Ballina Blog Faqe 27

Eurodeputetja pyet: Pse Thaçi po e fut vendin e tij në rrezik?

Eurodeputetja Viola Von Cramon ka komentuar takimin e  Presidentit Thaçi me liderët e partive politike për të shikuar mundësinë për krijimin e qeverisë së re.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka pyetur në Twitter, se përse Presidenti Thaçi po e vë Kosovën në rrezik.

“Po bëhet çdo ditë e më tepër absurde. Hashim Thaçi jam pa fjalë. Pyes veten si do të përfundojë kjo. Pse presidenti po e vë vendin e tij në rrezik”, ka shkruar Eurodeputetja në Twitter.

Ndërkaq, në takimin e zhvilluar sot Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ka dëgjuar të gjitha qëndrimet e partive politike të cilat ishin kundër shkuarjes në zgjedhje të reja, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se do t’i japë mandatin cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për krijimin e insistucioneve të reja.

Ministri i shëndetësisë Arben Vitia tregon se Kosova do të përgatis një pako për Luginën e Preshevës

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, shpreson që deri më katër maj të ndalin ciklin e rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar një pako për Luginën e Preshevës.

“Njëra nga temat kyçe që kemi biseduar me ministrin e shëndetësisë së Serbisë ka qenë edhe Lugina. Para kësaj, të premten e kaluar bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin Bislimi kemi biseduar për masat dhe ndihmat që ne si qeveri do t’i dërgojmë në Luginë dhe pas këtyre diskutimeve do të dalin me një pako. Njëra ndër kërkesat tona për ministrin serb ishte ajo për testimin, dhe mënyrën si po trajtohen qytetarët në Luginë”, ka thënë ai. “nga ana e ministrit na është thënë se do të funksionojnë si për qytetarët e tjerë. Në bashkëpunim edhe me komunat atje do të zgjidhet shumë shpejtë”.

Ai thotë se do të ketë përmirësim të situatës, por nëse respektohen masat e Qeverisë.

“Më 4 maj ne shpresojmë se do të ndalim ciklin e rritjes së numrit të të infektuarve. Ne kemi parë disa shtete si model, dhe kemi pasur fat që kemi marrë disa masa në fillim duke i mbyllur shkollat që ka pasur efekt. Kjo na ka ndihmuar shumë që të menaxhohet situata më mirë”, ka thënë Vitia.

Shoqatën Kulturore „Dituria“ shpërndan miell donacion nga fondacioni „FIRDEVS“ i hoxhë Elvis Naçit

Kryetari i Shoqatës Kulturore „Dituria“ Nexhmedin Ademi ka njoftuar se sot po bëhet shpërndarja e miellit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, donacion nga fondacioni „FIRDEVS“ i hoxhë Elvis Naçit në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore „Dituria“ raporton rtvpresheva.com

Me Bismil – lah.
Sot filluam me shperndarjen e miellit donacion nga fondacioni „FIRDEVS“ i hoxhë Elvis Naçit në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore „Dituria“. Donacioni kap sasinë prej 50 ton miell (pesëdhjet mijë kilogram miell).
Ndihma është kontribut në kuadër të aksionit ndihmë: „Shqiptarët për shqiptarët“.
Në emër të qytetarëve të Luginës faliminderit për solidaritetin e treguar nga fondacioni „FIRDEVS“, në këtë situat të vështirë.
LUGINA NUK HARRON
Distribuimi do të bëhet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Faliminderit gjithë aktivistëve për mobilizimin.
Faliminderit firmës Keramike të pronarit Samet Fejzullahut nga fsh. Cortoticë për ndihmën e ofruar.
Faliminderit bashkëpunëtorëve që po na mbështetin në realizimin e këtij aktiviteti madhor.
Së bashku ia dalim…. thuhet në njoftimin e Nexhedin Ademit, kryetar i shoqatës „Dituria“

Gent Cakaj telefonon liderët institucional të Luginës së Preshevës

Ministri i Punëve të jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një numër telefonatash me përfaqësues institucionalë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, për të biseduar për shëndetin e bashkëkombësve tanë, masat e ndërmarra në luftën kundër pandemisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit të shtuar në mposhtjen përfundimtare të COVID-19. Ai ka zhvilluar bisedë telefonike me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa, si dhe me dy kryetarët e komunave Preshevë dhe Bujanoc, Shqiprim Arifin dhe Shaip Kamberin.

Në njoftimin e z.Gent Cakaj thuhet:

„Sot zhvillova një numër telefonatash me përfaqësues institucionalë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, për të biseduar për shëndetin e bashkëkombësve tanë, masat e ndërmarra në luftën kundër pandemisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit të shtuar në mposhtjen përfundimtare të COVID-19.

Bisedova me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Glauk Konjufca, zv. Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani, Kryetarin e Tuzit, z. Nik Gjeloshaj e zv. Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu dhe, natyrisht, me Kryetarin e Bujanovcit, z. Shaip Kamberi, Kryetarin e Preshevës, z. Shqiprim Arifi dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa.

Ndonëse në këtë luftë jemi sfiduar të gjithë, së bashku do t’ia dalim pa asnjë diskutim!
Natyrisht, ne do ta ruajmë komunikimin institucional për të bashkërenduar veprimet tona sipas nevojave“.

Kalimi kufitar i Preshevës në sistemin e korridoreve të gjelbërta

Në Serbi, vendkalimet Sremska Raca, Preshevë, Gostun dhe Merdare do të veprojnë në këtë regjim

Nga sot, nis zbatimi i sistemit të korridoreve “të gjelbërta” në vendkalime të caktuara kufitare brenda rajonit të CEFTA-s, dhe kur plotësohen kushtet teknike të përcaktuara, në këtë sistem do të përfshihen vendkalimet e tjera.

Vendet e Marrëveshjes së Tregtisë Evropiane Qendrore (CEFTA) kanë miratuar një listë të mallrave duhet të jepen me përparësi kur bëhet fjalë për transport ndërkufitar për të siguruar furnizim adekuat përballë krizës së COVID19.

Këto janë pajisje mjeksore dhe ushqimore që në të ardhmen do të kenë përparësinë e kalimit në të ashtuquajturat. “korridoret e gjelbërta” të vendosura me qëllim të një transporti më efikas dhe kalimit më të shpejtë të kufijve për të gjitha mallrat.

“Korridorët e Gjelbër” do të thotë procedura të përshpejtuara ligjore dhe shëndetësore në vendkalime të caktuara kufitare që do të jenë të hapura për transportin e mallrave 24 orë, shtatë ditë në javë.

Më shumë se gjysma e të infektuarve në Gjermani janë shëruar

Gjermania tani ka më shumë njerëz të shëruar nga koronavirusi sesa raste aktive, kanë thënë zyrtarët.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 2.537 raste pozitive, duke e rritur në 127.854 numrin total të të prekurve nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Kjo është shifra e katërt më e madhe e të infektuarve në Evropë, mirëpo mbi 50 për qind e tyre janë shëruar.

Në Spanjë 37 për qind e 166.831 personave të infektuar janë shëruar, në Itali 22 për qind e 156.363 të prekurve dhe në Francë 21 për qind e 133.670 personave të sëmurë.

Në Mbretërinë e Bashkuar 85.208 persona kanë rezultuar pozitivë, mirëpo vetëm 0,3 për qind janë shëruar.

Gjermania ka edhe shkallën më të ulët të mortalitetit, e cila i është atribuuar numrit të madh të testimeve, pasi në mesin e të infektuarve ka pacientë me simptoma të lehta.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe zyrtarë të lartë shtetërorë do të takohen të hënën për të diskutuar mundësitë e lirimit të masave të izolimit.

Fillon lehtësimi i masave në disa shtete, Danimarka rihap edhe shkollat

Disa vende europiane po nisin këtë javë lehtësimin e masave të ashpra të bllokimit kundër përhapjes së koronavirusit. Vendimet janë marrë pas shifrave që treguan rënie të ritmeve të përhapjes në vende problematike si Italia dhe Spanja, por edhe në vende të tjera të unionit si në Austri dhe Danimarkë.

Në Danimarkë, pas disa javësh mbyllje për urgjencën e koronavirusit, kopshtet dhe shkollat fillore do të rihapen.

Rreth 52 bashki, përfshirë Kopenhagën, do t’i rikthehen normalitetit duke dalë nga rregullat e karantinës.

Vendimi për hapjen e shkollave fillore u njoftua në një konferencë për shtyp nga kryeministrja Mette Frederiksen, i cili u konfirmua edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Këtë të hënë Spanja shënoi 517 të vdekur në 24 orët e fundit nga COVID-19, një shifër që vërteton sërish kurbën rënëse të ditëve të fundit, ashtu siç ndodh edhe me infektimet. E teksa duket se situata është nën kontroll, po nga kjo e hënë qeveria ka nisur lehtësimin e masave bllokuese.

Në punë u rikthyen punonjësit e ndërtimit, fabrikave dhe të tjerë që qëndruan në shtëpi gjatë këtyre javëve të vështira, pasi e kishin të pamundur t’a kryenin punën nga shtëpitë.

Masat e sigurisë kundër koronavirusit në këto vende janë megjithatë jashtëzakonisht strikte. Në metrotë dhe stacionet e autobusëve në Madrid, policët shpërndajnë maska për udhëtarët, që megjithatë janë shumë herë më të paktë se në ditët normale.

Lehtësimi i masave do të nisë të martën edhe në Itali, ku gradualisht do të rihapen fabrikat, mes të cilave ato ushqimore, bujqësia, peshkimi, zdrukthëtaria, nxjerrja e naftës, studiot ligjore, ato shkencore etj.

Sky News: Trump synon me patjetër marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që BE dështoi për vite me radhë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump është duke u përpjekur për të zgjidhur një nga mosmarrëveshjet më të gjata ndërkombëtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një raport të përgatitur nga Sky News Australia me titull “Trump ka për qëllim të zgjidh historinë mes Kosovës e Serbisë” , thuhet se Jared Kushner, dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donad Trump, rishtazi ka pritur në takime të ndara në Uashington presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sky News-Australia, shkruan nëse Trump do të mund t’i jap fund historisë mes dy vendeve që shumë liderë botëror dështuan të arrinin një marrëveshje.


Sipas Donald Trump ka ardhur koha që këto dy shtete të mos kenë barriera ndërmjet shteteve, siç është rasti i “Urës së Ibrit” në Mitrovicë. Por të mirëpresin njëra-tjetrën si dy shtete te pavarura. Tashmë Donald Trump, duket se e ka marrë përsipër marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe këtë duket se do ta bëjë shpejtë.

Ai më parë kishte bërë edhe një marrëveshje të ngjashme ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

Bashkimi Evropian është munduar me vite që të arrihet një marrëveshje, por që nuk ja ka arritur qëllimit, ndërsa tani Administrata e Donald Trump, dëshiron që ky konflikt të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

“Kjo marrëveshje e vogël në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i jepte një fitore të lehtë SHBA-së, por në veçanti Administratës së Donald Trump”, tha Ted Galen Carpenter profesor në Universitetin e Austin.

Sipas Donald Trump ka ardhur koha që këto dy shtete të mos kenë barriera ndërmjet shteteve, siç është rasti i “Urës së Ibrit” në Mitrovicë. Por të mirëpresin njëra-tjetrën si dy shtete te pavarura.

Shkolla e mesme “Sezai Surroi” demanton Kryetarin e komunës Shaip Kamberin

Sqarim

Kryetari i Komunës së Bujanocit z. Shaip Kamberi, më 09.04.2020 i ka dhënë një deklaratë gazetës lokale “Bujanovaçke”, në gjuhën serbe, duke sqaruar arsyet e bllokimit të llogarisë së komunës, me ç`rast punëtorët e komunës nuk kanë mundur t`i marrin rrogat për muajin mars 2020.
Ju bëjë me dije se borxhi i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, në vlerë totale prej 361078.64 dinarë, është bërë para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Komplet dokumentacioni iu është dorëzuar shërbimit të financave, pas kryerjes së procedurave ligjore. Mirëpo edhe pas 45 ditëve borxhi nuk është paguar nga ana e shërbimit të finacave të komunës, ku në bazë të ligjit në fuqi vie deri te bllokimi i llogarisë së institucionit. Mësimi i rregullt në shkolla është ndërprerë më 15.03.2020 me vendim të qeverisë, për shkak të pandemisë COVID-19. Nxënësit përcjellin mësimin në distancë. Komplet inçizimi i materialit mësimor, për shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, është përgatitur në shkollën e mesme “Sezai Surroi”
Mendoj se kryetari Kamberi nuk ka informata të sakta dhe nuk ka arsye të akuzojë shkollën e mesme për bllokim të llogarisë së komunës.
Urojmë që sa më parë të debllokohet zhirollogaria e komunës së Bujanocit.

Drejtori i shkollës së mesme
Zejni Fejzullahu

Thaçi sërish i kërkon Kurtit emrin e mandatarit për formimin e qeverisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar sërish një letër liderit të Vetëvendosjes, njëherit kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke i kërkuar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Ju rikujtoj që Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik që ka fituar shumicën në Kuvend për të formuar Qeverinë dhe ka të drejtën e propozimit të kandidatit/es për të formuar Qeverinë”, shkruan Thaçi në letër.

Kjo është hera e dytë që presidenti i drejtohet Lëvizjes Vetëvendosje duke i kërkuar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.

Letrën e parë e kishte dërguar më 2 prill.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 9 prill, Kurti ka theksuar se do t’i përgjigjen presidentit Thaçi në një moment të përshtatshëm, pasi prioritet për të dhe qeverinë në detyrë tash është situata me pandeminë.

“Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19. Kështu që, siç e kemi thënë më herët në një moment të përshtatshëm ne do t’i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigjje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mirë“, ka thënë Kurti.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit, më 25 mars, nga ana e shumicës së deputetëve të Kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.

Mocioni i mosbesimit ndaj të Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.