne, si subjekte të dëshmuara në bashkveprim, edhe në këtë mënyrë
dëshrojmë të dëshmojmë qendrimin dhe kërkesën tonë për formimin e një
liste të përbashkët shqiptare, për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit”
thuhet mes tjerash në njoftimin e Cungut.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare në tetor 2016, pati një rënie të
theksuar të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament si pasojë e
përçarjes dhe mungesës së unifikimit mes tyre.