Ballina Blog Faqe 48

Mogherini: Ditën që hiqet taksa, do të thërras takimin e ri për dialog

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini përsëriti nga selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ndodhej për një seancë raportimi përpara Këshillit të Sigurimit, thirrjet drejtuar Kosovës për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Në fjalimin e saj të gjatë, ku foli mbi kontributet e Bashkimit Europian në sistemin shumëpalësh, Mogherini u ndal edhe në disa zhvillime të rëndësishme të rajonit tonë, duke veçuar ndihmesën e unionit për pajtimin mes vendeve të Ballkanit.

“Më lejoni të falënderoj secilin prej jush për qasjen konstruktive të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ndaj dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Për rifillimin e plotë të bisedimeve, tarifat e vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe duhet hequr. Ditën kur kjo do të ndodhë, do të thërras menjëherë një takim të ri për dialogun, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme, e cila do të adresojë të gjitha çështjet e jashtëzakonshme dhe do të sjellin normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha Mogherini.

Ajo përmendi më tej rolin e saj si ndërmjetësuese e dialogut, por u kujdes të theksonte se dialogu vet nuk i përkiste asaj, as Bashkimit Europian apo ndonjërit përreth tryezës së Këshillit të Sigurimit, por iu përket më së shumti palëve diskutuese.

“Ndaj, është në dorën e tyre gjetja e një marrëveshjeje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët. Njëkohësisht, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duhet të ketë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Mogherini.

Duke theksuar se roli i palëve është dhe do të jetë vendimtar, shefja e politikës së Jashtme të BE-së shprehu gatishmërinë për të intensifikuar shkëmbimet me të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit në OKB mbi këtë çështje.

Në fund, ajo u ndal edhe te ngjarja historike që ndodhi këtë vit, sërish në Ballkan. “Marrëveshja e Prespës është një tjetër shembull pozitiv i bashkëpunimit BE-OKB dhe një shembull i mrekullueshëm i lidershipit politik të të dyja vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, tha ajo, raporton Indeksonline.

Vuçiq flet për marrëveshjen me Kosovën, pret ‘zhvendosjen’ e dialogut

Ne nuk jemi afër marrëveshjes me Prishtinën, pasi nuk negociojmë me të, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas takimit me këshilltarët e politikë së jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel.

Vuçiq vuri në dukje se zyrtarët gjermanë e kishin informuar se kishin kërkuar nga Prishtina heqjen e taksave, por, siç tha ai, nuk pret që Prishtina ta bëjë këtë.

Aleksandar Vuçiq, në një intervistë me RTS, tha se me këshilltarët e kancelares gjermane Jan Hecker dhe Matthias Litenberg biseduan për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne nuk jemi pranë marrëveshjes, pasi nuk po negociojnë gjermanët, por ne dhe negociata të tilla nuk ka,” tha Vuçiq.

Ai tha se me këshilltarët e Merkel ka biseduar për mënyrën se si të ruhet stabiliteti, paqja, si të shmangen eskalimet e mëtejshme.

I pyetur se përse Beogradi nuk miratoi një platformë për negociata me Prishtinën, Vuçiq u përgjigj se është e qartë për të gjithë.

“Nëse ju dëshironi të bisedoni me dikë, atëherë mos i ngulitni gjërat. Nëse i ngulitni, është e vështirë të nxirren gozhdët. Për të planifikuar një platformë të ngjashme me Prishtinën, atëherë ju e kuptoni se nuk mund të ketë marrëveshje”, tha Vuçiq.

Ai tha se pret në prill të ketë zhvendosje të re të dialogut nga ana e BE-së, në mënyrë që gjendja e tanishme të ndryshojë.

Shkëlqimi i Arber Zenelit në Francë, L’Equipe e fut në formacionin më të mirë të javës

Arber Zeneli ka vetëm disa javë që është transferuar në kampionatin francez Ligue 1.

Ylli i Përfaqësueses së Kosovës iu bashkua skuadrës Stade Reims nga ekipi holandez Heerenveen.

Zeneli ka filluar shkëlqimin me klubin bardh e kuq duke shënuar gola e duke dhuruar asistime.Sulmuesi nga Mitrovica ka shënuar gol këtë javë ndaj Dijonit në barazimin që mori skuadra e tij në udhëtim 1-1.

E paraqitja e reprezentuesit kosovar është vlerësuar nga media gjigante në Francë, L’Equipe që e ka përfshirë në formacionin më të mirë të javës.

24-vjeçari është vendosur në anën e majtë të sulmit nga L’Equipe që e ka vlerësuar me notën 8, notë që ishte më e larta në njëmbëdhjetëshen startuese.

Zeneli është përshtatur mjaftë mirë me futbollin francez, në ndeshjet e tij të para me Reimsin.

Sulmuesi anësorë në gjashtë ndeshjet me Reimsin në Ligue 1 ka shënuar dy gola dhe ka bërë tre asistime. /

Publikohet videoklipi i këngës që përfaqëson Shqipërinë në Eurovision 2019

Është publikuar me videoklip kënga ‘Ktheju tokës’ nga Jonida Maliqi.

Mbrëmjen e djeshme Jonida Maliqi ka publikuar videoklipin e këngës “Ktheju Tokës”, që do të jetë projekti përfaqësues i Shqipërisë në Eurovizion-in e këtij viti.

Ashtu siç vetë këngëtarja kishte lajmëruar, videoklipi është në një linjë me muzikën e këngës dhe tekstin, pra e diçkaje tërësisht etnike dhe që i bën thirrje jo vetëm shqiptarëve që të kthehen në vendin e tyre, por edhe është si një klithmë për mbarë fenomenin e emigracionit me të cilin po përballet Europa. 

Kështu shkruan dhe Jonida në përshkrimin e videoklipit në Instagram: “ Ktheju Tokes, eshte nje thirrje e kenduar fuqishem nga Jonida Maliqi qe sebashku me videoklipin e realizuar nga Triangle Media Group u drejtohet tashme jo vetem shqiptareve, por vjen njeheresh si nje klithem per mbare fenomenin e emigracionit me te cilin po perballet aktualisht mbare Europa. Gjithesesi, ky videoklip eshte vetem paranteza e performances se Shqiperise ne Eurovision, te cilen e ruajme ende si surprizen e radhes.”

Në videoklipin e ”Ktheju Tokës” mund të vëmë re disa detaje. Si për shembull përdorimin e 4 elementëve: toka, uji, zjarri dhe sigurisht ajri. Mund të shohim fëmijët që vrapojnë larg “folesë”, pra shtëpisë së tyre që digjet, gjë që me siguri simbolizon emigrimin. 

E gjithashtu mund të shohim një fole shqiponje të mbushur me njerëz që presin të ushqehen e të rriten dhe në fund Jonida që zëvendësohet pikërisht me një shqiponjë.

Gjithashtu në fund të video-s por edhe në përshkrimin e Jonidës, bëhet me dije se e gjithë kjo nuk është veçse një parantezë e performancës së Shqipërisë në Eurovizion, që ende po ruhet si surprizë.

Bëhen bashkë Shkurte Gashi e Loredana, ky detaj mori gjithë vëmendjen

Për nder të Ditës së Gruas, shumë këngëtare janë angazhuar në mbrëmjet e tyre muzikore.

Gjatë performancave të tyre në prapaskenë janë takuar këngëtarja e muzikës popullore Shkurte Gashi dhe reperja Loredana.

Detaji që mori të gjithë vëmendjen e publikut ishte paraqitja e tyre e sidomos fustani sikurse leopard i Shkurtës, ndërsa Loredana si gjithmonë paraqitet me veshje sportive.

Nuk e vëmë në dyshim shoqërinë e tyre, po a mund të presim ndonjë bashkëpunim nga këto dy të fundit?

Kim Jong Un fiton 100% të votave në Korenë e Veriut

Në Korenë e Veriut janë mbajtur zgjedhjet për parlamentin e ri të vendit. Komiteti Qendror i Zgjedhjeve tha se 92,35% e popullit votuan.

Rezultati ishte i pritshëm. Fitoi Partia e Punëtorëve, e cila mori 100% të votave.

Zgjedhjet e 10 marsit për Parlamentin janë të dytat që nga koha kur udhëheqësi Kim Jong Un mori pushtetin. Zgjedhjet parlamentare mbahen çdo pesë vjet. Votuesit teorikisht mund të fshijnë emrin e kandidatit para dorëzimit në kutinë e votimeve, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

Sipas statistikave, pesë vjet më parë dalja në votime ishte 99,97 për qind, më e ulëta e regjistruar ndonjëherë. Kjo përqindje u shënua për shkak të rritjes së numrit të verikoreanëve që punojnë jashtë vendit,

Analisti Fyodor Tertitsky i tha BBC-së se nëse dikush e bën votën të pavlefshme, atëherë policia sekrete do ta kërkojë votuesin dhe ai person do të konsiderohej i çmendur. Në Korenë e Veriut të drejtën për të votuar e kanë të gjithë shtetasin që kanë mbushur 17 vjet.

Ekipit Negociator në Bruksel i bëhet i qartë kushti për vazhdimin e dialogut

Bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti sot kanë qëndruar në Bruksel.

Burime të agjencisë serbe ‘Tanjug’ kanë konfirmuar prezencën e Limajt dhe Ahmetit në Bruksel duke thënë se janë takuar me Angelina Eichhorst, udhëheqëse e politikave të Ballkanit Perëndimor dhe ekipin e saj.Të njëjtat burime thonë se ky është një nga takimet teknike që delegacioni i Prishtinës mbanë me përfaqësuesit e EEAS si dhe të BE-së.

‘Tanjug’ thotë se nga Brukseli kanë theksuar se diskutimi për platformën do të jetë i mundur vetëm pasi të vazhdohet dialogu në mes dy vendeve dhe të hiqet taksa ndaj mallrave serbe.

Pas arritjes në Bruksel, Limaj dhe Ahmeti nuk kanë dashur të komentojnë më shumë arsyen e vizitës duke thënë se është në nivel teknik.

Së bashku me Ekipin Negociator është edhe Blerim Shala, këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi.

Në Beograd thonë se Platforma e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është e papranueshme pasi sipas tyre çon në ngrirjen e konfliktit.

Theksojmë se Serbia ka bllokuar dialogun që nga nëntori për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind.

ZYRTARE: Mjeshtri i tripletës kthehet në Madrid

Edhe zyrtarisht Zinedine Zidane është trajner i Real Madridi.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Real Madridi ka bërë të ditur se Zinedine Zidane është rikthyer në skuadër dhe do të zëvendësojë Santiago Solarin.

Zidane kthehet pasi u largua në vitin 2018 menjëherë pasi fitoi Championsin e tretë me radhë.

Madridi ka bërë të ditur se trajneri francez ka nënshkruar me klubin deri në qershor të vitit 2022.

Klubi gjithashtu ka bërë të ditur se Madridi i ka ofruar Solarit të qëndrojë në klub, gjithçka do të varet prej tij.

“Bordi i Real Madridit, i cili sot u takua, më 11 mars 2019, ka vendosur të përfundojë kontratën që lidh Santiago Solari me klubin si trajner i ekipit të parë dhe, në të njëjtën kohë, Real Madrid ka ofruar të vazhdojë të jetë pjesë e klubit”, shkruan Madridi nw faqen zyrtare.

“Real Madrid vlerëson punën e bërë nga Santiago Solari dhe angazhimin dhe besnikërinë që ai ka treguar gjithmonë në këtë shtëpi”.

“Bordi i Drejtorëve ka pranuar gjithashtu emërimin e Zinedine Zidane si trajner i ri i Real Madridit me inkuadrim të menjëhershëm për pjesën e mbetur të sezonit dhe tre të tjerat, deri më 30 qershor 2022”.

“Presidenti i Real Madridit do të paraqitet sot me Zinedine Zidane para mediave në orën 20:00 në dhomën e shtypit të stadiumit Santiago Bernabeu”, thuhet në njoftimin e klubit.

Festa e 8 marsit u shënua edhe në entin parashkollorë ” Gëzimi Ynë ” në Bujanoc

Festa e nënës “8 marsi” u shënua sot edhe në entin parashkollorë “Gëzimi Ynë” ku me një program festiv parashkollorët u prezantuan para nënave të tyre të cilave u kishin kushtuar ktë organizim. Fëmijët të udhëhequr nga edukatoret e tyre uruan 8 marsin gjitha nënave dhe grave kudo që janë.

Me anë të pikturës nxënësit e shkollave ” Naim Frashëri ” dhe ” Branko Radiçeviq ” urojn 8 marsin

Urimet e festës së 8 marsit ditës së nënave përcilllen në forma të ndryshme, me ktë rast një grup nxënësish nga shkollat fillore “Naim Frashëri” dhe “Branko Radiceviq” të mbështetuur nga shtëpia e kulturës në Bujanoc, kishin dalur në qendër të qytetit për të pikturuar në mënyrë që me anë të vizatimit të përcjellin mesazhin më të dashurave të tyre.

Është knaqësi e vecant kur fëmijët shprehin urimet mes ngjyrave dhe vijave të pikturës, andaj kjo ishte idea më e mirë që të befasojmë nënat tona për ditën ndërkombtarë të tyre thon nxënësit.

Megjithatë është e rëndësishmë të kujtohen përpjekjet e gjeneratave të kaluar për të fuqizuar rolin e gruas dhe të drejtat e saj në shoqëri, dhe kjo është pikërisht rëndësia që ka shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Gruas