Ballina Blog Faqe 52

Manchester City 60 milionë euro për Toni Kroos

Manchester City është duke e përgatitur një ofertë prej 60 milionë euro për mesfushorin qendror të Real Madrid, sipas Don Balon.

Pep Guardiola është në kërkim të përforcimeve në mesfushë, duke qenë se karriera e Fernandinhos po vjen drejt perëndimit, dhe në përpjekje për t’i mbajtur gjallë ambicionet për ta fituar Ligën e Kampionëve.

Vendi i Kroosit në Real Madrid ka qenë i luhatshëm gjatë vitit të fundit dhe mendohet se nëse City vjen me një ofertë fitimprurëse për Realin dhe Kroosin, atëherë gjermani mund të përfundojë në Premierligë sezonin e ardhshëm.

Sarri takohet me drejtuesit e Chelseat

Maurizio Sarri do të takohet sot me drejtuesit e Chelseat për të biseduar për të ardhmen e tij në klub, si dhe për incidentin me Kepa Arrizabalagan, i cili i refuzoi urdhrat e trajnerit për t’u zëvendësuar.

Trajneri italian është nën presion për ta shpëtuar pozitën e tij si trajneri i Chelseat, pas disfatës në finalen e Carabao Cup, kundër Manchester Cityt.

Besohet se ai është shumë afër shkarkimit dhe kjo karriera e tij mund të përfundojë qysh pas ndeshjes që zhvillohet nesër, kundër rivalit të qytetit, Tottenhamit, nëse “Të kaltrit” nuk arrijnë të sigurojnë fitore.

Për më tepër, Kepa ngriti dyshime mbi autoritetin e Sarrit në klub, kur nuk pranoi të zëvendësohet në fund të pjesës shtesë në finalen e së dielës. Willy Caballero po priste rreth fushës për të hyrë në lojë, mirëpo ai u detyrua të rrinte në stol edhe për gjuajtjet e penalltive.

Kepa nuk arriti ta mbrojë një penallti të gjuajtur keq nga Sergio Aguero dhe Manchester City e fitoi titullin e Carabao Cup, duke fituar 4:3 në gjuajtjet e penalltive, ndërsa koha e rregullt kishte përfunduar me rezultat 0:0.

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, nuk ishte në stadium kur ndodhi ky incident, megjithatë i pranishëm ishte drejtori ekzekutiv, Bruce Buck.

Koordinatori për rininë takim të përbashkët me të gjithë liderët e Luginës së Preshevës

Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i ftoi të gjithë përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës në Luginën e Preshevës, në një takim të përbashkët në Bujanoc. Në këtë takim u bisedua gjatë për rëndësinë e bashkëpunimit pa dallime partiake, për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe me theks të veçantë lidhur me Programin Nacional për Rininë.

Të pranishëm në takim ishin z. Fatmir Hasani, Deputet në Kuvendin e Serbisë, z.Shaip Kamberi, Kryetar i Komunës në Bujanoc, z. Shqipërim Arifi, Kryetar i Komunës në Preshevë, Dr. Adnan Salihu, Kryetar i Kuvendit të Komunës në Bujanoc, z. Sami Saliu Kryetar i Kuvendit të Komunës në Preshevë, znj. Ardita Sinani, Kryetare e Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, z. Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, z.Shqipërim Musliu, Kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, z. Nagip Arifi, Kryetar i Partisë Demokratike në Luginë, z. Galip Beqir, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, z. Enver Memeti, Këshilli Kombëtar Shqiptar, Armend Aliu, nënkryetar i Komunës së Preshevës e të tjerë.

Në fjalën përshëndetëse, Hoti sqaroi qëllimin dhe objektivat e Programit Nacional për Rininë. “Ky Program kontribuon posaçërisht në zhvillimin e dijes, shkathtësive në sport dhe në kreativitet kulturor e mendim kritik tek nxënësit pa dallim”, tha Koordinatori Hoti. “Nëpërmjet këtij Programi, bashkimi kulturor dhe edukativ vetëm se ka ndodhur”, shtoi ai.

Në anën tjetër, të pranishmit biseduan për rëndësinë e takimeve të tilla ku mund të diskutohet hapur dhe në mënyrë konstruktive. Ata e cilësuan këtë takim si një nismë shumë të qëlluar dhe mjaft domethënëse për të ardhmen e Luginës dhe në veçanti të nxënësve të kësaj ane. Po ashtu uruan që takime të tilla të përbashkëta të organizohen më shpesh.

Blerim Reka kandidati shqiptar për president?

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela janë parë në një takim të përbashkët në Shkup me prof. dr. Blerim Rekën, ku siç thuhet, është biseduar për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe mundësinë e daljes së tij si kandidat presidencial i opozitës shqiptare.

Ndërkohë, Prof.Dr. Blerim Reka, menjëherë pas këtij takimi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar:

“Shqiptari, veshtire i fiton votat per President. Maqedonasi, veshtire behet President pa fituar votat shqiptare. Zgjidhja? Vice-President Shqiptar; apo zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi?”.

Gjithashtu, në margjina të Konferencës “Faktori shqiptar në rajon, mes lindjes e Perëndimit”, ku diskutoi edhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela, profesori i Universitetit të Prishtinës, Arsim Sinani tha me bindje të plotë se shqiptarët do të dalin me kandidat presidencial dhe se kjo është më se e qartë.

“Nuk ka se pse mos të hyhet në një gare serioze dhe domethënëse. Mes dy partive maqedonase LSDM dhe VMRO, opozita shqiptare do të gjejë forca ta sfidojë mentalitetin e vjetër jugosllav në Maqedoninë Veriore por edhe dominimin maqedonas. Secili i bën kalkulimet e veta kuptohet edhe shqiptarët.”, theksoi profesori Sinani në konferencën që u mbajt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Sipas Kushtetutës dhe afateve të parapara, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj. Kandidatët duhet të paraqiten deri më 21 mars ndërsa fushata zgjedhore do të fillojë më 31 mars. Mandati i presidentit aktual Gjorgje Ivanov mbaron më 12 maj.

LSDM është në kërkim të aleatëve për të debutuar me një kandidat të përbashkët, ndërsa VMRO-DMPNE e ka bërë publik kandidaten e vet.

A do të jetë Blerim Reka kandidati i opozitës shqiptare për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të duhet të presim konfirmimin zyrtar.

“Sa shumë të paskam…”, Elvana Gjata dedikim dashurie Florit?

Këngëtarja Elvana Gjata u përfshi në një skandal mbrëmjen e 4 tetorit 2018, pasi i dashuri i saj Ervin Mata ishte pjesë e atentatit të ndodhur në zonën e ish-bllokut, ku humbi jetën i riu Fabiol Gaxha.

Pas kësaj ngjarjeje si për çudi edhe Flori Mumajesi iu rikthye vrullshëm postimeve në Instagram, ndonëse nuk dihej se kusjt i adresoheshin, por që mediet aluduan se “mesazhet e koduara”, ishin posaçërisht për Elvanën. Kujtojmë që dikur Elvana dhe Flori kanë qenë një çift shumë i përfolur i showbizz-it.

Sot, kur Elvana me shumë gjasë është vetëm, pasi është përfolur ndarja nga Ervin Mata, shkruan një mesazh shumë domethënës në Instagramin e saj.

Elvana shkruan:

Sa shumë të paskam dash.”
Por kujt i adresohet ky mesazh?

Kjo nuk dihet dhe për aq kohë sa Elvana nuk do të na japë një përgjigje, le të mendojmë se dashuria e saj për Florin ndoshta nuk është shuar ende.





Mourinho i zbulon kushtet për klubin e tij të ardhshëm

Jose Mourinho ka zbuluar se në punën e tij të ardhshme, si trajner i ndonjë klubi, ai do të punojë vetëm me njerëz të cilët i do.

Strategu portugez ka mbetur pa punë si trajner, që nga dhjetori, kur u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit.

Ai i ka drejtuar një numër të klubeve më të mëdha të Evropës gjatë karrierës së tij, përfshirë këtu Chelsean, Real Madridin, Interin, si dhe, së fundi, “Djajtë e kuq”.

Mourinho ka bërë të ditur se ai veçse e ka refuzuar një klub për shkak të mungesës së ambicies së tyre, duke shtuar se klubi i tij i radhës do të jetë me njerëz me të cilën atij i pëlqen të punojë.

“Nëse është një klub, pa ambicie, unë nuk do ta pranoj. Unë e refuzova sepse dua të jem në futbollin e nivelit më të lartë dhe në një klub me ambicie të nivelit më të lartë”, ka thënë Mourinho.

“Ky është kushti im i dytë. Kushti im i parë ka të bëjë me empatinë strukturore. Dua të punoj me njerëz që i dua. Njerëzit me të cilët dua të punoj, me të cilën do të jem i lumtur të punoj, me të cilët i ndajmë të njëjta ide”.

“Këtë gjë e kisha në Inter. Ka klube të tilla. Natyrisht, kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e një klubi”

Zyrtare: Chelsea e ndëshkon Kepa Arrizabalagan

Chelsea e ka ndëshkuar zyrtarisht Kepa Arrizabalagan për mosbindje të urdhrave të trajnerit, Maurizio Sarri, gjatë finales të dielën në humbjen nga Manchester City.

Kepa refuzoi të zëvendësohet para ekzekutimit të penalltive në stadiumin “Wembley”, ku Chelsea humbi 4-3 dhe Sarri humbi krejtësisht kontrollin.

Edhe pse  “The Sun” raportoi se portieri “nuk do të ndëshkohet”, tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi.

Klubi anglez ka njoftuar përmes faqes zyrtare se Kepa është ndëshkuar me para, atij do t’i merret paga e një jave dhe do të dhurohet për fondacionin e Chelseas.

Ish-portieri i Athletic Bilbaos u bë portieri më i shtrenjtë në botë kur Chelsea e bleu atë për 80 milionë euro verën e kaluar.

Thaçi paralajmëron dorëheqjen, nëse Kuvendi s’ia aprovon marrëveshjen me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për marrëveshjen e pritur me Serbinë dhe për rishikimin e kufirit mes dy vendeve.

Kreu i shtetit të Kosovës deklaroi se nëse marrëveshja me Serbinë nuk do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, ai do të japë dorëheqje, për ta dërguar atë në referendum.

“Edhe kritikët të mos mendojnë që do të shkel Kushtetutën. Kushtetutën nuk e shkel kurrë, por për ta ndryshuar po. Mund të arrijmë marrëveshjen, pastaj i propozohet Kuvendit të Kosovës, i cili e aprovon ose jo. Nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i bashkëngjiten Kosovës me marrëveshje, dhe Kuvendi i Kosovës nuk e aprovon, unë jap dorëheqjen ose shpall referendum”, ka deklaruar Thaçi në Report Tv.

“E di që në referendum fitoj 80%, sepse 99% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc e përkrahin bashkëngjitjen me Kosovën, dhe rreth 75-80% e qytetarëve të Kosovës aktualisht e mbështesin këtë bashkëngjitje. Kështu që unë po përçoj vetëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të Preshevës”, është shprehur ai.

Ai mohoi që marrëveshja përfshin lëshim të territoreve nga Kosova. 

Presidenti i Kosovës deklaroi se është gati që të shkojë në Hagë, nëse Gjykata Speciale e thërret.

Thaçi po ashtu i bëri thirrje Haradinajt nga Tirana që të heqë taksën për mallrat nga Serbia, duke vlerësuar se ato po futen kontrabandë dhe miqësia me SHBA-në po dëmtohet. 

Thaçi e ka cilësuar Haradinajn rrezik për Kosovën, dhe ka parashikuar fat të keq për të.

Facebook Messenger sjell opsionin e fshirjes së mesazheve, pas dërgimit të tyre

Përdoruesit e Facebook Messenger duhet të shohin një opsion të ri në ditët e ardhshme kur zgjedhin të fshijnë mesazhet e tyre në grupe apo mesazhe. “Hiq për të gjithë” do të jetë në dispozicion për 10 minuta pasi të keni dërguar një mesazh dhe do ta bëni atë në mënyrë që të jetë e padukshme për pjesëmarrësit e tjerë në bisedë.

Për referencë, Google Gmail ofron një opsion të ngjashëm “unsend”, por vetëm për pak sekonda pas dërgimit të email-it.

Opsioni i tanishëm i fshirjes, që do të ri-titullohet si “Remove for you”, do të jetë ende në dispozicion për çdo mesazh në çdo bisedë. Përdoruesit e tjerë do të jenë ende në gjendje ta shohin mesazhin nëse ata vetë nuk kanë zgjedhur ta heqin atë nga të dhënat e tyre.

CNET raporton se testimi është bërë në Poloni, Bolivi, Kolumbi dhe Lituani, mes tregjeve të tjera.

Apple sjell shërbimin e shfaqjes së filmave, muajin e ardhshëm

Më në fund, Apple do të zbulojë shërbimin e tyre të transmetimit të videos në një ngjarje muajin e ardhshëm, sipas raportit të fundit. Rivali i Netflix, i cili tashmë ka një numër projektesh të profilit të lartë, pritet të jetë në dispozicion nga marsi.

Shërbimi i parapagimit mujor pritet të ndjek hapat e Netflix ose Amazon Prime Video dhe të ofrojë një përzierje të filmave të veçantë. Është e paqartë nëse Apple do të ofrojë një model me nivele – me disa veçori si cilësia e imazhit Ultra HD, abonimet mujore më të shtrenjta etj.

Eshtë informuar se Apple ka investuar më shumë se 1 miliardë dollarë për përmbajtjen origjinale, përfshirë një ringjallje të serisë së Steven Spielberg të vitit 1985, Amazing Stories, një seri dramash ende e pa titulluar nga regjisori i  La La Land etj.