Ballina Blog Faqe 23

Liderët e Kosovës e Serbisë takohen me dy shtator në Uashington, njofton Grenell

I caktuar për shumë më herët, por i pezulluar për shkak të zhvillimeve që imponoi Gjykata Speciale, tashmë ka një datë të re për takimin në Shtëpinë e Bardhë. Është data dy e muajit tjetër, kur Kosova e Serbia takohen në Uashington.

Takimi në Uashington që ishte shtyrë për shkak të aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë ka një datë të re.

Emisari special amerikan, Richard Grenell, ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në Twitter se takimi është vendosur për dy shtator, njofton Insajderi.

“Jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për të zhvilluar negociata me dy shtator”, shkruan Grenell në Twitter

https://twitter.com/RichardGrenell/status/1294088022204407808?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1294088022204407808%7Ctwgr%5E&ref_url=https%3A%2F%2Finsajderi.com%2Flideret-e-kosoves-e-serbise-takohen-me-dy-shtator-ne-uashington-njofton-grenell%2F

Erdogani dhe Merkeli do të bisedojnë për tensionet Turqi – Greq

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se ai do të flasë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kreun e Këshillit Evropian, Charles Michel, në lidhje me mosmarrëveshjet e fundit me Greqinë.

Tensionet mes Turqisë dhe Greqisë janë përshkallëzua, pasi Ankaraja rifilloi kërkimet për gaz dhe naftë jashtë ishullit grek Kastellorizo.

Turqia dërgoi anijen kërkimore Oruc Reis të shoqëruar nga anijet ushtarake, duke bërë që Greqia të dërgonte anijet e veta në zonë për të monitoruar punën e Turqisë.

Erdogan tha gjatë një takimi të partisë së tij se ai dëshironte që kriza të zgjidhet “përmes dialogut dhe negociatave”, duke akuzuar Athinën për “mungesë vullneti” për të gjetur një zgjidhje, raporton AFP.

“Ne gjithmonë kemi kërkuar një zgjidhje në tryezë për problemet me Greqinë. Ne nuk duam të shkelim të drejtat e të tjerëve, por nuk do të lejojmë që një vend tjetër të shkelë të drejtat tona”, tha ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të mërkurën se Franca do të forcojë praninë e saj ushtarake në rajon përmes bashkëpunimit me partnerët evropianë, përfshirë Greqinë.

Bisedimet e Erdoganit me Merkel dhe Michel, do të ndodhin përpara një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të BE të premten, ku do të diskutohet kriza mes Turqisë dhe Greqisë.

Komuna e Preshevës shpërblen punëtorët NP Moravica, që ishin aktiv gjatë pandemisë

Në kuadër të Pakos emergjente “Presheva 2020”, ku përveç bizneseve lokale, bujqëve, pensionistëve dhe studentëve, përfituan edhe institucionet publike Shtëpia e shëndetit dhe NP Moravica, ku kjo e fundit ka shpërblyer punëtorët e saj, të cilët kanë qenë aktiv dhe të ekspozuar ndaj rrezikut gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Që nga viti 2016 e këtej, falë menaxhimit profesional dhe ngritjes së kualitetit të shërbimeve, duke përfshirë të gjitha vendbanimet e komunës sonë, poashtu dhe përkrahjes së vazhdueshme nga ana e komunës së Preshevës, punëtorët e NP Moravica tashmë nuk presin më nga 4-5 muaj për pagat e tyre, që kanë qenë nën minimalen e mundshme, por përveç janë ngritur pagat në nivelin e pranueshëm, disave prej tyre sipas përshkrimit të punës, u paguhet dhe qumështi dhe beneficione tjera konform normave ligjore.

Vlen të ceket që ngritja e fundit të pagave për punëtorët, që përfshihen në kuadër të Pakos emergjente arrin në nivelin 15%. Ky stimulim para së gjithash nënkupton vlerësimin dhe respektin e punëtorëve, të cilët japin kontributin e tyre të vazhdueshëm, në mirëmbajtjen e pastërtisë së amvisërive në shumicën e vendbanimeve të komunës sonë, si dhe në mirëmbajtjen e infrastrukturës komunale, duke ofruar shërbime më kualitative ndaj qytetarëve tanë.

NP Moravica, falë punës së siqertë dhe menaxhimit profesional, tashmë paraqet një shembull të suksesit institucional, në komunën tonë.

Kryetari i komunës Nagip Arifi ka ftuar për të dytën her në takim drejtorët e institucioneve publike, shkollave dhe veprimtarive shoqërore

Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka ftuar për të dytën her në takim drejtorët e institucioneve publike, shkollave dhe veprimtarive shoqërore, jemi duke e bërë përgaditjen e rishikimit të buxhetit për vitin 2020 theksoi kryetari Arifi, si dhe jemi duke bërë përgaditjet e fillimit të vitit shkollorë ku përgjat ditës po presim edhe urdhëresën nga ministria e arsimit kështu që do të veprojmë konform qëndrimeve të ministrisë për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kryetari Arifi poashtu theksoi disa paknaqsi lidhur me tejkalimin e buxhetit në Shtëpin e shëndetit, barnatore e qytetit si dhe Shtëpin e Kulturës.

Kryetari Arifi është shprehur se po punohët në përmirësimin e gjendjes financiare të komunës, kështu që do të shqyrtojmë mundësin mbi pagesën e bursave studentore.

LSDM dhe BDI afër marrëveshjes? Vijojnë negociatat për qeverinë e re në Shkup, por Zaev dhe Ahmeti nuk japin detaje

Partitë politike vazhdojnë të mbajnë sekret takimet dhe marrëveshjet rreth negociatave për formimin e shumicës parlamentare dhe Qeverisë në Maqedoninë e Veriut.

Edhe pse u njoftua se nga dje takimet do të jenë më intensive, asnjëra nga partitë nuk jep detaje. Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev pas takimit të hënën me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi se nuk ka përparim në negociata. Po si ai edhe Ahmeti nuk japin detaje se ku po fokusohen bisedimet.

Megjithatë jo zyrtarisht flitet se LSDM dhe BDI janë shumë afër marrëveshjes përfundimtare, pjesë e së cilës është edhe çështja e kryeministrit shqiptar. Burime të televizionit Alsat në Shkup, thonë se mes palëve për momentin flitet për kombinimin që kryeministri të jetë tre vitet e para për LSDM-në dhe një vit për BDI-në, ose anasjelltas, vitin e parë të jetë kryeministri shqiptar dhe pastaj tre vite kryeministër i LSDM-së.

Zaev tha se për momentin nuk mund ta komentojë këtë çështje, ndërkohë Ali Ahmeti ka ftuar të gjithë kryetarët e partive parlamentare shqiptare në Maqedoninë e Veriut që të ulen në bisedime.

Shtëpia e Shëndetit në Bujanoc do të pajiset me një aparat të Rentgenit

Shtabi për situata të jashtëzakonshme në mbledhjen e saj të parë të kryesuar nga kryetari i komunës, njëherit komandant i këtij shtabi Nagip Arifi, me kërkesë të drejtoreshës së Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc iu ka drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë, respektivisht sektorit për organizimin e shërbimit shëndetësor për sigurimin e një aparati të Rentgenit.

Kërkesa e shtabit është shqyrtuar menjëherë nga Ministria e Shëndetësisë dhe iu është lejuar donacioni i një aparati të Rentgenit.

Për ta kompletuar donacionin e Ministrisë së Shëndetësisë ka kontibuar edhe donatori nga Bujanoci, afaristi Bujar Sejdiu, të cilit iu është ndarë një mirënjohje nga drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit Dr.Lela Jovanoviq për kontributin e dhënë.

Nga viti 1982 Shtëpia e Shëndetit nuk ka siguruar ndonjë aparat tjetër të Rentgenit, dhe pas 38 vjetësh pajiset me një të ri.

Ministri Zemaj: Qytetarëve të Luginës u është siguruar një kuotë e veçantë për shkollim specialistik

“Mbështetja për bashkëqytetarët tanë në Luginën e Preshevës nuk do të mungojë asnjëherë!

Në kuadër të kësaj mbështetjeje, qytetarëve të Luginës u është siguruar një kuotë e veçantë për shkollim specialistik.

Ministria e Shëndetësisë do të financojë shkollimin e kandidatëve të ardhur nga Lugina, kuadro të cilat do të kthehen të shërbejnë si staf profesional shëndetësor në komunën e Preshevës, të Medvegjës dhe në atë të Bujanocit!

Përfaqësuesit e Luginës, i sigurova që kujdesi dhe mbështetja ime për bashkëqytetarët tanë atje, do të vazhdojë”

Fillon Haxhi në Mekë me numër shumë të vogël të besimtarëve

Pelegrinazhi vjetor i Haxhit që kryhet nga shumë myslimanë nga e gjithë bota po fillon në Arabinë Saudite, por me një numër të zvogëluar në mënyrë dramatike për shkak të koronavirusit.

Vizitorëve ndërkombëtarë u është ndaluar të bëjnë udhëtimin për në Mekë, duke u përpjekur që të frenohet pandemia.

Kësaj radhe priten vetëm 10,000 pelegrinë, në krahasim me rreth dy milionë që shkojnë zakonisht.

Shumica dërrmuese e besimtarëve shkojnë në Mekë dhe Medine zakonisht nga jashtë Arabisë Saudite, por këtë vit të vetmit të huaj që lejohen të marrin pjesë janë ata që banojnë në mbretëri.

Ata që e filluan kryerjen e Haxhit iu nënshtruan kontrolleve për temperaturë dhe testeve të koronavirusit, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Adhuruesit gjithashtu do të duhet të qëndrojnë në karantinë para dhe pas Haxhit. Mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme në çdo kohë.

Ministri për Çështjet e Pelegrinazhit Mohamed Saleh Binten tha se pelegrinët janë karantinuar në shtëpitë e tyre dhe gjithashtu katër ditë kanë qëndruar në karantinë në hotelet në Mekë.

Mbretëria ka regjistruar më shumë se 270,000 raste me afro 3,000 vdekje, një nga përhapja më e madhe e pandemisë në Lindjen e Mesme.

Qytetarëve të Luginës nuk do ti kërkohet testi negativ për të hyrë në Kosovë

Zv. Kryetari i komunës së Bujanocit Shqiprim Musliu ka qëndruar sot në vendkalimin Konçul – Dheu i Bardhë dhe me anë të një postimi në profilin e tij facebook i ka informuar qytetarët se mund të lëvizin lirshëm në drejtim të Kosovës.

Postimi i plotë:

Pas situatës së krijuar në lidhje me moslejimin e kalimit të qytetarëve të Luginës në Kosovë, e kemi konsideruar veten të obliguar të interesohemi maksimalisht deri në sqarimin e plotë të situatës. Me këtë rast, e kemi parë të udhës që të dalim në pikëkalimin te Dheu i Bardhë, për të marrë informacione rreth kësaj situate. Na konfirmuan se vendimi i qeverisë do të interprerohet drejtë dhe qytetarët e Luginës do të lëvizin lirshëm pa ndonjë kufizim.

Të enjten pritet takimi i radhës Hyseni-Gjuriq

Ekipet e ekspertëve, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, do të takohen gjatë kësaj jave. Sipas burimeve brenda Bashkimit Evropian, takimi pritet të zhvillohet të enjten dhe aty do të bisedohet për temat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik.

Ky do të jetë takimi i dytë në nivel ekspertësh, pasi më 23 korrik, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, u takuan në Bruksel dhe biseduan për çështjen e të pagjeturve dhe të zhvendosurve.

Kosova në dialogun në nivelin e ekspertëve përfaqësohet nga koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, ndërkaq Serbinë e përfaqëson drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe më 23 korrik, deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje për kapituj të veçantë, përderisa nuk arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti, por edhe koordinatori Skender Hyseni, insistojnë se dialogu me Serbinë është vetëm në nivelin politik dhe nuk do të ketë diskutime teknike. Të gjitha takimet, siç ka deklaruar koordinatori Hyseni pas takimit të 23 korrikut, do të kenë për qëllim përgatitjet rreth draftimit të një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse.

Burimet në BE pohojnë se varësisht nga rrethanat, gjatë vjeshtës presin rritje të dinamikës së takimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të përshpejtohet arritja e një marrëveshjeje. Synohet që takimet në nivel ekspertësh të mbahen çdo javë dhe dy herë në muaj të ketë takime në nivel të lartë politik ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq/REL.