Ballina Blog Faqe 4

Rexhepi reagon pas rezultateve të informimit, kërkon anulimin e konkursit

pas publikimit të rezultateve të projekteve mediale në komunën e Bujanocit ka reaguar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi i cili kërkon anulimij e konkursit i cili diskriminon mediat në gjuhën shqipe.

postimi i plotë i Rexhepit:

𝐊𝐄̈𝐑𝐊𝐄𝐒𝐄̈ 𝐏𝐄̈𝐑 𝐀𝐍𝐔𝐋𝐈𝐌𝐈𝐍 𝐄 𝐊𝐎𝐍𝐊𝐔𝐑𝐒𝐈𝐓 𝐐𝐄̈ 𝐃𝐈𝐒𝐊𝐑𝐈𝐌𝐈𝐍𝐎𝐍 𝐌𝐄𝐃𝐈𝐀𝐓 𝐍𝐄̈ 𝐆𝐣𝐔𝐇𝐄̈𝐍 𝐒𝐡𝐐𝐈𝐏𝐄

Gjatë ditës së sotme, kam dorëzuar kërkesë zyrtare për anulimin e konkursit për bashkëfinancimin e projekteve mediatike për vitin 2025, të shpallur nga Komuna e Bujanocit. Kjo kërkesë bazohet në shkeljen e dispozitave të nenit 21 dhe 25 të Ligjit për Këshillat Kombëtare, pasi në këtë proces nuk është kërkuar mendimi i KKSH-së, pavarësisht se projektet e propozuara për financim përfshijnë edhe prodhime në gjuhën shqipe.
Për më tepër, përmes propozimit të bërë nga komisioni vlerësues, është evidentuar mungesa e qasjes së barabartë ndaj mediave që informojnë në shqip. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve është propozuar të ndahet për media që nuk ushtrojnë veprimtari reale në territorin e Komunës së Bujanocit, përfshirë edhe media nga qyteti i Vranjës, ndërkohë që mediat lokale në gjuhën shqipe janë lënë anash. Kjo është e papranueshme në një komunë me shumicë shqiptare (rikujtim: mbi 62% të banorëve të Bujanocit janë shqiptarë) dhe përbën një shkelje të parimeve të barazisë, përfaqësimit dhe të drejtës për informim në gjuhën amtare.

Andaj, kërkojmë anulimin e këtij konkursi dhe vendosjen e një praktike të rregullt konsultimi institucional, ku KKSH përfshihet në çdo proces që lidhet me fushat ku ka kompetenca ligjore. Nëse kjo kërkesë dhe detyrimet ligjore nuk respektohen, KKSH do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e komunitetit shqiptar në Bujanoc.

Shqiptarët në Serbi pa të drejta, deputeti Kamberi paralajmëron bojkot

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi përmes një postimi në Facebook, ka shprehur pakënaqësinë për mosrealizimin e kërkesave lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Ai ka paralajmëruar edhe mundësinë e mos pjesëmarrjes në punimet e ardhshme të parlamentit.

postimi i plotë:

Duke pasur parasysh se komuniteti që përfaqësoj i qëndron besnik vetëm orientimit pro evropian të Ballkanit Perëndimor dhe beson fuqishëm në vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë;

Duke u nisur nga fakti se respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave është themeli i çdo shoqërie të shëndoshë evropiane;

Duke marrë parasysh vendimin e opozitës pro evropiane për të bojkotuar punën e Parlamentit si reagim ndaj krizës së thellë politike dhe institucionale në vend;

Duke qenë dëshmitar çdo ditë i shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave themelore të njeriut dhe të komuniteteve pakicë – në veçanti të shqiptarëve, të drejtat e të cilëve vazhdojnë të nëpërkëmben prej dekadash, përkundër tre marrëveshjeve të nënshkruara me Beogradin (2001, 2009 dhe 2013);

Mosnjohja e diplomave, nënpërfaqësimi politik dhe institucional, pasivizimi administrativ dhe mungesa e perspektivës ekonomike janë bërë pjesë e një agjende sistematike që synon shpopullimin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët;

Duke vërejtur mungesën e plotë të vullnetit politik për të proceduar me nismat dhe iniciativat ligjore që do të përmirësonin pozitën e shqiptarëve në Serbi – të cilat tashmë prej muajsh mbeten të bllokuara në procedurat parlamentare;

Duke besuar se demokratizimi i Serbisë nuk është çështje e thjeshtë e ndërrimit të pushtetit, por kërkon vullnet të sinqertë për reformë, respekt për të gjithë qytetarët dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet; në fakt, demokratizimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm kur, krahas ndërrimit të pushtetit, ndodh edhe shkëputja përfundimtare nga politika imperialiste e viteve ’90;

Në këto rrethana, nuk do të marr pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë ndër vite kanë ngritur zërin në Parlament duke folur në emër të të drejtave, barazisë dhe të ardhmes evropiane, duke kërkuar respektimin e normave themelore të të drejtave të njeriut dhe duke apeluar ndaj Bashkimit Evropian për zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2001, 2009 dhe 2013 – fatkeqësisht pa sukses.

Shoqëria vërtet pro evropiane mund të ndërtohet vetëm duke garantuar kushte të barabarta dhe trajtim dinjitoz për të gjithë – përfshirë shqiptarët. Ajo nuk mund të ndërtohet mbi mitet e së kaluarës, as mbi trillimet historike dhe as mbi ambicien për hegjemonizëm në Ballkanin Perëndimor.

Për veprimet e ardhshme politike do të njoftoheni me kohë. Të gjitha do t’i koordinojmë me aleatët tanë politikë dhe me të gjithë ata që vërtet besojnë në vlerat properëndimore dhe demokratike.

Shtëpia e Shëndetit në Bujanoc pajiset me aparatin CTG

Komuna e Bujanocit e ka pajisur Repartin e Gjinekologjisë në Shtëpinë e Shëndetit Bujanoc me aparatin CTG

Shtëpia e Shëndetit në Bujanoc është pajisur me aparatin CTG, një pajisje moderne dhe shumë e rëndësishme për monitorimin e shëndetit të foshnjeve dhe nënës gjatë shtatzënisë.

Ky investim bën të mundur që gratë shtatzëna nga Bujanoci dhe rrethina të mos kenë më nevojë të udhëtojnë në Vranjë apo në klinika private për këtë shërbim, duke kursyer kohë, para dhe duke rritur sigurinë gjatë shtatzënisë.

Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore publike në komunën tonë, dhe mbështetja e grave dhe familjeve të reja mbetet një nga prioritetet tona.

Ftojmë qytetaret tona të përfitojnë nga ky shërbim i ri, i cili tashmë ofrohet në mënyrë të rregullt dhe falas në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc.

Ambasada e SHBA-së viziton Këshillin Kombëtar Shqiptar

Për qëllimin dhe detajet e kësaj vizite të rëndësisë së veçantë ka shkruar kryetari i KKSh-së Enkel Rexhepi:

𝐀𝐦𝐛𝐚𝐬𝐚𝐝𝐚 𝐞 𝐒𝐇𝐁𝐀 🇺🇸 – 𝐦𝐢𝐤𝐮 𝐦𝐞̈ 𝐢 𝐦𝐚𝐝𝐡 𝐝𝐡𝐞 𝐢𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢 𝐦𝐞̈ 𝐢 𝐛𝐞𝐬𝐮𝐞𝐬𝐡𝐞̈𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭 𝐞 𝐋𝐮𝐠𝐢𝐧𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐡𝐞𝐯𝐞̈𝐬. 𝐅𝐚𝐥𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐞𝐬 𝐩𝐞̈𝐫 𝐦𝐛𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐮𝐞𝐬𝐡𝐦𝐞!

Gjatë ditës së sotme patëm nderin të mirëpresim në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar sekretarin nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd. Takimi ishte një mundësi e rëndësishme për të paraqitur sfidat dhe problemet me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Luginë.

Diskutuam për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë, për vazhdimin e procesit të pasivizimit të adresave, për bllokimin e fondeve të bujqësisë nga Republika e Kosovës, si dhe për mungesën e një programi funksional të policisë multietnike në rajon. Po ashtu, u theksuan edhe shumë çështje të tjera që ndërlidhen me të drejtat themelore dhe përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve.

Një shqetësim i veçantë që u ngrit gjatë takimit ishte edhe mosfillimi i renovimit të shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan, pavarësisht dakordimit të mëhershëm dhe informimit të drejtpërdrejtë të Ambasadës së SHBA-së dhe ish-Ambasadorit Hill për këtë çështje. Për dy vite me radhë, Qeveria e Serbisë ka ofruar vetëm arsyetime të ndryshme në vend të rezultateve konkrete. Ky është një shembull i qartë se si funksionon shpesh qeveria: merr obligime sa për sy e faqe, e më pas zvarritë në pafundësi zbatimin, duke treguar qartë mungesën e vullnetit për të ndërmarrë hapa të vërtetë drejt përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Luginë.

Ambasadori i Mbretërisë së bashkuar pritet për vizitë në KKSh

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi me ka pritur sot për vizitë Ambasadorin e Mbretërisë sëbashkuar, njoftimi i plotë :

𝐌𝐢𝐫𝐞̈𝐩𝐫𝐢𝐭𝐚 𝐦𝐞 𝐤𝐞̈𝐧𝐚𝐪𝐞̈𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐛𝐚𝐬𝐚𝐝𝐨𝐫𝐢𝐧 𝐞 𝐌𝐛𝐫𝐞𝐭𝐞̈𝐫𝐢𝐬𝐞̈ 𝐬𝐞̈ 𝐁𝐚𝐬𝐡𝐤𝐮𝐚𝐫

Sot, në ambientet e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, patëm kënaqësinë të presim Ambasadorin e Britanisë së Madhe(Mbretërisë së Bashkuar) në Beograd, Sh.T.z. Edward Ferguson, gjatë vizitës së tij në Luginën e Preshevës.

Në këtë takim, diskutuam mbi sfidat me të cilat përballen shqiptarët në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me theks të veçantë në fushat e

Pasivizimit të adresave dhe ndikimit të tij në të drejtat qytetare,
Diskriminimit në punësim në institucionet publike,
Mungesës së përfaqësimit adekuat në nivelet republikane,
Mungesa e teksteve mësimore për shkollat e mesme dhe sfidat në arsim,
Mungesa e gatishmërisë nga institucionet në respektimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Si dhe nevojën që Qeveria serbe të ndjekë shembujt e shteteve fqinje si Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në zgjidhjen e çështjes për llejimin dhe e përdorimin zyrtar të flamurit dhe simboleve kombëtare.

Poashtu potencuam nevojën urgjente për zbatimin e Planit 7 – Pikësh nga ana e Qeverisë në Beograd, si mekanizëm për avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, të cilin vet ajo e ka nënshkruar si dokument!
E kjo do duhej të fillonte me realizimin në plotni të Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet publike republikane 2023-2026, i përpiluar dhe mbështetur nga vet ministritë përkatëse.

Vlerësuam interesimin dhe angazhimin e Britanisë së Madhe , për të ndjekur nga afër zhvillimet në Luginë, si dhe rëndësinë që ka mbështetja e institucioneve ndërkombëtare është shpresa jonë e vetme në avancimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

Këshilli Kombëtar Shqiptar do të vazhdojë të jetë një adresë për dialog dhe përfaqësim dinjitoz të interesave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Deputeti Kamberi takon Ambasadorin e BE-së në Serbi

Takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian🇪🇺 në Serbi, SH.T. Emanuele Giaufret

Sonte pata kënaqësinë të marr pjesë në një darkë pune me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Serbi, Shkëlqesinë e Tij Emanuele Giaufret.

Gjatë bashkëbisedimit tonë, diskutuam gjerësisht për sfidat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballen përpjekjet tona për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Theksova se Bashkimi Evropian dhe vlerat perëndimore mbeten opsioni i vetëm dhe aspirata strategjike e shqiptarëve të Luginës dhe se procesi i integrimit të Serbisë në BE duhet të kalojë përmes respektimit dhe avancimit të të drejtave të pakicave kombëtare.

Informova Ambasadorin për ngecjen e vazhdueshme në zbatimin e Planit 7- pikësh, si dhe për mbylljen e dyerve të institucioneve shtetërore për integrimin e shqiptarëve.

Vura në dukje neglizhencën sistematike të shtetit ndaj përfshirjes së shqiptarëve në institucionet publike, veçanërisht në polici, dhe ngrita shqetësimin për vazhdimin e praktikës së pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Këto janë fenomene që cenojnë të drejtat elementare të qytetarëve tonë, prandaj asistenca ndërkombëtare për evitimin e këtyre problemeve dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve është e domosdoshme.

Në fund faleminderova ambasadorin për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe i dëshirova mirëseardhje në vizitën e tij të radhës në Luginë të Preshevës!

Kryetari Pajaziti pret në takim delegacionin e OKB-së

Vizitë e rëndësishme për Bujanocin: Takim me Koordinatoren e Përhershme të OKB-së dhe përfaqësuesin e UNHCR-it

Sot patëm nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim në Bujanoc Koordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Serbi, znj. Matilde Mordt, si dhe përfaqësuesin e UNHCR-it në Serbi, z. Sofian Agjalli.

Kjo vizitë përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për komunën tonë dhe është dëshmi e interesimit të organizatave ndërkombëtare për sfidat dhe perspektivat e zhvillimit në rajonin tonë.

Në një atmosferë konstruktive dhe bashkëpunuese, diskutuam një sërë çështjesh me rëndësi strategjike për komunën e Bujanocit dhe banorët e saj.

Ndër temat kryesore ishin: zgjidhja e çështjes së qytetarëve: procesit i diplomave dhe dokumentacioni tjetër civil, përfshirja dhe integrimi i plotë i qytetarëve shqiptarë në institucionet shtetërore, menaxhimi dhe rregullimi i deponisë komunale në funksion të mbrojtjes së ambientit, si dhe modernizimi i sistemit të ndriçimit publik, që është pjesë e agjendës sonë për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të sigurisë publike.

Vlerësoj lart vullnetin dhe gatishmërinë e përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar komunën tonë përmes mbështetjes teknike, asistencës institucionale dhe projekteve të përbashkëta që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët, pa dallim.

Komuna e Bujanocit mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare dhe vendore, duke i dhënë prioritet dialogut, përfshirjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Falënderoj znj. Mordt dhe z. Agjalli për vizitën dhe përkushtimin e treguar, me shpresë që bashkëpunimi ynë do të thellohet edhe më tej në të ardhmen,- ka shkruar Pajaziti në postimin e tij.

Delegacioni i grave nga Bujanoci pjesëmarrës në forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, një delegacion i grave nga Komuna e Bujanocit, i kryesuar nga shefja e kabinetit të kryetarit të komunës, Albulena Osmani, po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

Ky forum, i cili është organizuar nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, ka filluar me pritjen zyrtare të të ftuarve dhe pritet të sjellë mbi 30 panele diskutimi me më shumë se 150 folës nga mbi 45 shtete të botës, përfshirë presidentë, ministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe aktivistë të shquar.

Pjesëmarrja e përfaqësueseve nga Bujanoci në këtë ngjarje të rëndësishme është një dëshmi e përkushtimit të komunës për avancimin e rolit të grave në shoqëri, si dhe një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të zërit të grave në procese vendimmarrëse dhe në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në nivel lokal e rajonal.

Përmes këtij forumi, Kosova rikonfirmon angazhimin e saj për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, duke u shndërruar në një shembull të mirë për gjithë rajonin në nismat që promovojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen aktive të grave në jetën publike dhe politike.

Zanatlitë që nuk shlyhen në qytetin e Preshevës – duart e arta të së kaluarës

Zanatlitë që nuk shlyhen në qytetin e Preshevës – Kujtesë për duart e arta të së kaluarës

Në qytetin e vogël por të pasur me histori të Preshevës, kujtesa për mjeshtrit e vjetër nuk shuhet kurrë. Ata janë dëshmia e gjallë e një kohe kur çdo punë bëhej me dorë, me përkushtim dhe me shpirt. Edhe pse teknologjia dhe globalizimi kanë ndryshuar mënyrën e jetesës, disa emra të zanatlive të dikurshëm jetojnë ende në kujtimet e qytetarëve dhe në rrëfimet e pleqve.

Në çdo qoshe të Preshevës, dikur dëgjoheshin zhurmat e çekanëve të farkëtarëve, aroma e këpucëve të reja nga rrobaqepësit e këpuctarët, dhe shkëlqimi i arit nga duart e argjendarëve mjeshtër. Të gjithë këta zanatli, me punën e tyre të ndershme dhe mjeshtërinë e rrallë, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive të qytetit.

Këta janë disa nga emrat e zanatlive që nuk harrohen në Preshevë:
Rrobaqepësi – një ikonë e elegancës mashkullore në Preshevë, i njohur për kostumet e qepura me dorë.
• Jahja Veliu -Këpuctari – që la pas vetes jo vetëm këpucë të qëndrueshme, por edhe një reputacion të ndershmërisë dhe korrektësisë.
• Sevdije Agushi – Janepunuese , duart e saj krijuan jane që trashëgohen edhe sot nga brezat.
• Nuredin Musahu – zdrukthtar, me mjetet dhe veglat e punes, ishte simbol i burrërisë tradicionale.
Nehat Haziri- Ëmbëltorist dhe Ibrahim Shabani- Teneqepunues.

Këta emra – dhe shumë të tjerë – nuk janë vetëm mjeshtra zanatesh. Ata janë pjesë e identitetit të qytetit, të një kulture të punës që mbështetej në nder, mjeshtëri dhe respekt. Brezat e rinj ndoshta nuk i kanë takuar, por është detyrë e jonë që t’i kujtojmë dhe t’u japim vendin që meritojnë në historinë lokale.

Sot, kur shumë nga këto zanate rrezikojnë të zhduken, është koha për reflektim: A duhet t’i harrojmë këto profesione dhe emra që ndërtonin qytetin me duart e tyre? Apo duhet të gjejmë mënyra për t’i ruajtur, përmes tregimeve, muzeve lokalë, apo nxitjes së të rinjve që të mësojnë nga mjeshtrit e fundit?

Presheva ka qenë gjithmonë një vend i punës, i nderit dhe i zanateve. Le ta ruajmë këtë frymë, duke nderuar ata që ndërtuan themelet e saj – zanatlitë që nuk shlyhen

“After the Silence” – Një film i fuqishëm nga të rinjtë për shëndetin mendor

Premiera emocionuese u mbajt më 27 maj në Bujanoc

Një mesazh i fuqishëm mbi shëndetin mendor u dha në premierën e filmit “After the Silence”, një projekt i realizuar nga të rinjtë e iniciativës Healing Circle, të mbështetur nga British Council dhe i monitoruar nga shoqata Beyond.

Filmi trajton sfidat e heshtura që shumë të rinj përjetojnë çdo ditë, duke nxitur vetëdijesim, empati dhe biseda të hapura për shëndetin mendor. Nëpërmjet tregimeve reale dhe emocioneve të sinqerta, After the Silence fton publikun të reflektojë dhe të kuptojë se kujdesi për shëndetin mendor nuk është dobësi, por forcë.

Premiera u mbajt më 27 maj në Bujanoc, në një atmosferë të ngrohtë dhe mbështetëse. Të pranishmit patën mundësi të ndajnë përvoja personale dhe të lidhen me mesazhin e thellë të filmit. Pas shfaqjes, pati diskutime të hapura dhe emocione të sinqerta nga publiku.